Altin Koruti: Si e shijova erosin e ngritur në art te “Penetrimi i shpirtrave”

Jun 25, 2015 | 14:31
SHPËRNDAJE


Është larguar si një djalosh që ende s’i kishte mbushur të 20-at dhe kthehet si një balerin i maturuar, gati një “penetrues shpirtrash”. Kështu titullohet shfaqja e pazakontë bazuar në vargjet e Rita Petros, me koreografinë moderne të Arian Sukniqit. Altin Koruti erdhi në Tiranë me partnere me vete, Aretina Notin, të dy pjesë e trupës së Teatrit Kombëtar të Baletit në Athinë për të demostruar një shfaqje ku shpirti e trupi bëhen një. Për gjithë erosin e transmetuar në publik dhe të gjitha llojet e prekjeve dhe puthjeve që ndodhën në atë skenë, ai flet me gjuhën e artistit.
Në karrierën tënde çfarë ndjesish veçon nga kjo shfaqje e konsideruar e pazakontë?
“Pentrimi i shpirtrave” ishte shfaqja e radhës, e cila erdhi natyrshëm në shoqërinë shqiptare, e pamësuar të shohë koreografi të tilla. Koreografi që u shoqëruan me vargje të dala nga shpirti, mbase të krijuara në çaste idilike, të frymëzuara nga muza reale, të ndërthurura me ndjenja dashurie e faji… E, herë pas here, të rrezikuara nga ndjenja të ndaluara, thirrje nga mëkati…
“Penetrimi i shpirtrave”, titull që të çon në erotikë dhe seks. Si balerin si mund ta penetrosh një shpirt?
Ne balerinët gjithmonë penetrojmë me anë të lëvizjeve, me gjuhën tonë të trupit e shprehitë e fytyrës.
Dukeshe i përfshirë totalisht në aktin skenik. Si e ke përjetuar kënaqësinë e depërtimit në trupin femëror?
Kënaqësi të tilla ne balerinëve na shoqërojnë në çdo shfaqje. Te “Pentrimi i shpirtrave” gërshetimi i lëvizjeve, prekjeve e shikimeve ishte në harmoni të plotë me vargjet sa emocionale, aq edhe erotike.
Si do i përshkruaje femrat në shfaqjen e “sexapeal”-it të tyre skenik?
Femra është qenie e adhurueshme e aq më shumë balerinat. Të tria balerinat kishin veçantitë e tyre, që rrezatonin në të gjitha detajet e shfaqjes. Me lëvizjet e tyre ato të sillnin aq afër erosin, të bukurën, të dëshirueshmen, të ndaluaren e në të njëjtën kohë ishin të prira të të tregonin se çfarë është mëkati. Ndërsa aktorët ishin zëri i lëvizjeve tona. E ku kishte më bukur se penterimi i fjalëve në lëvizjet tona!

Po puthjet lezbike të Olta Gixharit si t’u dukën? Si ndiheni ju meshkujt kur shihni femra që puthen?
Puthjet janë gjithmonë të bukura. S’ka rëndësi kush është marrësi apo dhënësi.
Dukeshit si disa pasionantë të çmendur, që nuk kishin droje për t’ia shfaqur epshin botës. Çfarë ishte perverse në vënien tuaj skenike?
Ne jemi artistë e nuk kemi kufizime në lëvizjet tona. Ashtu sikurse edhe në jetë, edhe ne aktrojmë në skenë. Perversiteti qëndron vetëm në mendjet e sëmura, ku vetëdija mposhtet nga epshi e mishi. Nuk di të kishte momente të tilla në shfaqjen tonë.
Shfaqja është komentuar si provokim seksual në skenë. Në kuptimin artistik, ku njësohen baleti dhe seksi?
Ajo që ndodhi në skenë nuk kishte aspak lidhje me provokime e aq më shumë seksuale. Koreografia është art dhe, si i tillë, ashtu duhet edhe të perceptohet. Pastaj se si njerëzit e kanë shijuar është shumë personale, ndikuar mbase edhe nga eksperiencat e tyre.
Si do e përshkruaje tipin e mashkullit që ti përfaqëson? Si e trajton ai femrën e tij?
Unë përfaqësoj një mashkull tipik, pra atë dashnorin e zjarrtë, të dashurin e zemrës, partnerin posesiv, melankonlikun dhe donzhuanin. Në varësi të situatës, ai femrën e tij e trajton si dashurinë e zemrës, si muzë të epshit të tij, si gruan e jetës, pa të cilën nuk ka kuptim bota etj.
Duhet t’i shërbejë trupi shpirtit për arritjen e dashurisë sublime?
Dashuria sublime është klishe… Nuk e di a ekziston dhe a ka formë reale. Them se dashuria duhet mëkuar si një filiz, e të tregosh sa më shumë kujdes çdo moment, në çdo detaj, në çdo frymëmarrje. Shpirti dhe trupi janë një. Kur fillon t’i trajtosh si të ndarë, bëhen si dy qenie që jetojnë tek i njëjti person. Ndaj mendoj se trupi ushqen shpirtin, i cili mban në formë trupin.
Në këtë shfaqje përforcohet ideja e monogamimë apo poligamisë?
Perceptimi është personal, ashtu edhe këndvështrimi mbi monogaminë dhe poligaminë. E megjithatë, qenia njerëzore është e prirë të kërkojë atë që nuk e ka, atë që i mungon apo atë që ëndërron.
Ku po shkon mashkulli sot, është ai i aftë për t’u kënaqur në maksimum dhe për ta kënaqur femrën?
Mashkulli dhe femra po shkojnë drejt të panjohurës, reales,  ndjenjave, sa të pastra, aq edhe tunduese. Kam kuptuar që femra dhe mashkulli duhet të jenë më mendjehapur e të flasin me njëri-tjetrin. Sa më shumë ta njohësh gjysmën tënde më të mirë, aq më e lehtë është që ta kënaqësh e të të kënaqë deri në çmenduri.

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura