Aleatja kryesore e Halim Kosovës

May 14, 2015 | 14:42
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ

   Maxhoranca e ka filluar fushatën e saj për Tiranën, e shtrënguar të pranojë një fakt me përhapje të gjerë popullore, atë që “Halim Kosova është një burrë i mirë”. Në një kohë kur kriza e besimit ndaj klasës politike është në kulmin e vet, ky pranim është një avantazh i madh për të. Ndonëse një pohim i tillë shpesh bëhet për ta zhveshur kundërshtarin nga cilësitë e tjera, mbetet tregues për vështirësinë që u ka krijuar me staturën etike. Historia e Halim Kosovës është ajo e një individi që beson te profesioni, te shkenca, te dija dhe nëpërmjet saj shndërrohet në personalitet referencial të mjekësisë shqiptare dhe të një metropoli si Tirana.
Rasti i tij bën përjashtim nga rregulla, sipas së cilës duhet të hysh në politikë për t’u bërë i njohur dhe i pasur. E kundërta ka ndodhur më të, që falë talentit i ka arritur të dyja. Zakonisht përfolja, mistifikimi, i ngjitet gjithë kësaj kategorie, por Halim Kosova e ka fituar këtë betejë me dyshimin duke bindur për ndershmërinë e tij. Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” i drejtuar nga ai dukej një oazë në degradimin e përgjithshëm të sistemit mjekësor shqiptar. Këtu dha shembullin se, nëse ekziston vullneti i mirë, aftësia menaxhuese dhe virtyti, mund t’ia dalësh. Këto merita ia ka njohur me akte publike edhe ish- kryetari i Bashkisë së Tiranës, Kryeministri aktual Edi Rama.
Në kontekstin politik të PD-së, po ashtu Halim Kosova ofron një model moral, që bie në kundërshtim me përvojën e këtij formacioni politik. Zakonisht PD mbipopullohet nga mbështetësit “cilësorë” kur i afrohet pushtetit dhe braktiset kur është duke e lënë atë. Gjithashtu PD është një fabrikë e shkëlqyer e prodhimit të “armiqve” dhe “besnikëve” duke dekurajuar të ndërmjetmit. Background-i personal i lejon Kosovës të mbajë mbi supe kokën e vet. PD ka dhënë shembullin se nuk qeveris me ata që bën opozitë, duke përzgjedhur anonimet në vend të personaliteteve kur ndahet “torta”. Kësisoj, Kosova ka vozitur kundër tendencës. Njohjen me Berishën e ka mbajtur në sirtar kur ai ishte në kulmin e fuqisë, për ta nxjerrë prej tij kur po shkonte drejt opozitës.
Dorëzimi i mandatit të deputetit për të hyrë në garën plot rebuse të kryeqytetit, dëshmon se nuk i intereson statuskuoja, por përpjekja për të bërë diçka të re. Disa cilësi karakteriale që e shquajnë si figurë publike, nëse do të zgjidhej kryebashkiak, do ta mbanin distant mjaftueshëm nga ndikimi politik dhe dorështrirë pa kokëçarje ndaj Kryeministrit për të bashkëpunuar për të mirën e Tiranës.
Kosova “nuk ka frikë” se e shohin duke u takuar me Ramën në zyrën e tij. Ky i fundit nuk do ta kishte të lehtë të insistonte në strategjinë e bllokimit të projekteve me Halim Kosovën, i cili nuk ka asnjë gjasë ta përdorë Bashkinë si trampolinë për t’u bërë kryeministër apo kryetar partie.
Duhet të jenë të panumërueshëm ata që prej Halim Kosovës kanë marrë lajmin më të bukur të jetës, atë të të bërit prind. Njëri prej tyre jam edhe unë vetë. Kujdesi dhe intuita e tij si mjek janë mbresëlënëse, komunikimi i drejtpërdrejtë dhe i ngrohtë ta relativizojnë shqetësimin. Ai ishte kundër abortit dhe nuk janë të paktë ata që janë në jetë sot, edhe falë këmbënguljes së tij.
Më ka bërë përshtypje një episod, të cilin ai sigurisht e ka harruar, sepse nuk duhet të ketë qenë i vetmuar. Tek shoqëroja gruan time për një vizitë të radhës në klinikën e tij private, vite më parë, u bëra dëshmitar pa dashje i një ndodhie.
Një zonjë, e cila nuk ishte ndalur te sekretaria, mbërriti drejt e në studio, duke bërë pak fjalë me infermieret. Ajo dukshëm shfaqte një siklet e, siç u mor vesh, nuk kishte të paguante. Me shumë xhentilesë doktor Halimi qortoi infermieret dhe i tha me dashamirësi gruas, e cila nuk i mbante lotet, që të mos mërzitej, sepse deri në fund ai do ta ndiqte pa pagesë. I dha numrin e celularit që të komunikonte direkt me të dhe, meqenëse ishte fund dhjetori, i dhuroi edhe një shportë nga disa syresh, që gjendeshin në një kënd nga ato që përgatiten enkas për festa.
Ata që prisnin radhën si unë, me humor i thoshin: “Doktor, qenka mirë të mos paguash, sepse mund të marrim edhe ndonjë peshqesh me vete”.
 Duke ndjekur takimet elektorale të Halim Kosovës, shohim se si në fshatra apo në qytet shumëkush i thotë në filan vit me ke shpëtuar jetën, më ke shpëtuar fëmijën dhe ai pa kurrfarë triumfi përgjigjet “kam bërë detyrën time”. Ai mund ta shpëtojë edhe qytetin. Kjo është historia e tij, ajo e një njeriu të vërtetë, të ndershëm dhe të suksesshëm, aleatja kryesore në këtë fushatë elektorale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura