Aleati i PS: Rama të vendosë bustin e Enverit siç bëri Berisha me Zogun

Jun 13, 2013 | 9:14
SHPËRNDAJE

Në foto, kryetari i PPSHR, Marko Dajti, në vendstrehimin e bustit të Enver Hoxhës.
Kreu i Partisë së Punës së Riorganizuar i kërkon kreut të PS të respektojë aleatët.

Dajti: Rama të vendosë bustin, siç bëri Saliu me Zogun

Komunistët ruajnë me fanatizëm dhe në fshehtësi të plotë bustin e udhëheqësit të tyre, Enver Hoxha. Marko Dajti, kryetari i Partisë së Punës së Riorganizuar, trashëguesi i partisë së Hoxhës, ka treguar me foto gjendjen në të cilën është ruajtur busti në një shtëpi në periferi të Tiranës, dhe që ruhet me armë nga i zoti i shtëpisë dhe të tjerë fshatarë.  Kryetari i Partisë së Punës së Riorganizuar, Marko Dajti, i kërkon Edi Ramës që të respektojë aleatët e tij, ashtu siç ka bërë edhe Sali Berisha. Dajti këmbëngul në rivendosjen e bustit të Enver Hoxhës në Tiranë dhe për këtë kërkon mbështetjen e kryetarit të Partisë Socialiste, si aleatin e tij më të afërt. “Ne e dimë se Edi Rama nuk është komunist, ashtu sikurse Sali Berisha nuk është monarkist. Por Berisha e vendosi shtatoren e Ahmet Zogut sipas marrëveshjes që kishte me Partinë Lëvizja e Legalitetit dhe nuk shikojmë ndonjë arsye përse Edi Rama të sillet ndryshe

I zoti i shtëpisë i armatosur, ku ruhet busti në një shtëpi fshati jashtë Tiranës
dhe i fshehur në një depo bari.
me aleatët e tij”, tha Dajti në një prononcim për “Panorama”. Kreu i Partisë së Punës së Riorganizuar tregon se kjo parti është kujdesur për të ruajtur bustin e Enver Hoxhës në një shtëpi fshati jashtë Tiranës me armë, që të mos e vjedhin dhe dëmtojnë, dhe premton se busti do të vendoset, duan apo jo palët politike. “Kemi përballuar vështirësi të panumërta për ta ruajtur në ditët e vështira të viteve ’90 dhe themi me bindje se sot ka ardhur koha të dalë nga mjegulla. Gjithsesi, duhet të them se nuk do të lejojmë të luhen lojëra politike me këtë bust, qoftë nga Sali Berisha, qoftë nga Edi Rama. E kemi ruajtur me armë në dorë këtë bust për 22 vjet dhe po me armë jemi të gatshëm ta vendosim në vendin që i takon. Nëse zotërinjtë e politikës kërkojnë të zhdukin simbolet e këtij vendi, do t’i bëjnë hesapet me forcën e popullit. Ne do të jemi në ballë”, tha Dajti. Trashëgimtarët e partisë së Enver Hoxhës kërkojnë që më 16 tetor, me rastin e 105-vjetorit të lindjes së udhëheqësit të tyre, të vendosin bustin e tij, një monument në bronz me uniformë ushtarake. Vendi ku ata do të kërkojnë ta vendosin bustin do të jetë sheshi para Piramidës dhe përballë tre rilindësve Frashëri. Por më parë ata presin një mbështetje nga Partia Socialiste dhe kryetari i saj, mbështetje që duhet të reflektohet dhe te këshilltarët socialistë në Bashkinë e Tiranës. Duhet të jetë Këshilli Bashkiak ai që do të miratojë vendin dhe vendosjen e bustit të Enver Hoxhës në kryeqytet.

Akuzat ndaj palëve
Kreu i Partisë së Punës së Riorganizuar akuzon krerët e palëve politike se nuk vlerësojnë figurën historike të Enver Hoxhës. “Figura e Enver Hoxhës është e lidhur me luftën që çliroi këtë popull nga dy pushtues dhe është simbol i pavarësisë së këtij vendi, ndaj shtatoren e tij nuk mund t’ua besojmë as miqve të Fazlliçit e Karamanlisit, dhe as miqve të Tadiçit e Papandreut. Kohët mund të kenë ndryshuar, por armiqtë e Shqipërisë janë po të njëjtë, edhe pse sot kanë veshur lëkurë qengji”, shprehet Dajti për “Panorama”.

Ish-të përndjekurit
Në Partinë Socialiste duket se ka më shumë përkujdesje ndaj kategorisë së ish-të përndjekurve dhe burgosurve politikë, sesa ndaj ish-komunistëve. Pas homazheve për 5 majin në Varrezat e Dëshmorëve, në drekën me aleatët, Rama i ka premtuar Kurt Kolës, kryetarit të partisë “Rruga e Lirisë”, se do të vendosë një përmendore në kujtim të ish-të burgosurve politikë në sheshin kryesor të Kombinatit, aty ku dikur qëndronte përmendorja e Stalinit.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura