Ambasadori Dashnor Dervishi rrëfen takimet me Andreotin dhe presidentin Cossiga: Si ndryshoi qëndrimi i qeverisë italiane pas ngjarjes në stadiumin e Barit gjatë eksodit të gushtit 1991

Mar 6, 2021 | 16:30
SHPËRNDAJE

pjimage (64)

Në vijim të rrëfimit të tij për situatën e krijuar në qytetet jugore të Italisë pas mbërritjes së valës së dytë të eksodit të shqiptarëve në gusht 1991, ambasador Dashnor Dervishi, në atë kohë kryediplomati i ambasadës sonë në Romë, risjell takimet me kryeministrin italian Giuglio Andreotti dhe presidendin Cossiga.

Sipas zotit Dervishi, qeveria italiane ndryshoi qëndrim pas ngjarjeve në stadiumin e Barit, ku u ngujuan për ditë të tëra me mijëra shqiptarë të ardhur me anije.

DASHNOR DERVISHI

Vijon nga numri i djeshëm: Dy eksodet e shqiptarëve në Itali, Dashnor Dervishi tregon përpjekjet e ambasadës: Ministri i Jashtëm më tha në telefon, ‘vlerësoje vetë situatën, këtu nuk ka njeri që të të thotë gjë’

Të nesërmen, në datën 12 gusht 1991, i kërkova Kryeministrit italian Andreotti një takim urgjent. Më tha se më priste në shtëpinë-studio të tij, në rrugën “Corso Vittorio 326”. I shpjegova gjendjen e mjerueshme të emigrantëve, trajtimet antinjerëzore, që të kujtonin stadiumet e Santiagos në Kili, gjë që më shumë se çdo gjë tjetër, po prishte edhe imazhin e vetë Italisë. Me qetësinë dhe mënyrën e tij të të folurit nëpër dhëmbë, Andreotti më tha se ishin të detyruar t’i kthenin qoftë edhe për të dhënë një sinjal, që kjo punë të mbyllet me kaq, pasi sipas informacioneve që kishin, në Shqipëri po bëheshin grumbullime të tjera me emigrantë për t’u nisur drejt Italisë.

Pas dy ditësh, më 14 gusht 1991, gjatë një interviste në radio (tek emisioni “Anch’io”) Kryeministri Andreotti u shpreh publikisht për gjendjen e vështirë dhe të padëshiruar nga të gjithë, duke shpjeguar se “Provuam shumë trishtim, por duhet të dallojmë mirë çështjet personale nga ato publike. Ne nuk jemi në gjendje t’i vëmë në ngarkim italianëve, pasi ata nuk i dëshironin disa qindra mijëra shqiptarë. Pra, ata që nuk kanë gjetur punë duhet të largohen”.

Andreotti kujtoi se gjatë dyndjes së parë të refugjatëve, ai mori nën kujdes tre shqiptarë. “Unë nuk e bëra për t’u dukur, kur mora tre shqiptarë në ngarkim. Ata do të qëndrojnë këtu edhe për disa vjet. Unë e bëra këtë për të dhënë shembullin tim. Kështu, disa e ndoqën, por shumë pak, rreth 20 vetë. Ne duhet të mësohemi me këtë vend të varfër dhe fqinjë, prandaj duhet të hartojmë një plan ndihmash, qoftë edhe me ndërhyrjen e sektorit privat, pasi të predikosh është shumë e thjeshtë, por t’i bësh gjërat ashtu siç duhet, ndeshesh shpesh herë me shumë vështirësi”.

Si me Andreotti-n, ashtu edhe me Vittorio Parisi-n, pata shumë takime për të trajtuar çështje nga më të ndryshmet që lindnin ato ditë.

Mbas ngjarjes në stadiumin e Barit, qeveria italiane u mobilizua më shumë për ta trajtuar më me seriozitet dhe shqetësim dukurinë e dyndjeve masive nëpërmjet Adriatikut drejt brigjeve të Italisë. Ata e kishin kuptuar se kjo gjë nuk mund të përballohej duke mbrojtur brigjet italiane, por duke e ndaluar këtë dukuri që në Shqipëri. Në ato rrethana, u ngritën grupe pune në nivele të larta qeveritare, pati delegacione të shpeshta që shkonin e vinin, u organizua dërgimi i ndihmave, u vendos bashkëpunimi midis dy policive etj. Mbas kësaj, kalimi i Adriatikut nuk do të konsiderohej më si një sakrificë për një jetë më të mirë, por do të trajtohej si një emigracion i paligjshëm.

Më 13 gusht 1991, në mënyrë të papritur, Presidenti Cossiga ndërmori një udhëtim në Tiranë, ku u takua me homologun shqiptar Ramiz Alia dhe autoritetet e tjera të nivelit të lartë, në prani të mediave të shumta vendase e të huaja. Në këtë vizitë, Cossiga kishte marrë me vete ministren Boniver. Cossiga kishte kohë që kishte planifikuar vizitën e tij në Shqipëri. Këtë ma thoshte pothuaj sa herë që kisha rastin për t’u takuar me të. Por mëngjesin e datës 13 gusht, pas disa komunikimeve me Tiranën, rreth orës 11, avioni presidencial italian u nis nga Roma dhe mbërriti në Tiranë rreth orës 12:50. Për rreth 4 orë e gjysmë ai pati takime me pothuajse të gjithë personazhet politike në Tiranë, përfshirë edhe Ramiz Alinë, gjatë drekës së shtruar prej tij në Pallatin e Brigadave.

Mesazhet e miqësisë dhe solidaritetit që përcillte vizita dhe mënyra se si u realizua ajo ishin kuptimplotë. Këtë e shprehu edhe vetë Presidenti Cossiga përballë gazetarëve: “Vendimin për të ardhur në Shqipëri e mora sot në mëngjes, duke thyer protokollin, por në solidaritet me popullin shqiptar”. Ai shprehu keqardhjen për gjendjen e vështirë që u krijua në të dy vendet tona, nga dyndjet masive të shqiptarëve drejt brigjeve të Italisë dhe për vështirësitë e vetë refugjatëve. “Por Italia është e papërgatitur, nuk ka infrastrukturën e duhur për të përballuar këtë dyndje kaq të madhe. Me ankthin tonë të përbashkët po merren të gjithë, si shtypi shqiptar dhe ai italian, po ashtu edhe ai europian. Erdha këtu, jo për t’ju mësuar se çfarë duhet të bëni, por për të njohur nga afër gjendjen. Ndryshimet e mëdha në Europë sollën edhe dukuri negative, pasojat e të cilave po i ndjemë edhe në Itali. Emigracioni nuk është zgjidhja e problemeve që ka Shqipëria. Vizita ime është një shprehje e solidaritetit dhe e miqësisë me popullin shqiptar dhe me Shqipërinë”.

Presidenti Cossiga vazhdoi të shpjegojë me mënyrën e tij, se si erdhi në këtë vizitë të papritur, për të treguar miqësinë dhe lidhjet tona të ngushta: “Nuk është vizitë zyrtare, në përgjigje të ftesës së hershme të Alisë. I mora leje Presidentit sot në mëngjes dhe erdha. Ndodhemi para një eksodi masiv të shqiptarëve, që na ka vënë të gjithëve në vështirësi. Aktualisht Italia nuk është në gjendje të përballojë dukuri të tilla, nuk ka infrastrukturën e nevojshme. Jemi përballë një gjendjeje komplekse nga pikëpamja kulturore e psikologjike. U detyruam të sprapsim këtë eksod të dytë. Po ta lejonim, do të jepnim përshtypjen e gabuar se kjo është rruga për daljen nga vështirësitë”. Më tej ai vazhdoi të shpjegonte se çfarë po bënte Italia në ndihmë të vendit tonë.

Edhe Ramiz Alia nga ana e tij deklaroi se kjo vizitë lidhej edhe me eksodin e ditëve të fundit, që është një ndodhi e padëshirueshme për të dy vendet tona fqinje. Ai vlerësoi qëndrimin e qeverisë italiane dhe të presidentit Cossiga, për kujdesin e treguar ndaj emigrantëve shqiptarë. Janë dukuri që shoqërojnë këtë fazë të vështirë për Shqipërinë, që po ndryshon sistemin ekonomik, social e politik, për të kaluar në ekonominë e tregut e të privatizimit. Italia, si një vend mik, po jep ndihmesën e saj të pakursyer. Alia vlerësoi ndihmën dhe mbështetjen e Italisë për Shqipërinë, si ndihma e vetme deri në atë kohë. Alia nuk la pa përmendur edhe gjendjen e rajonit, krizën jugosllave, si dhe mundësinë e konfliktit midis serbëve dhe tre milionë shqiptarëve të Kosovës.

Historinë e emigracionit shqiptar drejt Italisë nuk do ta konsideroja të përfunduar, në qoftë se nuk do thosha edhe dy fjalë mbi ecurinë e mëtejshme të këtij procesi, deri në ditët tona.

Me kalimin e kohës, emigrantët shqiptarë, pasi kaluan fazën e parë të hutimit, që vinte nga mosnjohja e vështirësive, rregullave dhe ligjeve të forta, që mbajnë në këmbë një sistem të ngritur mbi pronën private dhe ekonominë e tregut, arritën të kapërcejnë vështirësitë, të fitojnë admirimin e punëdhënësve të tyre, në sajë të punës së palodhur. Ata arritën të integrohen në shoqërinë italiane shumë shpejt. Shumë prej tyre sot janë bërë pjesë e integruar në shoqërinë italiane, duke luajtur një rol të ndjeshëm në zhvillimin e saj.

Mbas vitit 2000 vajta në Itali disa herë, për të parë dy djemtë e mi, që studionin në Universitetin e Parmës. Gjatë kthimit me traget për në Durrës, takoja mjaft të njohur, që shkonin e vinin në Itali, për punë të ndryshme, tregti, studime etj. Shumica e pasagjerëve ishin emigrantë, që mbasi kishin kaluar eksperiencën e tyre të refugjatit, ktheheshin në mënyrë të natyrshme në vendin e tyre. Kishte edhe studentë që mbasi kishin mbaruar studimet, pavarësisht nga ofertat për të qëndruar në Itali, ktheheshin në Shqipëri, për të ngritur jetën e tyre; midis tyre edhe dy djemtë e mi, që sot jetojnë e punojnë në Shqipëri. Po realizohej kështu një nga elementët themelorë në rrugën e gjatë të proceseve integruese: ajo e integrimit njerëzor, që do t’i paraprinte programeve dhe premtimeve të politikës, si dhe akteve formale të nënshkrimit të tyre mes qeverive.

Për fat të keq, historia e largimeve të shqiptarëve nga vendi nuk u mbyll me aq. Nga viti 1992 deri në vitin 1997, përjetuam të gjithë kaosin e krijuar në Shqipëri pas gjithëpërfshirjes në firmat piramidale. Nën psikozën masive, për të fituar para jashtë çdo norme fitimi, të gjithë vraponin me entuziazëm për të dorëzuar kursimet e tyre me vullnet të plotë në skemat piramidale. Gjatë asaj kohe ndodhën shumë dukuri: gëzimi i atyre që filluan të parët, indiferenca dhe joshja nga ana e autoriteteve zyrtare dhe më pas zhgënjimi, kërkimi i përgjegjësisë te të tjerët, nervozizmi dhe revolta.

Ndryshimi midis këtyre dy dukurive krejt shqiptare është se në rastin e parë të gjithë vraponin drejt Italisë, ndërsa në rastin e dytë erdhi Italia në Shqipëri, për të vënë rregull në brigjet tona nëpërmjet operacionit “Alba”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura