Alfred Milot Mirashi, një shqiptar kuron Picasso-n në Kinë

Jun 20, 2016 | 14:24
SHPËRNDAJE

Një shqiptar ka çuar Picasso-n në Kinë. Bëhet fjalë për artistin e njohur Alfred Milot Mirashi, i cili, pasi solli në Tiranë fotografin me famë botërore Zeng Yi, ka udhëtuar drejt Pekinit, drejt një tjetër ngjarjeje të madhe, që do të shënjojë karrierën e tij artistike. River Side Museum në Pekin ka hapur dyert e tij për të pritur veprat më të mira të gjigandit botëror të artit, Pablo Picasso.

Milot Marashi“Picasso walk into China”, është ekspozita më e madhe e zhvilluar ndonjëherë me veprat e piktorit spanjoll në Kinë. Plot 84 vepra të njohura u kanë dhënë mundësi vizitorëve të njihen më nga afër me piktorin gjenial. Veprat e artit vijnë në Pekin nga puna e 8 koleksionistëve të njohur nga 5 vende të botës.

Nën kujdesin e kuratorëve dhe artistëve Francesco Gallo Mazzeo dhe Alfred Milot Mirashi, teknika të ndryshme si pikturë, skulpturë, grafikë dhe qeramikë janë paraqitur para artdashësve të shumtë kinezë, punime të cilat kanë qenë pikënisja e madhe edhe e shumë artistëve të tjerë kinezë, por edhe nëpër botë. Për artistin shqiptaro-italian, Alfred Milot Mirashi, të kuronte ekspozitën e Picassos ishte me të vërtetë një ngjarje e rëndësishme në karrierën e tij.

“Me ndihmën e Francesco Gallo Mazzeo dhe Angela Oçhipinti, të cilët kanë qenë edhe docentët e mi në Akademinë e Arteve të Bukura të Breras në Milano, kam arritur të sjell këtu veprat e një ndër artistëve më të mëdhenj të botës. Jam shumë i lumtur që jam këtu jo vetëm për faktin se jam njëri ndër kuratorët e ekspozitës, por Picasso ka qenë njëri ndër artistët të cilët më ka dhënë aq shumë mundësi dhe shtysë për të qenë më i mirë dhe për të arritur deri këtu ku jam.

Për mua kjo ekspozitë ngelet deri tani ndër më të mëdhatë që kam marrë pjesë ndonjëherë. Jam jashtëzakonisht i lumtur”, shprehet artisti, i cili prej vitesh jeton dhe zhvillon karrierën e tij në Itali. Artisti italian Francesco Gallo Mazzeo shton se ndihet tepër me fat që është një ndër kuratorët e ekspozitave, aq më tepër që dikur e ka takuar vetë mjeshtrin e madh të pikturës.

“E kam takuar Picasson kur isha 16 vjeç, kur studioja art në Paris. Nuk ishte ndonjë tip i veçantë, por pasioni dhe dashuria e tij për pikturën ishte një ndër gjërat më të bukura që kam parë. Ai dinte të pikturonte me shpirt dhe dëshirë”, shprehet ai. Në ekspozitë është paraqitur edhe vepra “Guernica”, të cilën Picasso e kishte përfunduar në vitet ‘40, në të cilën shfaqej tmerri i luftës civile spanjolle.

“Picasso walk into China” po tërheq vëmendjen e publikut kinez. Mijëra vizitorë i janë drejtuar ekspozitës vetëm në ditët e para, për të parë nga afër veprat e piktorit të madh.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura