Ambasadori gjerman, Hofman: Si mund të fitohet punësimi në Gjermani, azili politik dhe ekonomik i pamundur

Apr 20, 2015 | 22:30
SHPËRNDAJE

Ambasadori gjerman në Shqipëri Helmut Hofman, deklaroi se rritjet e kërkesave për azil politik dhe ekonomik në Gjermani janë tepër shqetësuese dhe se vendi që ai përfaqëson, po sheh mundësinë e shkurtimit të procedurave për të reduktuar numrin e atyre që qendrojnë për një kohë të gjatë në Gjermani. 

Ambasadori gjerman ne Tirane, Hofman

“Kjo po diskutohet intensivisht kohët e fundit në Gjermani dhe pasi shifrat janë rritur shumë, është menduar që të nxirren edhe konseguencat. Por ne jemi shtet ligjor dhe i kushtojmë rëndësi shumë të madhe të drejtës për azil. Në botë ka shumë njerëz që e keq përdorin të drejtën për azil. Më lejoni që t’ju siguroj se të gjithë ata faktor që tërheqin drejt Gjermanisë, ne po përpiqemi t’i shkurtojnë ato”,-deklaroi Hofman për televizionin “TCH” në emisionin “Shqip”. Sipas tij, Gjermania “nuk ka nevojë për emigrantë ekonomik si këto që po marrim tani”.

Ambasadori tha se Gjermania kërkon forca të kualifikuara të krahut të punës, por kërkesat për azil politik dhe ekonomik nuk janë zgjidhje. “Nëse dikush ka një kualifikim të caktuar që mund ta vërtetojë, mund të shkojë në Gjermani dhe atje ka 3 muaj kohë sa janë edhe afatet e lëvizjes së lirë, dhe atje të takojë një punëdhënës dhe më pas të rikthehet në Shqipëri dhe të aplikojë në Ambasadën Gjermane. Ne do të dërgojmë dosjen sërish në Gjermani dhe nëse do të miratohet atëherë gjithçka është  në rregull. Thirrja ime për të gjithë, që të jenë të qartë që kjo nuk është rruga e duhur. Mendoj që është shumë e rëndësishme që për këtë çështje faji të mos kërkohet diku gjetkë, por tek vetvetja”, deklaroi ambasadori gjerman.

Diplomati gjerman deklaroi se klasa politike nuk duhet ta përdorë situatën aktuale për qëllime politike, por duhet të bëhet bashkë për të gjetur zgjidhje në mënyrë që shqiptarët të kenë më shumë mundësi punësimi dhe cilësi më të larta jetese në vendin e tyre.

“Nëse qytetarët e shikojnë dhe e perceptojnë politikën si një debat të vazhdueshëm, nëse gjithçka vihet në dyshim, nëse çdo reformë skandalizohet dhe secili përpiqet ta paraqesë tjetrin sa më keq sa mundet, atëherë unë pyes veten se si mund te këtë besim njeriu tek politika këtu dhe kështu e shpjegoj edhe faktin se përse njerëzit kërkojnë të lënë vendin. Shpresoj që e gjithë klasa politike të bëhet bashkë dhe të punojnë që të krijojnë një të ardhme më pozitive”,-deklaroi ambasadori gjerman. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura