Aleanca e pashenjtë

Apr 17, 2015 | 12:27
SHPËRNDAJE

ALBERT DOJA

   Të shtunën e Pashkëve, kur të krishterët ortodoksë festonin ringjalljen e Krishtit në Katedralen e Tiranës, Ben Blushi shkruan te “Panorama” se “sa bukur do ishte sikur dikush të kishte fuqinë dhe provat e duhura për të bindur se vërtet kështu ka ndodhur”, pra të provonte se Krishti ka qenë ashtu si thuhet, çka “në thelb do ta shpëtonte njerëzimin nga dilema e tij më e madhe: nëse njeriu është krijesa e Zotit apo Zoti është krijesa e njeriut”. Me naivitet besohet se Kryepeshkopi është njeriu që natën e Pashkës ortodokse mund të jepte më shumë arsye për të lëmuar dyshimet mbi Zotin dhe ekzistencën e tij.
Pa dyshim, askush nuk do ishte bindur nëse kleriku i shkolluar do fliste në gjuhë të kuptueshme. Leksionet e larta liturgjike të klerikëve të shkolluar nuk kanë për qëllim të shpjegojnë të vërtetat e amshuara. Madje, nuk ka klerik aq naiv sa të “provojë” ekzistencën e Zotit. Jashtë kontekstit fetar, çdokush duhej të ishte mendërisht i mangët nëse nuk e di se si konceptohet njeriu apo nëse beson se njeriu mund të ringjallet pas vdekjes, e të tjera si mrekullitë e profetëve apo apostujve, që tregojnë klerikët myslimanë e të krishterë. Prandaj edhe dhjaku që i del në mbrojtje Kryepeshkopit te “Panorama”, duket se ka të drejtë kur përçmon këdo që “kërkon provën e madhe të ekzistencës së Zotit”. Por ndryshon puna brenda kontekstit fetar dhe këtë dhjaku e di shumë mirë. Këtu e vërteta është e amshuar dhe bëhet dogmë. Maria mbetet e papërlyer, sepse është mbarsur me frymën e shenjtë dhe prandaj është nëna e Zotit, ndërsa Krishti ringjallet sepse është konceptuar nga fryma e shenjtë dhe prandaj është biri i Zotit. Dogmat nuk shpjegohen. Dogmat janë thjesht të tilla dhe si të tilla besohen. Një besimtar nuk mund të mos u besojë dogmave, ndryshe nuk është besimtar. Madje, besimtari nuk ka nevojë për shpjegime, mjafton t’i tregosh shpirtin e shenjtë dhe rrugën e Zotit. Të jesh besimtar do të thotë të pranosh t’i nënshtrohesh vullnetit të Zotit apo të pranosh se nuk ka Zot tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i tij, e të tjera e të tjera si këto.
Ka qasje dhe mendime të ndryshme për të shpjeguar fenë, por në çdo rast përkufizimet tradhtojnë orientimet ideologjike apo politike, apo teorike të autorëve të tyre. Në përgjithësi, besimtarët apo udhëheqësit fetarë do të thoshin se kemi fe për arsye se feja është e vërteta dhe se ne jemi ato lloj qeniesh që mund të shohim dhe të pranojmë të vërtetën. Në përgjithësi edhe shqiptarët do të thoshin se jemi tolerantë për arsye se toleranca është më e mira dhe se ne jemi ai lloj populli që e çmojmë dhe e pranojmë tolerancën. Sigurisht, si antropolog, nuk mund të mjaftohem me përgjigje të tilla. Jo vetëm sepse nuk mund të bëj apologjinë e fesë apo të tolerancës fetare, por edhe thjesht sepse përvoja antropologjike tregon se njerëz të ndryshëm në kohë dhe vende të ndryshme kanë parë, kanë çmuar e kanë pranuar shumë të vërteta e të mira të tilla, shumë të ndryshme njëra nga tjetra.
Një aspekt i thelbit fetar, më pak i dukshëm, por që gjatë historisë vihet re qartë dhe në shumë raste, është një lloj aleance e pashenjtë midis fesë dhe politikës. Kjo për arsye se lëvizjet fetare dhe lëvizjet politike kanë diçka të përbashkët. Politikani, për të fituar pushtetin që i jep politika, ka nevojë për votues që “besojnë” në politikën e tij, ashtu si udhëheqësit fetarë për të fituar besimin dhe autoritetin që u jep feja, kanë nevojë për besimtarë apo pasues që besojnë në fjalën e tyre. Në këtë kuptim, politikani do ta kishte shumë zili Kryepeshkopin, sidomos kur Kryehoxha apo Kryegjyshi nuk mund të maten me të. Por Kryepeshkopi nuk mund të matet kurrsesi me Enver Hoxhën. Sidoqoftë, të gjitha palët përdorin të njëjtat mjete për të arritur qëllimet e tyre të pushtetit e të autoritetit mbi njerëzit. Edhe pse shpesh feja i nënshtrohet politikës, po aq shpesh e gjejmë fenë të mbizotërojë mbi politikën. Edhe më shpesh, si feja edhe politika përdorin njëra-tjetrën në mënyrë të ndërsjellë për të arritur autoritetin e tyre dhe pushtetin e padiskutueshëm mbi masat që i ndjekin.
Pas rënies së Kostandinopojës, një nga gjërat e para që bëri Mehmet Pushtuesi ishte të lejonte Kishën Greko-Bizantine të zgjidhte një Patriark të ri. Qëllimi i tij ishte të sigurohej për besnikërinë e të krishterëve, mbi të gjitha të shmangte që ata t’i drejtoheshin Perëndimit për çlirim. Për këtë qëllim, ai afroi Genadios si klerikun më antiperëndimor që mund të gjendej në atë kohë. Megjithatë, nën sundimin otoman, edhe Kisha ortodokse greke fitoi pushtet të konsiderueshëm. Patriarku u vesh me autoritet civil dhe fetar dhe u bë sundimtar fetar e administrativ i “miletit” grek ortodoks, të quajtur “Rum”, që përshinte gjithë të krishterët ortodoksë të Perandorisë. Praktikisht, kjo do të thoshte se të gjitha kishat ortodokse brenda territorit otoman ishin nën kontrollin e Kishës ortodokse greke, ndërsa autoriteti dhe kufijtë juridiksionalë të Patriarkut të saj u zgjeruan jashtëzakonisht. Kështu, për njerëzit e thjeshtë përkatësia në bashkësinë e Rum-Miletit ortodoks u bë më e rëndësishme sesa origjina e tyre etnike. Kjo bashkësi u bë forma themelore e organizimit shoqëror dhe burim identiteti për të gjitha grupet etnike brenda tij, aq sa shumica filluan të identifikojnë veten thjesht si të krishterë.
Në fillim të shekullit nëntëmbëdhjetë, intelektualët grekë ortodoksë u përpoqën të rikonceptojnë Rum-Miletin, duke argumentuar për një identitet të ri kombëtar dhe një shtet të ardhshëm greko-bizantin, që në vizionet e tyre duhej të përfshinte gjithë të krishterët ortodoksë të Ballkanit. Kjo “Megal Ide”, që nënkuptonte rigjallërimin e Perandorinë Romake të Lindjes me ngritjen e një shteti të ri grek, u përhap edhe në një pjesë të popullsisë qytetare me origjinë vllahe, sllave apo shqiptare, që filluan ta shohin veten gjithnjë e më shumë si greke. Ndërkohë, reformat otomane të Tanzimatit në mes të shekullit nëntëmbëdhjetë kishin për qëllim të inkurajojnë otomanizmin në mes kombeve separatiste dhe të ndalojnë lëvizjet nacionaliste brenda Perandorisë. Pikërisht në këtë kuadër, interesat politikë të Megal Idesë së përkrahur nga Kisha ortodokse greke, përdorën argumentet fetare për t’u mohuar shqiptarëve identitetin e tyre kombëtar dhe përdorimin e gjuhës së tyre amtare. Të ndihmuar nga administrata otomane që shtypte me egërsi çdo përpjekje të shqiptarëve për të mësuar e kënduar gjuhën kombëtare, emisarët e Kishës ortodokse greke vranë e helmuan me shume zell ata që flisnin dhe meshonin shqip.
Për të shmangur çdo dyshim mbi thelbin politik të fesë, le të kujtojmë edhe mitin e Kosovës që është përdorur në të njëjtën mënyrë nga politika nacionaliste serbe, qysh prej shekullit nëntëmbëdhjetë e deri më sot. Pikërisht tubimet që kanë përkujtuar këtë mit, i kanë shërbyer politikës së përcaktimit dhe sanksionimit të kufijve të zotërimeve serbe në dëm të popullsive të tjera, ashtu siç janë glorifikuar e shenjtëruar kriminelët etno-vrastarë në emër të politikës identitare serbe. Për shembuj të sotëm të kësaj aleance të pashenjtë midis fesë dhe politikës mjafton të kujtojmë sjelljen e ndonjë imami të xhamisë së Prishtinës për president të Kosovës, apo mbështetjen pa skrupull që ndonjë politikan me influencë në Kosovë apo në Shqipëri u jep çështjeve fetare si mbulimi i grave me shami, thjesht meqë shpreson se kështu mund të fitojë më shumë pasues. Një shembull tjetër po kaq bërtitës ishte ndërhyrja brutale dhe e paskrupullt e patriarkut serb me rastin e përurimit të katedrales ortodokse në Tiranë më 1 qershor 2014, çka flet mjaft qartë për një lloj politike, në këtë rast kombëtare apo nacionaliste, në mbrojtje të interesave territorialë e politikë të Serbisë ndaj shtetit të Kosovës.
Kjo lloj aleance e pashenjtë midis fesë dhe politikës kombëtare e nacionaliste nuk është aspak e veçantë, por është fakt i pamohueshëm, kudo qoftë, për cilëndo bashkësi fetare të institucionalizuar dhe përfaqësuesit e saj zyrtarë. Sigurisht, edhe pretendimet e Kryepeshkopit grek të Kishës shqiptare për qëndrim apolitik janë shprehja më e mirë e veprimtarisë së tij politike. Ashtu si kuturisja e ndonjë imami të Prizrenit, që deklaron se Kosova nuk kishte veçse 1% popullsi shqiptare deri ne vitin 1445, kur turqit i sollën shqiptarët atje duke u dhënë toka, edhe shërbesat fetare në gjuhë të tjetërsuar janë akte politiko-fetare. Ashtu si militantizmi fundamentalist i disa agjencive myslimane në Shqipëri, si dhe në Kosovë apo Maqedoni, edhe aktivizmi rindërtues i Kryepeshkopit është një akt politiko-fetar. Çështja nuk qëndron nëse mesha është në shqip, greqisht apo arabisht, aq më pak nëse Krishti apo Allahu është shqiptar, grek apo turk. Thjesht, ashtu si paraardhësit e Kryepeshkopit helmuan e vranë gjithë ata që guxuan të meshojnë në shqip, edhe komitaxhinjtë e çetave për pavarësi kryen një akt politiko-fetar të ngjashëm kur vranë mitropolitin e Korçës. Në fund të fundit, akt politiko-fetar i së njëjtës natyrë ishte edhe persekutimi i klerikëve të të gjitha feve gjatë regjimit komunist. Përsëri, çështja nuk qëndron nëse ka dhe pse ka një aleancë të pashenjtë midis fesë dhe politikës. Në rastin e Kryepeshkopit grek, duhet kuptuar nëse politika e tij është e lidhur me interesat politikë të bashkësisë së Kishës shqiptare apo me interesa të tjerë politikë. Nëse është kështu, atëherë shumëkush mund ta quajë fare mirë jo një politikë kombëtare e aq më pak nacionaliste, por një politikë antikombëtare apo thjesht antishqiptare.
Sidoqoftë, kur flasim për fenë, kemi të bëjmë me disa gjëra krejt të ndryshme, që nuk duhen ngatërruar. Pa dyshim, kemi të bëjmë me të vërtetën e Zotit, që mund ta besojmë se është ashtu si thuhet apo ta lëmë në shenjtërinë e tij. Por, mbi të gjitha, kemi të bëjmë me udhëheqësit fetarë dhe me institucionet fetare, që janë të ngjashëm me politikanët dhe pozicionet e tyre të pushtetit dhe autoritetit. Pastaj ka një kategori të dytë që përbëhet nga besimtarë fanatikë, të cilët nuk janë domosdoshmërisht të gjithë tolerantë apo intolerantë. Dhe, së fundmi, kemi të bëjmë me masën e madhe të njerëzve normalë e të zakonshëm, përkufizimi i identitetit të të cilëve është më shumë një çështje politike e sipërmarrësve të grupeve dhe bashkësive ku ata konsiderohen apo kategorizohen se marrin pjesë. Më e keqja është pikërisht këtu. Sepse rezultati i politikave fetare shumëfishohet sa më shumë radikalizohet “përkatësia” e njërit apo tjetrit, për të arritur kulmin me esencializmin dhe fundamentalizmin e vlerave fetare e morale, siç po ndodh kohët e fundit me nxitjet nacionaliste lidhur me instrumentalizimin e përçarjeve fetare e politike apo, në disa raste ekstreme, me lindjen e çerdheve xhihadiste në Kosovë, në Maqedoni apo edhe në Shqipëri.

*Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Profesor titullar i Sociologjisë dhe Antropologjisë,
Universiteti i Lilës, Francë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura