Ambasada amerikane thirrje prokurorëve të Apelit: Aplikoni për tu bërë pjesë e KLP-së

Sep 28, 2018 | 21:51
SHPËRNDAJE

Teksa afati shkon drejt fundit, Ambasada amerikane në Tiranë u ka bërë thirrje prokurorëve të Apelit, që të aplikojnë për tu bërë pjesë e KLP-së.

“Shqipëria është në prag të krijimit të një sistemi drejtësie që vërtet i shërben interesave të qytetarëve të saj. Iu bëjmë thirrje prokurorëve të ndershëm, patriotë dhe me integritet që të bëjnë përpara dhe t’i shërbejnë vendit të tyre në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Bëhuni pjesë e të ardhmes së Shqipërisë! Aplikoni këtu”, thuhet në një njoftim të ambasadës.

Ngërçi për krijimin e KLP

KLP është një ndër institucionet e reja që pritet t’i japë formë Reformës në Drejtësi në organin e akuzës. Mirëpo, ky këshill rrezikon të ngrihet në vjeshtë, pasi tre kandidatë nga prokuroritë e Apelit nuk kanë mundur do të kalojnë vetingun.

Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë do të jenë 6 anëtarë prokurorë, nga të cilët: 1 anëtar nga Prokuroria e Përgjithshme, 2 anëtarë nga Prokuroritë e Apelit dhe 3 anëtarë nga Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore. Por, pas senacave të vetingut nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, rezultoi se nga kandidaturat e Prokurorive të Apeleve vetëm një prokuror ështe konfirmuar në detyrë.

Dy ditë më parë, kryeprokurorja Arta Marku u ka bërë thirrje Prokurorëve të Apelit të aplikojnë për tu bërë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Tashmë, mbeten 13 ditë nga përfundimi i afatit për aplikim.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura