Ambasadorët, flet Dritëroi: Kisha si Byroja e PPSH, Zhiti të shkojë në Vatikan

Feb 11, 2015 | 8:47
SHPËRNDAJE

E PLOTE/ Shkrimtari i njohur mbështet kandidaturën e Visar Zhitit për ambasador në Vatikan, ndërsa e sheh të pavend ndërhyrjen e përfaqësuesit të Kishës Katolike. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, patriarkut të socialistëve qëndrimi i Kishës i ngjason me atë të Byrosë Politike të Partisë së Punës, e cila komandonte çdo emërim dhe lëvizje, ndërsa i kujton se Shqipëria është shtet laik.

VISAR ZHITI DJE NE KOMISIONIN E JASHTEM (MAJTAS) DRITERO AGOLLI

Sipas tij, këto qëndrime na kthejnë në Mesjetë, kur Kisha sundonte mbi gjithç- ka…

Sekretari i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, e ka cilësuar jo të përshtatshëm kandidaturën e poetit Visar Zhiti për ambasador në Vatikan, me pretendimin se nuk është i fesë katolike. Si e vlerë- soni këtë klasifikim?

Në radhë të parë, Kisha nuk duhet të jetë në pozicionin që të vendosë ajo se cili duhet të shkojë ambasador dhe cili nuk duhet të shkojë, se çfarë profili duhet të ketë ambasadori që ne dërgojmë në Vatikan. Këto janë marrëdhënie shtetërore dhe institucionet fetare nuk mund të jenë përcaktuese dhe aq më keq kushtëzuese në këto marrëdhënie. Se në të kundërt, i bie që Kisha të marrë funksionet që kishte në Mesjetë, sepse në atë kohë Kisha komandonte për çdo gjë.

A bie ndesh kjo me Kushtetutën e vendit që e ndan shtetin nga feja?

Sigurisht që prek Kushtetutën e vendit, sepse Shqipëria është shtet laik dhe nuk e përfshijmë fenë në punët e shtetit. Logjika e përfaqësuesit të Kishës Katolike nuk qëndron, pasi ai harron se vendet myslimane që kanë marrëdhënie diplomatike me Vatikanin nuk kërkojnë katolikë që të përfaqësohen në Vatikan. Nëse Vatikani nuk vendos marrëdhënie diplomatike me vendet myslimane, nuk kishte nevojë që Vatikani të ekzistonte si shtet dhe të hynte në marrëdhënie me këto vende.

Mos kemi të bëjmë me tejkalim të kompetencave të klerikëve që flasin në emër të besimit?

Në fakt, priftërinjtë dhe hoxhallarët tanë ndërhyjnë shpesh vend dhe pa vend, edhe atje ku nuk u takon dhe ku nuk janë punët e fesë. Në të shkuarën, ndërhyrjet kanë qenë dhe të llojit pse e ke venë një hoxhë apo një prift personazh të dramës tënde! Me pak fjalë, ngjajnë me anëtarët e Byrosë Politike që nuk lejonin të futeshin si personazhe të dramës ai personazh që kishte menduar autori i veprës. Me këtë rast, më duket sikur ka ikur Byroja Politike e Partisë së Punës dhe tani ka ardhur Byroja Fetare, e cila vendos edhe për shkrimtarët se si duhet që hoxha ose prifti të jenë heronj pozitivë etj. se çfarë duhet të bëjnë shkrimtarët dhe çfarë nuk duhet të bëjnë, ku duhet të shkojnë e ku di unë tjetër… Unë them që ne nuk jemi shtet fetar, sepse me këtë qasje po na trajtojnë si shtet islamik.

Cili është vlerësimi juaj për kandidaturën e Visar Zhitit si ambasador në shtetin e Vatikanit?

Visar Zhiti është shkrimtar i shquar, poet i ndjerë, i cili për vetë krijimtarinë ka më shumë lidhje me spiritualin dhe me Zotin dhe nuk mund ta komentosh si mysliman, siç ka dashur ta quajë përfaqësuesi i Kishës Katolike. Por Visari ka qenë edhe atashe kulturor në Itali dhe ka përvojë në punët diplomatike, është marrë me jetën e Vatikanit dhe njerëzve të shquar të tij, ka shkruar për Nënë Terezën. Visari ka shumë kontribute që nuk mund t’ia hedhë njeri me një deklaratë. Madje, ai duhet trajtuar si pishtar i fjalës së lirë dhe sepse ka qenë i dënuar politik dhe kjo në postin e ambasadorit shqiptar në Vatikan i jep atij më shumë vlera. Por unë shoh një dobë- si të politikës sonë, e cila sillet si e ndarë, ndërsa duhet të jetë e bashkuar ndaj këtyre kandidaturave si Visari. Madje, edhe në ndarjen e ndihmave për zonat e përmbytura qeveria dhe opozita shkojnë të ndara. Përshëndes Komisionin e Jashtëm që ka qenë i unifikuar në mbështetje të kandidaturës së Visar Zhitit dhe i kërkon Presidentit që ta dekretojë atë ambasador në Vatikan.

Mos ndoshta kandidatura e Visar Zhitit është gjendur në mes të përplasjes mes Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit, pasi kreu i shtetit është shprehur se nuk kanë pasur konsultime?

Nuk mund të them asgjë, se këto janë punë të tyre.

ARISTIR LUMEZI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura