Alfred Uçi nderohet “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

Jan 29, 2016 | 15:01
SHPËRNDAJE

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i ka dorëzuar dje studiuesit Alfred Uçi, titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Një titull i lartë, i cili u jepet personaliteteve shqiptare me kontribute të veçanta në zhvillimin e shoqërisë shqiptare.

alfred uci

Ceremonia u zhvillua me praninë e akademikëve, studiuesve të njohur, e njerëzve të artit, si Myzafer Korkuti, Gjovalin Shkurtaj, Emil Lafe, Xhevahir Spahiu, Zhani Ciko, Vasil Tole etj. Alfred Uçi është pa dyshim një nga emrat më të rëndësishëm të letrave shqipe, sidomos në lëmë të estetikës. Gjithë jetën prof. Uçi ia kushtoi të bukurës në letërsinë shqipe, por edhe asaj botërore. Pas studimeve në Korçë, Tiranë e Shkodër, studimeve për estetikë e filozofi në universitetin “Lomonosov” të Moskës, Uçi nisi rrugën e pedagogjisë në Institutin e Lartë Ekonomik të Tiranës.

Më pas dha lëndët e estetikës e të filozofisë në disa fakultete të Universitetit të Tiranës. Në vitin 1970 iu dha titulli “Profesor” e më pas “Akademik”. Krahas aktiviteteve kombëtare, ku ai ende vazhdon të jetë i pranishëm, edhe pse në moshën 85-vjeçare, ka referuar në kongrese, konferenca e simpoziume shkencore jashtë vendit, si në Sofje, Athinë, Ankara, Beograd, Prishtinë, Vjenë, Itali, Suedi, Francë etj. Ka shkruar një numër të madh artikujsh, referatesh e kumtesash me tematikë nga fusha e filozofisë, sociologjisë, estetikës, etnografisë, folkloristikës, kritikës letrare etj.

Ndër botimet e tij mund të përmendim “Estetika, jeta, arti” (1970), “Probleme të estetikës” (1976 e 1980), “Labirintet e modernizmit” (1978), “Mitologjia, folklori, letërsia” (1982), “Çështje teorike të estetikës dhe të kulturës” (1986), “Estetika” – Vëllimi I, II, III (vitet 1987-1988), “Shekspiri në botën shqiptare” (1996), “Dostojevski në kohën tonë” (1997), “Ferrparajsa Danteske” (1998), “Prometeu dhe Hamleti” (greqisht, në Athinë, 1998), “Grotesku kadarean” (1999), “Estetika e groteskut – Teoria dhe historia” (2001), “Estetika në folklor dhe në letërsinë shqipe” (2001), “Paradigma të ndërgjegjes shoqërore – estetikë filozofike e politike” (2001), “Estetika e groteskut”, në tre vëllime, “Filozofia e donkishotizmit” etj.

Ka kryer detyra të rëndësishme drejtuese, si drejtor i Institutit të Kulturës Popullore (1979- 1987) dhe kryetar i Komitetit të Kulturës e Arteve (1987-1990). Për meritat e tij, në vitin 2005, u nderua nga Presidenti i Republikës, me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura