Alegri shton besimin: Gati për të fituar atë të bekuar Champions, Ronaldo meriton “Topin e Artë”

Nov 13, 2018 | 17:43
SHPËRNDAJE

Fitore me peshë ndaj Milanit dhe “Pankina e Artë” për të katërtin vit radhazi. Autori i kësaj arritjeje është Masimiliano Alegri, i cili, falë edhe kombëtareve, mund të shijojë momentin. Nuk ka përse të mos e bëjë sepse skuadra e tij udhëheq Serinë A, bind në Europë dhe ka Kristiano Ronaldon, lideri që drejton ekipin drejt fitoreve kur nuk e bën dot grupi.

alegri ronaldo

Nga Koverçano, trajneri i Juves ka folur për disa argumente, duke filluar pikërisht nga asi portugez: “Kristiano ka rritur vetëbesimin ekipor në Europë dhe është një futboll i ndryshëm nga të tjerët. Ai bën diferencën gjithmonë. Edhe ndaj Milanit, përveç se shënoi, u sakrifikua shumë për shokët, duke qenë i gatshëm në çdo moment. Dallimi mes tij dhe të tjerëve është se ai ka një nivel të lartë profesionalizmi dhe është gjithnjë shumë i përqendruar tek objektivat. E konsideroj një ‘snajperist’ që nuk gabon kurrë dhe jo më kot ka fituar pesë ‘Topa të Artë’. Uroj që të fitojë të gjashtin sivjet”.

CHAMPIONS – Europa është një tjetër dëshirë e trajnerit bardhezi. Synimi i Juves është pikërisht kupa me veshë të gjatë dhe Alegri nuk fshihet: “Titulli i tetë radhazi si kampion Italie është objektivi ynë, por edhe ajo e bekuar Champions. Në mars duhet të mbërrijmë të përgatitur, por edhe të kemi fatin me vete. Champions-i nuk është për të gjithë dhe shpresoj që t’ia dalim këtë vit.

Më shumë sesa perceptimi ndaj nesh në këtë kompeticion, ka ndryshuar i gjithë ambienti bardhezi. Juventusi në tonalitetin e tij është rritur. Këtë vit ndeshjet në Europë i luajmë në atmosferë të ndryshme, më të qetë krahasuar me të kaluarën, kur na pushtonte ankthi dhe tensioni edhe në ndeshjet më të lehta. Në katër vitet e fundit kemi luajtur dy finale ndaj dy ekipeve më të forta të momentin. Këtë vit do të shohim, mbase edhe ne mund të kemi ndihmën e fatit në anën tonë. Në Ligën e Kampioneve nuk lejohen gabimet, niveli i cilësisë është rritur dhe shumë skuadra janë në gjendje të synojnë trofeun”.

HIGUAIN E BENTANKUR – I sakrifikuari i madh për të arritur te Ronaldo ishte Gonzalo Higuain, protagonist negativ i sfidës Milan-Juve, e që për të cilin Alegri tha: “E takova pas ndeshjes dhe m’u duk shumë më i qetë. Kartoni i kuq ishte pasojë e një reagimi. Për të nuk ishte një ndeshje e lehtë, humbi një penallti, e megjithatë mendoj se deri në atë çast kishte bërë një ndeshje të mirë. 11=-metërshat i humbin ata që kanë kurajë t’i godasin”. Përveç argjentinasit, koment të veçantë pati edhe për Rogrido Bentankur. “Është 21 vjeç dhe që tani është një lojtar i fortë. I tillë ishte edhe në muajt e parë, por si çdo i ri ishte normale që të kërkonte pak kohë për t’u ambientuar. Në treshen e mesfushës e shoh shumë të përmirësuar, por nuk është ende në gjendje të drejtojë i vetëm lojën e skuadrës. Ka nevojë për Pjaniçin, ashtu si Miralemi ia ka nevojën atij”, tha Alegri

VAR-i dhe KOMBËTARJA

Teksa Juvja e tij e stërbind, për trajnerin bardhezi është teknologjia ajo që i ngjall disa pikëpyetje. Ai është në favor të VAR-it, megjithëse nxiton të saktësojë: “Teknologjia ka ulur nivelin e gabimeve te vendimet e arbitrave. Në Champions, javën e kaluar, u morën vendime të gabuara që me VARin do të ishin korrigjuar”. Jemi në javën e kombëtareve dhe një mendim i Alegrit nuk mund të mos ishte për stolin e Italisë: “Aktualisht në detyrë është Mançini që më duket se ka nisur të bëjë një punë të mirë. Kombëtarja mund të jetë plotësimi i një karriere, por duhet të jetë një mundësi që vjen në momentin e duhur. Do të shohim nëse një ditë do të kem edhe unë shansin, por që të ndodhë duhet të përkojnë disa faktorë”.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura