Ambasada e SHBA-së përsërit apelin për partitë: Largoni të inkriminuarit dhe të korruptuarit

Mar 12, 2015 | 12:41
SHPËRNDAJE

Ambasada e SHBA-së, në vendin tonë përsërit apelin drejtuar partive politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale.

Ambasadori Donald Lu

Në një deklaratë për media, ambasada amerikane, kërkon nga forcat politike të mbështesin punën e Kuvendit për hartimin e legjislacionit për dekriminalizimin.

“Ne përsërisim  deklaratën tonë të 2 marsit dhe nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive, si dhe mbështesim me forcë punën e kuvendit për të hartuar legjislacion në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014”- thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.

Ndërkohë, ambasada, përgënjeshtron listën publikuar dje në disa media, me nëntë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, të cilësuar “non grata” nga ambasada e SHBA.

“Artikulli i botuar, i cili i referohej një liste me nëntë deputetë të Parlamentit që ishin cilësuar “non grata” nga Ambasada Amerikane, është tërësisht një trillim.  Ambasada vëzhgon nga afër çështje që kanë lidhje me krimin dhe korrupsionin në të gjitha partitë politike, por Ambasada nuk e ka krijuar atë listë”- thuhet në deklaratë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura