“Ambasador Zeneli arriti të zbuste incidentin me Papulias”/ Dajo: “Miqësi e trazuar” vjen si një dëshmi e kujdesshme e marrëdhënieve me Greqinë

May 5, 2021 | 10:18
SHPËRNDAJE

zeneli-papulias1Sot, pranohet pothuajse unanimisht se Bashkim Zeneli ishte ambasadori me ndikimin më të madh në realitetin grek, i cili nuk u pajtua me mentalitetin se Greqia ishte një vend i vogël krepuskolar dhe intolerant. Përkundrazi, Greqia me syrin e diplomatit shqiptar na shfaqet si një vend mikpritës, e prirur pozitivisht për të ndërtuar marrëdhënie të barabarta mes dy shteteve dhe miqësi vëllazërore mes dy popujve.

Nesër mbushen 50 vjet ( 6 maj 1971 ) nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Greqisë. Është kjo një ngjarje historike për popujt dhe vendet tona mike dhe fqinje. Diplomati i mirënjohur, ambasadori Bashkim Zeneli, “Mjeshtër i Madh”, në librin e tij “Miqësi e trazuar – Greqia ne kujtimet e ambasadorit”, botim i UET PRESS, flet si pak kush me dashuri për popullin grek, për kulturën e tij të lashtë, për miqësinë midis dy popujve dhe dy vendeve tona dhe nevojën e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të bashkëpunimit e miqësisë…

Libri i ambasadorit Bashkim Zeneli është pritur me një vlerësim të veçantë në Shqipëri, por edhe në Greqi. Në këtë kuadër profesori, studiuesi dhe përkthyesi i njohur, Stavri Dajo, doktor i shkencave të Historisë në Universitetin “Aristoteli” të Selanikut na ka dërguar një opinion mbi librin “Miqësi e trazuar”, që shërben si një mesazh shumë kuptimplotë në këtë 50-vjetor të këtyre marrëdhënieve…

Stavri DAJO

Doktor i shkencave të historisë të Universitetit “Aristoteli” Selanik

Kohët e fundit kanë qarkulluar librat memorialistikë “Miqësi e trazuar” (botim i UET PRESS, Tiranë, 2018) dhe “Një miqësi e vështirë” (Shtëpia Botuese Naimi, Tiranë, 2020) të dy ambasadorëve shqiptarë në Greqi, respektivisht me autor Bashkim Zenelin (2002-2006) dhe Ksenofon Nushin (1982-1988). Përmendur edhe librin e Eqrem bej Vlorës “Kujtime, 1885-1925”, autori i të cilit shërbeu si ambasador në Greqi me një mandat afatshkurtër (1929-1930), por që libri i tij nuk mbulon përudhën e misionit të tij diplomatik në Greqi, libër tjetër të këtij zhanri dhe me këtë objekt trajtimi nuk kemi.

Edhe pse të dy librat kanë si kryefjalë “miqësinë”, këndvështrimi i tyre për misionin, etikën, protokollin dhe praktikat diplomatike, deri te gjuha e përdorur, është i përkundërt. Paçka se u përkasin dy periudhave të ndryshme historike –Nushi periudhës së Luftës së Ftohtë– Zeneli periudhës së zhvillimit demokratik të Shqipërisë–, koncepti i ushtrimit të detyrës ndryshon katërçipërisht.

Libri i Bashkim Zenelit qarkulloi dy vjet pas botimit të librit të tij “Për Gjermaninë” (Tiranë, 2016) që trajton periudhën e mandatit të tij si ambasador në Gjermani ku u pa profesionalizmi dhe përgjegjshmëria qytetare e autorit për detyrën dhe të drejtat e vendit të tij, por edhe saktësia dhe kredibiliteti i informacionit që i përcjell lexuesit, vetitë e tij si gazetar me përvojë, politikan mendjegjerë, diplomat i matur, por, më së pari, i ndërgjegjshëm për detyrat e tij publike.

Mandati diplomatik i Bashkim Zenelit në Greqi përkon me një përudhë të ngjeshur në ngjarje në të dy vendet –në vendin amë dhe në atë pritës– dhe kualifikohet si periudha më e dobishme dhe më dobiprurëse në relacionet politike dhe diplomatike mes Tiranës dhe Athinës. Vet Bashkim Zeneli pohon se marrëdhëniet midis dy vendeve nga Kryeministri grek Kostas Simitis dhe Fatos Nano patën qenë vlerësuar se model bashkëpunimi në Ballkan. Greqia me qeverinë e majtë të Kostas Simitis (karakterizuar si qeveri e modernistëve) kalonte një periudhë euforie të papërmbajtur, vendi i takonte tashmë zonës së monedhës së fortë të Euros, ekonomia njihte një lulëzim të paparë, që mund të krahasohet me bumin ekonomik të viteve 1950, me një stabilitet të madh politik dhe kjo favorizonte mijërat e emigrantëve shqiptarë, të cilët kishin akaparuar 2-3 vende pune. Por dhe pas zgjedhjeve të 7 marsit 2004, me ardhjen në pushtet të qeverisë së djathtë të Kostas Karamanlis, politika greke mbeti e pandryshuar, politikë e mbështetjes pa rezerva të Shqipërisë, jo vetëm për të zgjidhur vështirësitë e saj të brendshme, por dhe suportim në orientimin e saj evropian. Të dy kryeministrat Nano-Karamanlis zhvilluan marrëdhënie frytdhënëse bashkëpunimi, mirëbesimi dhe përgjegjësie.

Shqipëria, më anë tjetër, përpiqej të mëkëmbej nga trazirat e përgjakshme të viteve 1996-1997 dhe të gjente ekuilibrin politik, por dhe kompromisin e nevojshëm social, të zgjidhte problemet ekonomike, për shkak të kolapsit të skemave piramidale dhe korrupsionit politik rrënjështrirë në administratën e lartë qeveritare, çka përcillte me gjuhë agresive publicistika e kohës. Në një farë kuptimi, Greqia përbente një mbështetje vitale (ekonomike dhe politike) në atë tranzicion të mundimshëm dhe tejet të vështirë, pas daljes nga sistemi totalitar dhe turbullirat dhunshme të përgjakjes civile. Dhjetëra shqiptarë, të plagosur ose të rrënuar, kaluan kufirin, u rehabilituan ose u mjekuan në spitalet e Janinës dhe Selanikut në një valë të dytë emigrimi, pas valës së parë të viteve 1991-1992. Greqia tregoi një humanizëm prekës e solidarësi vëllazërore në situata emergjente dhe kjo diktohej jo vetëm nga kultura e lashtë mikpritëse, nga mentaliteti human i popullit grek, por edhe nga miqësia e lashtë e dy fqinjëve, e cila qëndronte mbi spekulimet politike, mendësitë e ngushta nacionaliste e fetare të krerëve ekstremistë.

Bashkim Zeneli mbërriti në Athinë në nëntor 2002, kohë kur detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme e ushtronte, deri në verën e vitit 2003, Ilir Meta dhe u largua në shkurt 2006, pasi në zgjedhjet elektorale të 3 korrikut 2005 Partia Socialiste humbi garën dhe emërimi i tij u cilësua partiak. Në vijim, Bashkim Zeneli u largua dhe nga shërbimi diplomatik, për të cilin autori shpreh pakënaqësi dhe keqardhje në fund të librit.

Autori në vitin 1990 me cilësinë e gazetarit të “Radiotelevizionit Shqiptar” pati qenë për herë të parë me një grup kineastësh në Greqi ku iu dha mundësia, mes të tjerash, të bisedonte në spital dhe në shtratin e vdekjes me poetin Giannis Ritsos, i cili në grahmat e fundit i predikoi tolerancë dhe marrëdhënie të mira midis dy popujve. Ishte si një amanet nga një personalitet që nderohej në të dy vendet.

Sipas rrëfimit të autorit, dy ishin objektivat themelore të misionit të tij në Athinë: Kapërcimi i stanjacionit në zhvillimin e marrëdhënieve dhe dalja nga amullia diplomatike, domethënë riaktivizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve pas ngjarjeve të pikës kufitare të Peshkëpisë (Prill 1994) dhe gjyqit të Omonoias (gjashtëmujori i dytë 1994) dhe kujdesi për emigrantët shqiptarë ardhur në Greqi, pas fluksit të dytë (1997-1998).

Marrëdhëniet ndërshtetërore

Sipas mendësisë diplomatike të Bashkim Zenelit t’i shërbesh vendit tënd si diplomat do të thotë në radhë të parë të miqësosh popujt, që ata të duan njëri-tjetrin dhe të jetojnë përherë në paqe, harmoni dhe mirëkuptim. Kjo mund të realizohej, thotë, duke vendosur marrëdhënie korrekte dhe mirëbesimi me udhëheqjen qeveritare greke në arritjen e marrëveshjeve të ndryshme bashkëpunimi, nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, duke u përkujdesur për mbrojtjen e të drejtave të emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, për integrimin e tyre normal në shoqërinë greke, dy faktorë kyç dhe rregullatorë me përfitim të ndërsjellë. Që të arrihet kjo, vijon ai, diplomatët duhet t’i kenë drejtuar sytë kah e ardhmja. Përvoja historike ka treguar se recidivizmi i historisë dhe sidomos i ngarkesave të saj toksike nga politikanët dhe diplomatët –sidomos nga diplomatët– që kaq shumë punë u kanë prishur vendeve të Ballkanit, i duhet lenë në kompetencë shkencëtarëve të historisë.

Greqia si vend i vjetër i BE-së gëzonte një prestigj më të madh diplomatik dhe politik. Kjo ndihmoi që gjatë kësaj kohe Greqia dhe Shqipëria të përfshihen në një program europian mjaft produktiv dhe dobisjellës të bashkëpunimit ndërkufitar, interes me financime nga fonde komunitare, i cili u diskutua në takimin e Fatos Nanos me Kostas Karamanlis në Athinë më 4 maj 2004. Në suazë të këtij programi u ndërtuan shumë vepra në zona ndërkufitare në jug të vendit me përftimin të dukshëm dhe për palën shqiptare, si partnere.

Për këtë qëllim, Bashkim Zeneli krijoi marrëdhënie korrekte jo vetëm protokollare, por edhe shoqërore jashtëprotokollare me faktorë politikë dhe personalitete me ndikim në Greqi, të cilët predikonin frymën e tolerancës, të bashkëpunimit dhe të miqësisë. Të tillë përmendën ish-Presidenti Karolos Papoulias, i njohur si protagonist i hapjes së Kakavijës (janar 1985), ish-ministri pa portofol Mikis Thedorakis, muzikologu Geogos Leotsakos(i cili pat vizituar Shqipërinë i ftuar nga Akademia e Shqipërisë që në vitet ’80), shkrimtarë, artistë, gazetarë të mirënjohur grekë, etj. Ndër ta dallon Mikis Theodorakis, njohja me të cilin, thotë autori, e ka bërë që ta dojë edhe më shumë popullin grek.

Diplomati Bashkim Zeneli pohon pa asnjë ekuivok: Gjatë viteve të mia në Greqi kam ndier nga afër mbështetjen e veçantë të Greqisë në rrugën dhe aspiratën euroatlantike të Shqipërisë. Greqia ka qenë gjithmonë dhe mbetet e paluhatur në krah të Shqipërisë.

Por, këto nuk u arritën pa përpjekje dhe pa keqkuptime. P.sh. një rast i tillë ai përmend takimin e anuluar nga Presidenti grek Karalos Papoulias me homologun e tij Alfred Mojsiu në tetor 2005 në Sarandë, për shkak të një demonstrimi nga një turmë njerëzish për çështjen çame, cilësuar nga pala greke, si akt provokues. Anulimi i takimit mund të interpretohej me tendencë nga media –në disa raste u interpretua kështu– dhe mund të shkaktonte sedimentimin e marrëdhënieve, por falë një trajtimi të kujdesshëm në prapaskenën diplomatike dhe në sajë të vullnetit të mirë të dy burrave të shteteve, të cilët çmuan se marrëdhënie mes popujve dhe vendeve dhe miqësia e tyre kanë vlerë më të çmuar e cila nuk duhej sakrifikuar për dëshirat e një pakice njerëzish, ngjarja nuk la pasoja.

Marrëdhënie korrekte bashkëpunimi Bashkim Zeneli mbante dhe me homologun e tij grek në Tiranë Pantelis Karkampasis, i cili dhe ai mbronte me zell dhe me ngulm interesat dhe të drejtat e shtetit të tij, sidomos mbrojtjen e të drejtave etnike të minoritetit grek në Shqipëri.

Emigrantët shqiptarë në Greqi

Në fillim të vitit 2000 në Greqi, sipas statistikave, gjendej një numër i luhatur shqiptarësh prej 800.000 vetash, organizuar në njëzet shoqata, federata, klube, shpërndarë në të gjithë territorin grek, zënë pothuajse në ekonominë bujqësore dhe në ndërtim, 75-80.000 nxënës shqiptarë ndiqnin arsimin parauniversitar në shkollat greke, 500 studentë studionin në universitete publike greke dhe disa qindra në kolegje private. Ky komunitet përbën një kapital të çmuar intelektual dhe shpirtëror (dhe) për vendin amë.

Në shërbim të tyre ambasada duhej të ezauronte veprime ordinere konsullore (legalizime dokumentesh), të cilat në vitin 2005 arritën në 126.000 praktika, pra më shumë se 550-600 veprime në ditë, një vëllim i madh pune burokratike, që krijonte vështirësi dhe nuk linte shteg për aktivitet të mirëfilltë diplomatik. Vështirësi të mëdha të karakterit administrativ (thënë ndryshe europian) që rridhnin nga shtrëngesa e udhëzimeve europiane për emigracionin dhe refugjatët në një kuadër ligjor ende të paqartë, e bënin më të ndërlikuar rehabilitimin e shqiptarëve, por sidomos lëvizjen e tyre të lirë në pikat kufitare. Greqia ishte ndër vendet e para që liberalizoi lëvizjen emigrantëve shqiptarë me dokumente të mangëta. Dhe kjo arritje e jashtëzakonshme për kohën, bazuar në vullnetin politik, e cila shënoi pikënisjen e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave në kufi, i dedikohet më së shumti punës këmbëngulëse të Bashkim Zenelit dhe marrëdhënieve miqësore që ai pat krijuar me autoritetet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Greqisë.

Politika greke, sikurse politika migratore e të gjitha vendeve anëtarë të BE-së, favorizon integrimin e emigrantëve shqiptarë, pa qenë aspak përjashtuese dhe pa u mohuar atyre të drejtën të ruajnë dhe të përdorin gjuhën e tyre amtare, pohon Bashkim Zeneli. Çdo qasje tjetër do të çonte në krijimin e getove dhe të ishujve socialë të shkëputur nga shoqëria greke, nga aktiviteti ekonomik dhe nga jeta publike. Praktika botërore e emigracionit ka treguar se emigrantët kanë vlerë (dhe) për vendin e tyre vetëm kur të jenë integruar plotësisht në vendin pritës si qytetarë të denjë dhe pjesë e indit shoqëror të tij.

Por, edhe në këtë aspekt pati pengesa. Disa krerë shoqatash kërkonin me tërsëllëm nga shteti shqiptar që të ushtronte presion tek shteti grek që të hapeshin vetëm shkolla shqipe enkas dhe vetëm për nxënësit shqiptarë, kinse se na u “asimiluakan fëmijët, na u greqizuakan dhe harruakan gjuhën e vendit amë”. Bashkimi Zeneli, pa mohuar të drejtën për të ruajtur dhe përdorur gjuhën amtare, e gjykoi të gabuar këtë qasje dhe histeri se për nxënësit shqiptarë shpërndarë në gjithë Greqinë do të duheshin 300-400 shkolla të tilla (!) dhe ajo që ishte më themelorja me këtë yrysh po nxitej një projekt absurd për të krijuar “ishull arsimor” që do të sillte një izolim total të fëmijëve shqiptarë nga dija dhe nga tregu i punës. Për ku destinoheshin këtë fëmijë të izoluar?

Sot, pas 30 vjetësh qëndrimi e punësimi në Greqi, mijërat e emigrantëve shqiptarë shprehin mirënjohje të përligjur ndaj Greqisë dhe këtë mesazh mirënjohjeje e shpreh pa ekuivokë dhe ambasadori shqiptar. Më anë tjetër, populli grek dhe administrata e çmon realisht kontributin e tyre pozitiv në Greqi, një kontribut, sipas ish-Kryeministrit grek Kostas Karamanlis i çmuar në jetën dhe ekonominë greke, por edhe në zhvillimin e Shqipërisë.

Në këto 30 vjet u kalit një bashkëjetesë shembullore midis komuniteti shqiptar dhe popullit mikpritës grek, bashkëjetesë e cila nuk mund të krahasohet me asnjë komunitet tjetër ardhës në Greqi. Dhe kjo arritje i dedikohet tolerancës së dyanshme. Për të qenë të paanshëm e të drejtë duhet të kujtojmë se komuniteti migrator shqiptar në Greqi prej më së një milion emigrantësh që ka ardhur fillimisht ose është gjendur kohë pas kohe dhe 500.000 të instaluar përfundimisht në Greqi, është më i madhi në numër historikisht, pas 1.250.000 refugjatëve grekë të Azisë së Vogël, ardhacakë të viteve 1920. Për analogji, është sikur në njëzet vjet Franca të ketë pritur 8.000.000 marokenë! Nuk dua të mendoj se çfarë mund të ndodhte në Francë në një gjasë të tillë. Është i vetmi grup i madh i popullsisë që nuk mbeti një ishull shoqëror dhe nuk krijoi geto, bashkëjetesa me popullsinë greke përbën shembull.

Pra, mund të thuhet pa frikë, se Greqia përbën një terren të shkëlqyer integrimi social për ardhacakët, i cili mund të krahasohet vetëm me atë të SHBA-së. Megjithëse ortodoksia është një faktor i dalluar i kombësisë, ajo nuk funksionoi kurrsesi si një “koercion fetar”. Bile, referuar statistikave të sotme greke shqiptarët rezultojnë si komuniteti që ka përfituar më shumë nga politika e dhënies së shtetësisë greke me natyralizim shtetasve të huaj. Konkretisht, në vitin 2017 përfituan shtetësi greke 2.117 shqiptarë të grupmoshave të rritur ose 60,78% të shumës së përgjithshme prej 2.528 të rasteve të dhënies së shtetësisë për të gjithë të huajt dhe 19.569 shqiptarë me lindje ose me arsimim në Greqi, ose 92,07% të shumës së përgjithshëm prej 24.785 të rasteve të dhënies së shtetësisë për të gjithë të huajt.

Ndërsa statistikat respektive për vitin 2018 janë: përfituan shtetësi greke 1.640 shqiptarë të grupmoshave të rritur ose 64,87% të shumës së përgjithshëm prej 3.483 të rasteve të dhënies së shtetësisë për të gjithë të huajt, dhe 22.820 shqiptarë me lindje ose me arsimim në Greqi, ose 91,90% të shumës së përgjithshëm prej 21.294 të rasteve të dhënies së shtetësisë për të gjithë të huajt. Statistikat respektive për vitin 2019 janë: përfituan shtetësi greke 1.220 shqiptarë të grupmoshave të rritura ose 64,82% të shumës së përgjithshëm prej 1.882 të rasteve të dhënies së shtetësisë për të gjithë të huajt, dhe 11.755 shqiptarë me lindje ose me arsimim në Greqi, ose 91,35% të shumës së përgjithshëm prej 12.868 të rasteve të dhënies së shtetësisë për të gjithë të huajt. Në këtë përqasje statistikore nuk përshijmë homogjenët grekë ardhur nga Shqipëria, si një kategori tjetër. Nuk do të ishte e pasaktë, pra, në qoftë se do ta cilësonim këtë politikë, politikë favorizuese për shqiptarët ardhës në Greqi.

Por dhe kjo arritje nuk ishte as e lehtë dhe as e menjëhershme. Në vitet e para pati fërkime që rridhnin nga përfytyrimi i gabuar që kishin dy komunitetet për njeri tjetrin, nga modelet (negative) standarde që mbijetonin si mbetje atavike, por edhe nga gjenerimi që u bënin në mënyrë spekulative një pjesë e medias në të dyja anët. Një rast i tillë ishte ajo e vrasjes së të riut shqiptar Gramoz Palushi, viktimë e histerisë dhe fanatizmit të tifozërisë, por që u administrua me gjakftohtësi dhe objektivitet nga të dy palët, pa ngarkuar me faj kolektiv gjithë komunitetin e ishullit Zakinthos dhe pa u përshkallëzuar incidenti, pa u agravuar në fanatizëm qorr nacionalist me akte hakmarrëse. Vepra penale u krye më 4 shtator 2004 pas ndeshjes së ekipeve përfaqësuese të futbollit të dy vendeve që pat mbaruar me fitoren e skuadrës së Shqipërisë. Shqiptarët e Zakinthos dolën rrugëve për të festuar fitoren dhe kjo u quajt akt provokues që armatosi me urrejtje një të ri grek, i cili i mori jetën të riut shqiptar.

Në mandatin e tij diplomatik Bashkim Zeneli u ndesh me probleme të mprehta dhe të vështira për t’u zgjidhur, jo të natyrës së veprës penale, por që lidhen me mentalitete të ngushta. Një problem i tillë ishte reagimi negativ i një pjese të shoqërisë civile të Greqisë marrë shtysë nga deklarata të disa krerëve të pushtetit lokal dhe të kishës në Selanik për nxënësin shqiptar Odise Cenaj, i cili për përparimin e shkëlqyer në mësime i takonte të ishte flamurtar në parakalimin nxënësor. Por, kundër këtij nderimi u shprehën me fanatizëm fetar një pjesë e kolektivit të shkollës (këshilli i prindërve), në vitin 2000 dhe 2003 me pasojë krijimin e një pështjellimi të komplikuar në opinion publik, të cilin e zgjidhi vet Odeisa Cenaj duke hequr dorë nga të qenit flamurtar në altar të pajtimit dhe të koherencës sociale të bashkësisë së vogël në Michaniona të Selanikut, një akt maturie të cilin e vlerësoi dhe ambasadori i vendit të vet si veprim kundër intolerancës.

Më anë tjetër, dy muaj më vonë, më 16 dhjetor 2004, dy pengmarrës shqiptarë rrëmbyen një autobus të linjave urbane të Athinës dhe me kërcënimin e armëve kërkuan që autobusi t’i çonte në stacionin kufitar të Kakavijës dhe shteti grek t’u jepte një milion euro ose t’u krijonte mundësi që të udhëtonin me aeroplan në Rusi. Incidenti u cilësua si akt terrorist, por edhe kësaj here, falë profesionalizmit të policisë greke, dhe qëndrimit bashkëpunues të ambasadës shqiptare ngjarja përfundoi pa gjak. Autorët u kapën dhe iu dorëzuan drejtësisë, edhe në këtë rast pa agravime të rrezikshme dhe thirrje për hakmarrje.

Ka shqiptarë që janë autorë vrasjesh dhe krimesh të tjera ordinere, por kjo nuk ngarkon me faj kolektiv gjithë komunitetin e tyre. Këtë theksonte shpesh ambasadori shqiptar, por edhe media e shëndoshë greke.

Në vizita të shpeshta në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (burgjet) greke në vitin 2001 Bashkim Zeneli evidentonte 2400 të dënuar shqiptarë ndërsa në vitin 2005 numri i tyre ishte 1846, dënuar për krime ordinere: trafik droge, vjedhje, vrasje, përdhunime. Autorët e krimit sidomos vrasjet, pohon autori, si grekë edhe shqiptarë kryejnë vepra makabre dhe duhen dënuar ashpër. Detyra e shoqërisë civile ishte që këta kriminelë t’i ktheheshin përsëri shoqërisë si pjesëtarë të denjë të saj, por më së pari rastet e tyre të mos bëheshin shembull aktesh hakmarrëse si për komunitetin grek ashtu edhe për atë shqiptar për qytetarët e pafajshëm, nga segmente ekstremistësh.

Marrëdhëniet me median

Media, si pushtet i tretë, ushtron një ndikim të madh në ndërgjegjen shoqërore, sidomos në kohën tonë dhe këtë e kuptonte mirë ambasadori Bashkim Zeneli. Në Greqi kishte gazetarë të ndërgjegjshëm për misionin e tyre, me ndjenjën e përgjegjshmërisë përcillnin kumte dhe mesazhe pozitive dhe dashamirëse, predikonin marrëdhënie që ndihmonin në mirëkuptimin dhe në zgjidhjen e problemeve –pa harrur objektivitetin publicistik– por pati dhe nga ata që në altar të “investigimit të thellë dhe konspirativ”, të sensacionit me tituj bombastikë jepnin një imazh të transformuar shoqëruar me informacion spekulativ. Kjo ndodhte dhe me gazetarë shqiptare –madje më shpesh tek ata– reportazhet e të cilëve në disa raste arrinin kufijtë e shpifjes publike, thotë autori. Qenë vet gazetar, Bashkim Zeneli tregoi kujdes të posaçëm në marrëdhëniet me gazetarët. Ai vlerësoi ndihmesën e tyre, por edhe të shkrimtarëve, artistëve dhe shkencëtarëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, të cilët promovojnë një model tjetër shqiptari. Nga ky komunitet dallohen personalitete që me ndihmesën e tyre si interpretues, përkthyes dhanë një kontribut të vlerë në njohjen dhe transplantimin e kulturave reciproke.

Vlerat e librit

Libri i diplomatit Bashkim Zeneli, në kundërshtim me një pjesë intelektualësh nga Shqipëria –përshirë dhe diplomatë– është një befasi e këndshme, për shkak të një koncepti diplomatik risor, që qëndron disi i distancuar nga rregullat strikte dhe dogmatizmi protokollar, nga metodat e certifikuara dhe praktikat grindavece diplomatike acaruese e shterpe të Luftës së Ftohtë, një patologji që vuante gjithë diplomacia lindore, por që shfaqet jo rrallë si atavizëm edhe sot e gjithë ditën. Dhe kjo është një vlerë e pakontestueshme e këtij libri. Autori veçon si pengesë thelbësore në zhvillimin e marrëdhënieve ftohtësinë dhe skepticizmin e ngulitur shumëvjeçar kthyer në ngërç pengues gati-gati si postulat diplomatik konspirativ një vështirësi e padukshme e zhvillimit të marrëdhënieve për pengesa që në thelb nuk ishin të pakapërcyeshme, por që lypsej vullnet politik dhe guxim diplomatik për t’i tejkaluar, për të ndryshuar me guxim “të qenit pranë njëri-tjetrit” në “të qenit bashkë me njëri-tjetrin”. Këtë skepticizëm absurd, thotë autori e ushqenin “kritikët e tipit të gatshëm e të specializuar që shfaqen si atdhetarë të thekur, vigjilentë dhe parodistë zevzekë, grindavecë provokatorë”, por që nuk kanë mundur dhe nuk do të mundin të cenojnë miqësinë midis dy popujve dhe nuk do t’i pengojnë që popujt të mundin pushtetin e urrejtjes.

Libri ka qasje tërësisht pozitive. Autori është i ndërgjegjshëm se Greqia si një vend vjetër anëtar i BE-së është një partner strategjik i nevojshëm për orientimin evropian të Shqipërisë dhe dy vendet dhe dy popujt duhet të investojnë në marrëdhënie miqësore me përfitim të ndërsjellët si fqinjët më lashtë në gadishull, por dhe si popuj me afërsi më të mëdha racore dhe shpirtërore, një fqinjësi e provuar në sfida historike. Këtë miqësi nuk e gjunjëzuan konjukturat historike as faktorë të tretë negativë.

Bashkim Zeneli nuk kishte hijen e rëndë të drejtuesve aparatçikë të shkollës sovjetike dhe të negativizmit të Molotovit, por funksionoi si një drejtues bashkëkohor i zhdërvjelltë dhe i përgjegjshëm për vendin ku ndodhej.

Libri, pos të tjerash, është dhe një dëshmi dhe evidentim i kujdesshëm i marrëdhënieve mes dy shteteve në vitet 2002-2006, –parë me syrin e një diplomati– një vlerë arkivore për shkencëtarët e historisë, por edhe i erudicionit të gjerë të një ambasadori i cili njeh në detaje kulturën e lashtë dhe bashkëkohore të vendit pritës, emra dhe vepra filozofësh të shumtë, shkrimtarësh, shkencëtaresh, të cilët Greqia i ka shpërndarë në të katër anët e horizontit.

Vlerësimi i ambasadorit

Bash për këto, Bashkim Zeneli, si asnjë diplomat tjetër, u largua nga Greqia i rrethuar nga dashura dhe mirënjohja e mijëra emigrantëve shqiptarë, por edhe nga vlerësimi i administratës greke me të cilën bashkëpunoi në mënyrë korrekte duke mbrojtur me fanatizëm interesat e vendit të tij. Gazeta greke “Eleftherotipia” më 26 mars 2005 shkruante: “Ambasadori shqiptar Bashkim Zeneli për grekët flet vetëm fjalë të mira, ai i përshkruan shumë mirë vlerat humane të popullit grek që besoj se dhe nga goja e një diplomati grek nuk do të artikuloheshin më bukur”.

Ministri i Brendshëm i Greqisë Giorgos Voulgarakis, në emër të qeverisë greke nderoi me “Medaljen e Artë dhe Statujën e Fitores” ambasadorin shqiptar me rastin e largimit nga detyra më 8 dhjetor 2005, ndërsa Kryebashkiakja e atëhershme e Athinës Dora Bakogianni (e cila vetëcilësohej si kryebashkiakja e 200.000 shqiptarëve që jetonin në Athinë, që përbenin 20% të popullsisë së kryeqytetit grek) e shpalli atë “Qytetar Nderi” të Athinës.

Po kështu Presidenti i Republikës së Shqipërisë Alfred Mojsiu e dekoroi me motivacionin “Për kryerjen me përkushtim të detyrës së ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Athinë, frymën konstruktive në trajtimin e marrëdhënieve shqiptaro-greke, për veprimtari të suksesshme në afirmimin e vlerave më të mira të komunitetit shqiptar në Greqi”. Sot, pranohet pothuajse unanimisht se Bashkim Zeneli ishte ambasadori me ndikimin më të madh në realitetin grek, i cili nuk u pajtua me mentalitetin se Greqia ishte një vend i vogël krepuskolar dhe intolerant. Përkundrazi, Greqia me syrin e diplomatit shqiptar na shfaqet si një vend mikpritës, e prirur pozitivisht për të ndërtuar marrëdhënie të barabarta mes dy shteteve dhe miqësi vëllazërore mes dy popujve.

Titulli origjinal i autorit Stavri DAJO, doktor i shkencave të historisë të Universitetit “Aristoteli” Selanik: GREQINË SA MË SHUMË E NJEH, AQ MË SHUMË E DO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura