Altin Basha: Qeveria “Portokalli” ndryshe nga politika, s’punon nën diktatin e liderit

Mar 2, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE

Flet regjisori: Në prag të zgjedhjeve lokale, politika do marrë më shumë vëmendje në spektakël

Shumë detaje nga realiteti për t’u menaxhuar, shumë ide për të mos u anashkaluar. Në fund të fundit kjo është puna e regjisorit që ka lidhur jetën me punën e tij e që nuk mund të shkëputet për asnjë moment deri sa gjithçka të jetë gati. Nesër do të shohim në ekran premierën e radhës të show-t “Portokalli”. Regjisori Altin Basha flet për teatrin e ri që ka projektuar, të vërtetat tona  pa kufizime në atë skenë, që vijnë në të gjitha ngjyrat e humorit.    
“Portokalli” po përgatitet për sezonin e ri, që nis transmetimin televiziv më 1 mars. Kjo periudhë e punës pas kamerave si ka qenë për ju?
Siç tashmë dihet, në kohën e pauzës së transmetimeve në “Top Channel”, stafi i “Portokalli” nuk qëndron në “stand by”. Kjo periudhë shërben si kohë reflektimi dhe analize për ndryshimet e mundshme apo përmirësimet e mekanizmave të spektaklit.
E reja e parë e këtij sezoni është një moderator më shumë, Xhemi Shehu. Si do të vijë kjo treshe prezantuesish bashkë me Salsano Rrapin dhe Eneda Tarifën?
“Portokalli” me tre moderatorë nuk është krejtësisht e panjohur, pasi kohë më parë ne kemi pasur po kaq dhe një nga ata ishte Xhemi Shehu. Në analizën tonë rezulton se spektakli mund të dinamizohet më shumë me këtë formulë. Ardhja e Xhemit është një rikthim në fakt dhe jam i bindur në suksesin e kësaj zgjedhjeje, ashtu siç kam qenë edhe për zgjedhjet e tjera.
Do të kemi ndryshime edhe në trupën e aktorëve? Mund të na zbulosh për karakteret e reja që do të hyjnë këtë sezon?
Ne jemi në fazë audicionesh dhe po përfundojmë identifikimin e aktorëve të rinj, që mund të bëhen pjesë e spektaklit. Pa dyshim dhe në këtë proces ka personazhe të reja, të cilët mbetet të provohen me fillimin e sezonit.
Për çfarë fenomenesh do të bëni humor e sarkazëm në show-n e parë të 2015-s? Cila është ngjarja që të ka frymëzuar më shumë si regjisor?
Afrimi i zgjedhjeve lokale e pasuron, e ndez politikën, atmosferën sociale me fenomene të reja. Dhe ne duhet t’u shkojmë pas atyre.
Keni hyrë në dekadën e dytë të “Portokalli”. Në kaq vite si i shmangeni rënies në përsëritje?
Rënia në përsëritje është tipar i amatorëve. Unë drejtoj trupën më profesionale të humorit në Shqipëri. Dhe pa dyshim aftësia për ta mbajtur kaq gjatë në sukses absolut spektaklin ka të bëjë edhe me kujdesin për ruajtjen e programit nga të gjitha rreziqet që sjell konsumi. Vazhdimësia e suksesit tonë është siguruar nga një punë dhe vetëkorrigjim rigoroz në grup, ku të gjithë mbështesin njëri-tjetrin.
Si regjisor i një realiteti skenik ku të vërtetat vijnë ndryshe, në ç’raste bëni autocensurë?
Stafi që drejton spektaklin ka pasur gjithmonë hapësirën dhe lirinë e duhur për t’i prekur dhe parodizuar fenomenet sociale, që shqetësojnë shoqërinë tonë. Asnjëherë nuk kemi pasur kufizime të asnjë lloj natyre për të shprehur opinionet tona. I vetmi kufizim që kemi vendosur në mirëkuptim të gjithë bashkë, është kujdesi me humorin fetar. E kemi konsideruar të jetë kështu dhe mendoj se nuk kemi gabuar.
Brenda “Portokalli” luajnë si në një teatër politikanë, ministra të qeverisë, punonjës  të administratës, e deri te moderatorët dhe artistët. Është e vërtetë që për batutat ju frymëzoheni nga personazhe me ndikim publik dhe është kjo një gjë e mirë?
Jo gjithmonë frymëzimi na vjen nga personazhet publike. Ndonëse ndodh që njerëzit të mendojnë se ky apo ai personazh e ka frymëzimin nga një individ konkret, në shumicën e rasteve ne kapim tipin social dhe e trajtojmë si personazh. Nëse ndodh e kundërta, mendoj se nuk ka asgjë të keqe. Privilegji i statusit të personazhit publik vjen bashkë me detyrimin për të qenë një model real dhe pozitiv për shoqërinë. Unë e konsideroj një dëshmi të pasurisë së spektaklit listën që ju përmendët më lart.
Je ndjekës i vëmendshëm i programeve televizive? Dhe çfarë transmetohet me shumicë në ekranet tona që nuk ka interes për “Portokalli”?
Pa dyshim që jam një ndjekës i vëmendshëm i prodhimeve televizive. Në çdo sezon ne kemi pasur një personazh televiziv të parodizuar. Madje, vazhdimisht kemi mbajtur qëndrimet tona ndaj fenomeneve të ndryshme të televizionit. Kemi qenë shpesh kritikë edhe me vetveten. Ka shumë “maskarenj” televizivë në xhiro, që bëjnë çmos ta mbajnë suksesin. Madje, këta maskarenj në disa raste nuk kanë kufi as profesional e as njerëzor dhe luftojnë me thonj për t’u bërë interesantë. Kështu bëhen qesharakë dhe këtu hyjmë ne…
“Qeveria” e “Portokalli” çfarë bën më mirë se qeveria Rama? Opozita “Portokalli” çfarë bën më mirë se opozita?
Qeveria “Portokalli” punon çdo ditë shumë në grup pa diktatin e liderit. “Opozita” në Portokalli krijon çdo sekondë pa udhëzimet dhe tutelën e liderit historik.
Pasi publiku të ndjekë show-n, sukses për ju është kur qeshim dhe harrojmë gjithçka, apo kur qeshim dhe na kujtohet gjithçka nga jeta jonë?
Ky kurth i vogël fjalësh në fakt përgjigjen e ka brenda. Të dyja rastet vlejnë. Unë po përgjigjem me një kundërpyetje: Olio & Stelio apo Çaplini? Gjithsesi, unë preferoj të dytin dhe jo vetëm unë. Mesazhi është zgjedhja e parë e çdo aktori dhe krijuesi në “Portokalli”.
Si artist që e shihni realitetin edhe si inspirim, çfarë të gëzon dhe çfarë të pikëllon, pra të bën për të qarë?
Për të qeshur më bën e gjithë “klasa” e diskredituar politike. E quajnë veten dhe “klasë”. Për të qarë më bën (këtu lista është e gjatë)  Ministria e Kulturës dhe institucionet e saj.
Duke u bërë kureshtarë për ritmin e punës si regjisor, kur nis dhe kur mbyllet dita për ty? Sekreti për të qenë inavotar?
Akoma e dua pa fund profesionin tim si më të mirin në botë. Punoj dhe lexoj çdo ditë. Informohem vazhdimisht për çdo të re në fushat ku kam interes profesional. E mbaj veten në formë me punën si pedagog, është si një stërvitje profesionale e përditshme. Gëzoj për sukseset e njerëzve që kam mbështetur me punën time. Ata nuk janë pak. I gjen kudo në teatër, televizion, kinema. Në çdo skenë të Shqipërisë, ish-studentët apo artistë të rinj që kam mbështetur, dëshmojnë aftësitë e tyre profesionale.

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura