Amaneti i Belishovës: Mos e godisni luftën, edhe pse Enveri e përdori për pushtet

Apr 26, 2018 | 22:13
SHPËRNDAJE

AFRIM IMAJ/ Ishte pasdite e ftohtë shkurti kur bashkë me fotografin e gazetës trokitëm në portën e Liri Belishovës, në katin e tretë të një pallati modest te “Palma e Artë”, buzë Lanës.

liri belishova

E kishim telefonuar një ditë më parë dhe kishim rënë dakord për t’u takuar. Na priti me përzemërsi, megjithëse hezitoi prerë për të dhënë intervistën e kërkuar. “Kam folur boll”,- tha, “në televizor e gazeta, nuk shkon më tej, se bëhem e mërzitshme për të tjerët. Pastaj, ju të ‘Panoramës’, kohët e fundit, e keni tepruar disi me debatin për Luftën Nacionalçlirimtare”.

Në fakt, ato ditë gazeta, duke marrë shkas nga një dokument britanik për Marrëveshjen e Mukjes, i zbuluar rishtazi, kishte risjellë një mori faktesh e dëshmish, që kishin rindezur debatin për përplasjet midis Ballit dhe komunistëve.

“Kanë ndodhur, prandaj dhe i publikojmë”, u mundova të justifikohem unë. “Kanë ndodhur vërtet”,- pohoi ajo,-“ngjarje të padëshirueshme, madje, edhe krime, si rasti i Mehmet Shehut në Lushnjë, që vrau 64 nacionalistë në një ditë. Një pjesë të tyre i kam ditur edhe unë, sepse i kemi goditur si të palejueshme që në atë kohë. Ka pasur dhe të tjera, me të cilat jam njohur pas viteve ’90, por duhet trajtuar me objektivitet, se historia nuk i fal subjektivizmat dhe emocionet e rastit”.

Aty për aty u mundova t’i shpjegoj se raste si ato që tregonte, por dhe shumë të tjerë, të krijojnë përshtypjen e një lufte civile, për të cilën flitej shumë vitet e fundit. Por, ajo m’u kthye prerë: “Në asnjë mënyrë, në asnjë mënyrë nuk duhet të ngatërrohen rastet sporadike me të vërtetat e luftës së shenjtë që bëri rinia shqiptare kundër okupatorit nazifashist”.

“Pra, i mbeteni idesë së turmetuar nga historia komuniste, që e veçon si ngjarjen më të lavdishme të popullit shqiptar”,-e ngacmova unë disi pa takt. “Jo, mor djalë”, ma preu ajo e revoltuar. “Nuk kam qenë kurrë unë me mënyrën si e mitizoi Enveri historinë e luftës për hir të pushtetit, por sakaq nuk jam dakord as me ata që i mohojnë vlerat e qenë- sishme të atij brezi luftëtarësh, që nuk kursyen as jetën për kauzën e lirisë.

Shkurt, të thuash luftë civile, jo vetëm nuk thua të vërtetën, por lëndon edhe plagët e të rënëve. Ata nuk luftuan për komunizmin, bile pjesa më e madhe e tyre as e kishin idenë për të, por për vatanin. Tjetër gjë pastaj si e tradhtoi Enveri idealin e tyre pas luftës”. Aty për aty deshi të shtonte dhe diçka tjetër, por e rrëmbeu kolla dhe nuk mundi ta marrë veten për disa çaste.

“E shikoni, nuk jam mirë fare”,- tha dhe na kërkoi falje, duke na kujtuar se ishte momenti që duhej të shtrihej. “Të lutem një çast”,-ndërhyri Vllasovi, fotografi i gazetës, që deri në atë kohë nuk kishte folur fare. “Ta kemi një kujtim”,-u shpreh ai duke bërë aparatin gati. “E po mirë”-, bëri ajo si me mëdyshje dhe zuri vend në qoshe të divanit.

Sakaq, fotografi u çua në këmbë dhe u afrua të rregullonte diçka, që nuk shkonte në portretin e gruas që pozonte. Liria e kuptoi sikletin e tij dhe i tha se nuk kishte ç’t’i bënte syrit që nuk i dukej mirë.

“Se nuk është syri im, biro, e kam nxjerrë në luftë”,-iu shpjegua ajo. Vllasovi, që e takonte për herë të parë, vështroi një herë nga mua dhe bëri disa shkrepje njëra pas tjetrës. “Rrofsh biro!”,-e falënderoi Liria dhe aty u çuam. Na përcolli deri te porta dhe kur po ndaheshim, na kujtoi dhe një herë merakun e saj për vlerësimin e luftës.

U ndamë atë mbrëmje të ftohtë shkurti me Belishovën, duke menduar të kthehemi sërish, por atë e rëndoi sëmundja dhe nuk mundëm të kontaktonim prapë për të mësuar prej saj ato që na premtoi për raportet me Nexhmije Hoxhën dhe Vito Kapo, dy ish-mikeshat e dikurshme, që nuk u kujtuan kurrë për fatin e saj në vitet kur rropatej në kampet e internimit, por dhe më vonë. Sidoqoftë, nga ai takim, veç atij mesazhi domethënës për luftën, morëm dhe një set fotografish, që do t’i ruajmë si një kujtim të çmuar.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura