Ambasada amerikane në Serbi: Takimi në Shtëpinë e Bardhë, lajm i mirë

Aug 14, 2020 | 9:28
SHPËRNDAJE

Ambasada amerikane në Serbi, paralajmërimin për takimin në Shtëpinë e Bardhë e ka quajtur “lajm të mirë”.

ambasada amerikane serbi

“Takimi i liderëve të Serbisë dhe Kosovës në Shtëpinë e Bardhë do ta shtynte përpara dialogun e Brukselit dhe do të sillte më shumë stabilitet në rajon”, ka thënë kjo ambasadë përmes një njoftimi në rrjetin social, Twitter.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë –Serbi, Richard Grenell ka paralajmëruar të premten se liderët e këtyre dy shteteve do të takohen më 2 shtator në Uashington.

Nga pala kosovare, pjesëmarrjen e ka konfirmuar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti i cili tha se në këtë takim do të bisedohet për “projekte madhore të bashkëpunimit ekonomik që do ta ndërrojnë perspektiven ekonomike të Kosovës dhe rajonit”.

Megjithatë, Grenell në postimin e tij në Twitter nuk ka dhënë detaje se për cilat tema do të bisedohet në këtë takim.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se ka mirëpritur organizimin e këtij takimi.

“Mirëpres njoftimin për takimin në Shtëpinë e Bardhë për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë. Ne jemi mirënjohës për dedikimin e madh të SHBA-së për paqe dhe stabilitet në rajon”, ka deklaruar Thaçi përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Ky është takimi i dytë që është organizuar nga Grenell.

I pari, i planifikuar për 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

Megjithatë, dialogu mes këtyre dy shteteve ka rinisur më 16 korrik në Bruksel.

Ky proces, që ndërmjetësohet nga pala evropiane, ka nisur më 2011.

Ai ishte bllokuar nga nëntori i vitit 2018, pasi autoritetet e Kosovës patën vënë taksë në mallrat serbe./REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura