Alfred Uçi: Akademia e Shkencave është kthyer në çiflig, duhet reformë

Apr 12, 2016 | 18:00
SHPËRNDAJE

Një ditë më parë, Akademik prof. Artan Fuga botoi në gazetën “Panorama”, shkrimin “Akademia e Shkencave në agoni, si mund të dilet prej saj”.

Pasi ia kishte drejtuar më parë kryesisë së Akademisë, shqetësimin e tij në lidhje me mbarëvajtjen e këtij institucioni, pas heshtjes si përgjigje, Fuga vendosi ta bënte publik shqetësimin e vet.

Akademik prof. Dr. ALFRED UÇI
Akademik prof. Dr. ALFRED UÇI

Sipas tij “ende vazhdohet të vozitet mbi ujëra të fjetura dhe të krijohen kushtet që Akademia të mos ketë reputacionin e duhur publik, të mos jetë efikase në rolin e vet dhe sigurisht, për rrjedhojë, të bëhet preh i goditjeve nga lloj-lloj arrivistësh jashtë saj që kërkojnë “trashëgimi” mbi të”.

Duke sjellë shembuj nga simotrat franceze, italiane e angleze, Fuga sjell disa nga rrugët që duhen ndjekur që ky institucion të dalë nga kriza.

I të njëjtit mendim, duket se është edhe një ndër akademikët më të vjetër shqiptarë, prof. Dr. Alfred Uçi, i cili shprehet se mbi Akademinë e Shkencave vazhdojnë të ushtrojnë ndikim “mbeturina ideologjike të vjetruara”. Ai, ashtu si Fuga, është i mendimit që Akademia e Shkencave, ka nevojë për një reformë reale.

Akademik prof. Dr. ALFRED UÇI

Si një nga anëtarët më të vjetër të Akademisë së Shkencave, kam pasur një shqetësim të hershëm për mbarëvajtjen e këtij institucioni të rëndësishëm për kulturën dhe zhvillimit të kombit tonë. Kam qenë i gëzuar që ky institucion u krijua në kushte shumë të vështira të karakterit ideologjik, megjithatë, qysh në fillim pati mjaft intelektualë të denjë për të qenë anëtarë të tij, duke iu përgjigjur dëshirës që ka pasur një prej krerëve të Rilindjes sonë Kombëtare, Sami Frashëri.

Që prej krijimit të saj, gjatë rrugëtimit të vështirë, Akademia e Shkencave numëron edhe arritje, por jo si institucion, por nga anëtarët e saj të dalluar, veprat e të cilëve formojnë fondin e Albanologjisë apo edhe shkencave të tjera. Nga ana tjetër, dëshpërohemi kur Akademia pengon vepra shumë të mira, studime shkencore, si kontribut i inteligjencës së re, të një brezi të ri intelektualësh të formuar pas ndërrimit të sistemeve, gjatë 25 viteve të fundit, te të cilët spikat kultura dhe njohuritë, zotërimi i gjuhëve të huaja, por edhe thellësia e mendimit për probleme me rëndësi për zhvillimin e vendit tonë.

Në linjë me këtë shqetësim timin është edhe shkrimi i botuar në numrin e djeshëm në gazetën “Panorama” nga Artan Fuga, i cili i është përkushtuar shkencës dhe ka fituar një emër të merituar, atë të akademikut.

Më tërhoqi vëmendjen, si një shkrim shumë i vlefshëm, me përmbajtje të thellë shkencore, me dinjitet dhe guxim. Në këtë artikull më gëzon fakti që ai e ka ndier nevojën të shprehë shqetësimin e tij për gjendjen e Akademisë së Shkencave. Jam në të njëjtin mendim me të, kur thotë se “Shqipëria ka nevojë për një Akademi Shkencash, por ama që të mos transformohet dhe kuptohet si drejtori e shkencës pranë Ministrisë të Arsimit dhe Sporteve.

As të trajtohet sikurse tani Akademia si institut kërkimor shkencor. Si duket disa nuk dinë format tjetër institucional veç drejtorisë dikasteriale dhe institutit kërkimor shkencor. Mbyllur në këto dy alternativa, që u fryjnë në vela, edhe ambicieve egoistëve të disave, kjo e mirë publike, si Akademia, nuk e kryen dot funksionin e saj. Por duhet gjetur pozicionimi i drejtë për të. Modelet janë, por mungon vullneti për ta nxjerrë Akademinë nga agonia”.

* * *

Prej dhjetëra vitesh Akademia e Shkencave ecën në një rrugë shumë të ngatërruar dhe jo gjithmonë në atë rrugë ku duhet të kishte ecur, duke justifikuar emrin e madh që ka një institucion i tillë, në çdo vend. Fatkeqësisht ka pasur zigzage, nuk ka pasur një zhvillim të pandërprerë dhe kjo për shkak të influencës që ka ushtruar dhe vazhdojnë të ushtrojnë mbeturina të një ideologjie të vjetruar tashmë, e cila nuk duhet lejohet të shfaqet brenda institucioneve të tilla të kulturës sonë.

Akademia e Shkencave ka nevojë për një reformë të vërtetë. Janë ndërmarrë 2-3 reforma, të cilat vetëm ideologjikisht janë lavdëruar nga ata që i kanë ndërmarrë vetë ato, por këto reforma kanë shtuar problemet e pazgjidhura dhe unë jam tërësisht në një mendje me ç’ka shprehur Artani (them Artani, për të mos thënë akademiku, pasi e kam pasur student në Fakultetin e Filozofisë, për t’u bërë më pas profesor në këtë fakultet).

Akademia e Shkencave ka pësuar trauma të herëpashershme. Ka pasur propozime për ta mbyllur, kanë përdorur epitete nga më të ulëta për punën që e ka bërë vetëm pjesërisht, ndërkohë që i kanë mbetur shumë probleme të pazgjidhura.

* * *

Do të merrja si shembull lëmin e botimeve. Akademia ka pasur një shtëpi botuese, e cila i jepte vlerë çdo vepre të botuar, duke i vënë emrin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në krye, por jo të gjithë e kanë merituar këtë titull, madje as sot e kësaj dite, jo të gjithë e meritojnë të botojnë nën emrin e saj.

Tani ajo lidh marrëveshje me lloj-lloj shtypshkronjash e shtëpi botuese që botojnë veprat që duhet t’i botonte Akademia e Shkencave. Por edhe veprat e serisë që mban emrin “Akademia e Shkencave”, nuk do të thotë se të gjitha janë me të vërtetë të vlefshme në rang kombëtar, por edhe europian, ku shprehet interesi për fatet e kulturës dhe shkencës në Shqipëri. Vepra të tilla me interes, të vlerësuara edhe me çmime, nuk gjenden në gjuhë të huaj.

Para disa vitesh u organizua në Tiranë një Kongres Ndërkombëtar mbi probleme të Balkanologjisë, historisë dhe kulturës së Ballkanit, gjatë së cilës nuk u shit as edhe një libër nga ata të Akademisë, pasi asnjëri nga pjesëmarrësit e huaj nuk e njihte gjuhën shqipe. Veprat e Akademisë së Shkencave botohen vetëm në gjuhën shqipe.

Pse të mos përkthehen në gjuhë të huaj vepra që kanë marrë çmimin “Excellence”? Janë dy vepra të tilla të shkencave shoqërore që kanë marrë këtë çmim nga komisioni i posaçëm i krijuar nga Bashkimi Europian, seleksionuar mes dhjetëra veprash të Akademisë dhe Universiteteve, por që fatkeqësisht i gjejmë vetëm në shqip.

* * *

Për fat të keq, Akademia e Shkencave nuk e përmbush misionin e saj si drejtuese jo vetëm e instituteve të saj të cilat më nuk i ka, pasi i janë hequr përmes reformash, por edhe për të drejtuar gjithë qendrat shkencore. Është e çuditshme që në Shqipëri ka dy Akademi Shkencash dhe kjo është dëshmi e keqdrejtimit të tyre.

Aq paradoksal është ky fakt, saqë na ka rastisur të pyesim ndonjë akademik nëse është anëtar i njërës apo i tjetrës akademi. Kjo nuk i vlen zhvillimit të shoqërisë së sotshme, e cila synon të shkojë drejt Europës. Madje do ta konsideroja turp një ndarje të tillë. Do të duhej të ishte vetëm një Akademi Shkencash, ashtu siç ekziston në kushte edhe më të vështira në Kosovë, e cila ka një akademi, atë të Shkencave dhe të Arteve, duke përfshirë në të edhe sektorë si inxhinieria, ekonomia etj.

Dhe është më e shumanshme dhe më e plotë për të pasqyruar drejtimet më të rëndësishme shoqërore të zhvillimit të shkencave, siç i kanë edhe vende të tjera. Është po kaq e papranueshme procedura e nxjerrjes në pension e akademikëve, të cilët vazhdojnë të jenë produktivë në moshën 75-vjeçare dhe për më tepër është një shkelje e ligjeve të Kushtetutës, ndalimi i lirisë së diskutimit, sidomos brenda një institucioni të vetëm.

Në Asamblenë e Akademisë së Shkencave, nuk lejohen të marrin pjesë anëtarët më të vjetër, të cilët vazhdojnë të kenë shëndet të plotë intelektual dhe fizik, për të diskutuar për çdo problem të Akademisë. Madje i përjashtojnë të prezantojnë edhe librat që mbajnë titullin “Botime të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”. Janë rregulla të një burokratizmi, madje do të quaja të një çifligu, që administrohet ashtu si administrohen pronat private, me të cilat pronarët mund të bëjnë ç’të duan.

Jo! Akademia e Shkencave të Shqipërisë nuk duhet të jetë siç ka qenë, si pasuri e disa vetave, por një institucion i rëndësishëm shkencor i gjithë vendit dhe të ketë për synim të saj ngritjen e prestigjit dhe autoritetit të saj, në një shkallë sipërore, për t’u radhitur në radhën e akademive më të mira në Ballkan e Europë.

Ky duhet të jetë pikësynimi i një reforme që duhet të bëhet sa më shpejt dhe të ndërmerret nga njerëz që dinë se ku janë plagët e këtij institucioni, që dinë se ku duhet të shkojë me efikasitet të madh shkencor dhe social, që nuk kanë ambicie për të zënë poste, por që kanë ambicie për të botuar qoftë edhe librat e fundit të jetës së tyre. Duke shpresuar në më të mirën, falënderoj gazetën “Panorama” që ka ndërmarrë këtë iniciativë dhe e quaj me vlerë thirrjen e hapjes së një debati, jo vetëm për problematikat e universiteteve, por dhe të Akademisë së Shkencave.

Një debat ku të përfshihen të gjithë ata që me mendimet e tyre do të kontribuojnë në përmirësimin e situatës së Akademisë së Shkencave. Po ashtu falënderoj akademikun prof. Artan Fuga, që mori guximin të botojë ato vërejtje që i ka bërë Akademisë së Shkencave, për të cilat kjo e fundit ka heshtur.

E konsideroj të turpshme heshtjen e kryesisë, në një kohë kur njerëzit përpiqen ta ndihmojnë Akademinë të bëjë një reformë radikale dhe ta nxjerrë nga kriza që e ka pllakosur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura