Altin Basha ngjit në skenë një dramë “Made in Albania”

Feb 24, 2016 | 12:01
SHPËRNDAJE

Për regjisorin është një sfidë, ndërsa për dramaturgun një premtim për t’i kthyer “nderin e humbur” dramës shqipe.

Regjisori Altin Basha
Regjisori Altin Basha

Regjisori Altin Basha dhe dramaturgu Stefan Çapaliku bëhen sërish bashkë, për t’i sjellë publikut pjesën e tretë të trilogjisë “Triologia Albanica”. Një dramë që mban titullin si një markë produkti: “Made in Albania”, për të cilën sapo ka nisur puna në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. “Made in Albania”, është Shqipëria e sotme e fasonerive dhe call center-ave, të cilat janë bërë të vetmet oferta punësimi për një pjesë të mirë shqiptarësh, qofshin këta të rinj, apo edhe në prag pensioni.

Ngjarjet vendosen në një rrobaqepësi, biznes fasonësh, në të cilën punojnë gra të të gjitha moshave dhe që prodhojnë rroba me etiketat “Made in Albania”. Shpesh mund të jemi përballur me ndërrime turnesh, orët kur qindra gra e vajza dalin nga dyert e këtyre ndërmarrjeve. Hapat që nxitojnë, kokat e ulura, çuçurisjet mes tyre fshehin sa e sa drama personale.

Nga konferenca për shtyp për veprën “Made in Albania”
Nga konferenca për shtyp për veprën “Made in Albania”

Pikërisht aty gjen nxitje dramaturgu, e fillon punën regjisori, për të cilin ky projekt është një sfidë artistike, ku përzihen shumë elementë, që nga loja e 12 aktorëve, te muzika, e cila i është besuar Endri Sinës, koreografia nga Gjergj Prevazi, kostumografia e skenografia nga Iliriana Loxha Basha.

“Ky produksion do të bëjë bashkë shumë elementë bashkëkohorë. Gjuha e saj nuk do të jetë vetën fjala, por edhe lëvizjet e trupit. Ndërkohë që në rrafshin aktorial, do të shkohet eksperienca me aktorët e rinj”, thotë Basha, i cili kishte besuar të ngjitej në skenën e Teatrit Kombëtar me këtë vepër, por nuk u aprovua. Por, sipas Bashës, me sa duket kjo vepër, e cila ishte kërkuar më parë prej drejtorit të Eksperimentalit, Kiço Londo, i përkiste pikërisht kësaj skene.

Dramaturgu Stefan Çapaliku e sheh më shumë si një mision ngjitjen në skenë të “Made in Albanias”. Pas “I’m from Albania” dhe “Allegretto Albania” (këtë të fundit ngjitur në skenë me shumë sukses, po me regjisorin Basha), ia mbërrin “Made in Albania” dhe sipas dramaturgut mjetet artistike janë përpunuar në një shkallë më të lartë. Sipas tij, më shumë se ngjarjet e veprës, rëndësi ka atmosfera që krijohet, ndaj edhe marrin një vlerë të veçantë regjia dhe aktrimi.

AKTORËT

Për të ngjitur në skenë këtë vepër bëhen bashkë aktorë të karrierës, si Zyliha Miloti e Luftar Paja me artistë të rinj. Zyliha Miloti e quan Altin Bashën një regjisor shumë punëtor, ndërsa Çapalikun një penë të hollë.

Duke i qëndruar natyrës së humorit shkodran, Miloti u shpreh se me Luftar Pajën ishin betuar se “nuk do të vdisnin pa luajtur një herë bashkë në skenë”. Me të njëjtat nota përgjigjet edhe Luftar Paja. “Edhe pse kam 50 vjet në skenë, qenkam shumë i emocionuar. Pas 5 vitesh që nuk ngjitem më në skenë ndiej një përgjegjësi shumë të madhe. Përgjegjësi që do të luaj me Zyliha Milotin, por më së shumti me të rinjtë, që i shoh shumë energjikë dhe them: A do mund t’i arrijmë? Kështu që ju të gjithë na ndihmoni edhe me ndonjë lajthitje, pasi jemi mosha të mëdha tani. Pastaj kam dhe një tjetër përgjegjësi se do të luaj me regjisorin e djalit. Ai më ka porositur: Shiko hap sytë, na ndero!”.

Batutat e dy aktorëve, të cilët kanë mbi shpinë një karrierë të gjatë, sidomos në fushën e humorit, shtensionuan disi edhe atmosferën e krijuar prej faktit se “Made in Albania” është një projekt i refuzuar më parë në Teatrin Kombëtar, për të gjetur lirinë e kërkuar në skenën e Eksperimentalit.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura