Alibali: Si rashë në gjurmët e bibliotekës së humbur të Konicës

Jan 14, 2016 | 12:29
SHPËRNDAJE

“Le të thonë ç’të duan për mua, unë s’e çaj kokën fare”. Këtë thënie në greqisht, që i shkonte më së miri për shtat karakterit të tij, Faik Konica e kishte “gdhendur” në stampën që u vendoste librave të bibliotekës së tij personale: “EX LIBRIS F.K”.

Ka qenë kjo stampë që ka identifikuar edhe katër librat e parë të bibliotekës së tij të humbur, që dje u bënë pjesë e fondit të artë të Bibliotekës Kombëtare. Gjatë një ceremonie të veçantë, zhvilluar në mjediset e BKSH-së, në praninë e studiuesve, historianëve e njerëzve të librave, Agron Alibali, një punëtor i palodhur i librit, dorëzoi katër ekzemplarë të rrallë, që dikur i përkisnin Konicës.

faik-konica

Në këtë mënyrë, ai çoi në vend amanetin e burrit të shquar, që librat e tij t’i dhuroheshin Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, edhe pse janë vetëm 1 e pesëqindta e asaj pasurie që ai zotëronte deri në vdekjen e tij. Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, prof. dr. Persida Asllani, u shpreh se “Këtë dorëzim të parë në BKSH, e shohim si një akt themelues për të vijuar më tej me plotësimin e amanetit të Konicës, biblioteka e famshme, ende e humbur, e të cilit numëronte rreth 2000 tituj”. Në shenjë falënderimi, ajo i dorë- zoi Alibalit edhe një certifikatë mirënjohjeje për këtë akt të vyer.

Çfarë dimë sot për bibliotekën personale të Faik Konicës? Faik Konica ndërroi jetë natën e 15 dhjetorit 1942 në apartamentin e tij në kryeqytetin amerikan. Siç shkruante atëherë sekretarja e tij, Charlotte Graham, dhe sikurse e konfirmonte Fan Noli më pas, Konica la si amanet që e gjithë biblioteka e tij e pasur dhe e rrallë t’i lihej trashëgim Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Faiku nuk pati fëmijë dhe nuk la asnjë trashëgimtar në SHBA. Librat ishin ndër pasionet dhe dashuritë e Konicës. Fill pas vdekjes dhe deri në prag të vitit të ri 1943, federata panshqiptare “VATRA” ndërmori punën e vështirë të mbylljes së hesapeve të fundit të Faikut dhe mori në dorëzim e vuri në ruajtje edhe bibliotekën e tij të madhe prej mbi 2 mijë blenjsh. Pas mbarimit të Luftës II Botërore, të 32 arkat me libra u transportuan dhe u vendosën në mjediset e Katedrales së Shën Gjergjit në Boston. Kemi arsye të besojmë se librat qëndruan atje të paktën derisa ndërroi jetë Fan Noli në vitin 1965. Më pas, gjurmët e bibliotekës humbën. Ndoshta vrulli i pamëshirshëm i kohës bëri punën e vet.

Si lindi interesi juaj për gjetjen e kësaj biblioteke? Interesi im për Faik Konicën u nxit gjatë kohës që studioja në Shkollën e Drejtësisë të Universitetit të Harvardit më vitin 2000. Aty u njoha me botimin e plotë të revistës “Albania”. Në raftet e koleksionit të pasur të librave shqip gjeta edhe historinë e Shqipërisë së Ndoc Nikajt. Brenda bleut të rrallë ishte një kartë shkruar nga dora e Faik Konicës, ku ai komentonte me mprehtësi për mënyrën e botimit. Ndërkohë që kisha filluar të koleksionoj libra të rrallë shqip, të gjetura në bibliotekat e brezit të vjetër të shqiptarëve në Boston, raportet e sekretares personale, Charlotte Graham, të Konicës, më tërhoqën vëmendjen, sidomos pohimi i prerë se Konica e kishte lënë gojarisht si amanet që biblioteka e tij e rrallë t’i lihet trashëgim Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Kjo ngrinte pyetjen: Po ku janë, ku gjenden këto libra? Dy mijë libra nuk mund të zhduken pa lënë gjurmë…

bibliotekee alibali

Si ratë në gjurmë të librave që kemi sot në Bibliotekën Kombëtare? Duke qenë se jetoja fare pranë vendit të fundit ku ato ishin ndodhur, fillova të hulumtoj menjëherë. Por askush nuk e dinte me siguri se ku kishin përfunduar ato. Megjithatë, nga kancelari i Kishës Ortodokse Shqiptare të Amerikës, Arthur Liolin, mësova të dhëna të rëndësishme për të identifikuar librat e Konicës. Me vlerë të posaçme ishte indicia e shtampës së veçantë, “EX LIBRIS F.K”, që Faiku e vendoste në kapakun e brendshëm të çdo libri.

Kur e gjetët librin e parë? Më 1 janar 2004 pata rastin të identifikoj në zyrat e “VATRËS” në Nju Jork, librin e parë nga biblioteka e humbur e Faik Konicës. Mes një sasie të madhe librash, që duheshin riorganizuar, ndesha një libër që nuk dukej si të tjerët. Ishte botimi i studiuesit arbëresh Gaetano Petrotta në italisht. Ndofta ky fakt mund të ketë ndikuar që libri të jetë ruajtur. Provat në librin e Petrotta-s ishin të pakundërshtueshme: aty ishte shtampa e famshme, si dhe një përkushtim i ngrohtë i autorit për Faikun. Iu drejtova kryetarit të atëhershëm të “VATRËS”, Agim Karagjozit, të cilit i thashë që ky libër duhet të shkojë në Tiranë sipas amanetit të Konicës dhe ai më autorizoi të tërhiqja librin kundrejt vërtetimit përkatës.

Po tre të tjerët? Kërkimi nuk u përqendrua vetëm në Boston. Prof. Nasho Jorgaqi në Tiranë më sugjeroi të lidhesha me Sara Panaritin, të venë e Qerim Panaritit, ishsekretarit të “VATRËS” dhe ish-kryeredaktor i “Diellit”. Në vitin 1957, ai kishte botuar “Kopshtin shkëmbor” të Konicës. Sarën nuk mund ata takoja në gjallje. Dy vjet më vonë, ajo ndërroi jetë në Masaçusets. Gjithnjë i interesuar për libra të rrallë shqip, menjëherë pyeta administratorët e pasurisë nëse znj. Panariti kishte lënë ndonjë libër. Në tufën e librave që ata më thanë, identifikova edhe tre libra të tjerë nga biblioteka e humbur e Faikut. Mirëpo libri nuk është vetëm përcjellje kumti, por edhe vlerë historike. Në ato tre blenj të Faikut gjeta të bashkoheshin Asdreni, Gjergj Fishta, Margaret Hascluck, Lef Nosi, Mahir Domi e shumë e shumë personalitete të tjerë. Më 20 prill 2009 mbajtëm një veprimtari në Universitetin e Harvardit, pikërisht te Shkolla Pasuniversitare e Arteve dhe e Shkencave, ku kishte studiuar Konica. Atje shpallën publikisht për herë të parë katër librat nga biblioteka e humbur e Faik Konicës.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura