Ambasadori Delawie, deputetëve kosovarë: Gjeni zgjidhje

Aug 17, 2017 | 19:28
SHPËRNDAJE

Ambasadori amerikan, Greig Delawie, ka kërkuar nga deputetët e legjislaturës së re që fuqitë t’i koncentrojnë në gjetjen e rrugëdaljes dhe zhbllokimit të situatës, e jo në fjalimet mes tyre.

dealwww

Duke folur për situatën politike në Kosovë në një intervistë ekskluzive në “Info Magazine” të Klan Kosovës, Delawie tha se deputetët asnjëherë nuk duhet të harrojnë se u zgjodhën nga populli për të punuar për popullin.

“Vonesa i kushton Kosovës politikisht, ekonomikisht dhe në aspektin ndërkombëtar. Më duhet t’ia kujtoj deputetëve se janë zgjedhur për të punuar për popullin dhe ata duhet të gjejnë kompromis. Deputetët nuk janë zgjedhur që të rrinë në Prishtinë dhe të fjalosen kot, apo të mos dalin fare në punë.

Është thelbësore që Kuvendi të formohet, që Qeveria të formohet, dhe këta zyrtarë të ndihmojnë në zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet Kosova.

Politikanët duhet të marrin vendime të vështira dhe të rëndësishme, si dhe përgjegjësitë për ato vendime”, ka thënë diplomati amerikan.

Delawie ka refuzuar t´i drejtojë gishtin një personi apo ndonjë grupi politik si fajtor për gjendjen politike, por tha se u takon deputetëve të ofrojnë zgjidhje dhe të formojnë institucionet sa më parë.

“Nuk më takon mua që ta fajësoj dikë. Por, qytetarët e Kosovës po dëmtohen nga ky vendnumërim. U takon 120 deputetëve që të gjejnë mënyrën se si të bëjnë përparim dhe ta kuptojnë se interesi i vendit është në rend të parë. U takon atyre që të marrin vendime në të mirë të këtij vendi”, ka deklaruar Delawie.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura