Aleanca e Grave Deputete shtrin bashkëpunimin në Europën Juglindore

Dec 10, 2017 | 13:56
SHPËRNDAJE

Aristir Lumezi/ Shkëmbimi i përvojave të organizimit dhe përfaqësimit më të mirë të grave në jetën politike dhe sociale të vendit nxiti Aleancën e Grave Deputete që krahas aktivitetit të saj brenda vendit, të organizojë dhe takime me gratë e trevave shqiptare por dhe ato të Europës Juglindore.

AGD krijoi kontakte me Aleancat e Grave (Caucus) në rajon duke forcuar marrëdhëniet dhe duke vendosur hapa të përbashkët. Dy konferenca rajonale me pjesëmarrje të grave deputete nga i gjithë rajoni, kanë qënë arritje të rëndësishme në lidhje me fuqizimin e grave në politikë nëpërmjet bashkëpunimit dhe mbështetjes reciproke në nivel ndërkombëtar.

25139313_10155981223761692_1076120112_o

Në aktivitetin e parë të këtij lloji, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas në datë 8 Mars 2014, në Kuvendin e Shqipërisë AGD me mbështetjen e UN Women Albania dhe OSBE, organizoi një forum të hapur me temë “Sfidat e gruas shqiptare në mileniumin e tretë”.

Dhjetëra gra deputete, politikane, intelektuale, drejtuese të institucioneve të pavarura, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësuese të shoqërisë civile, gazetare nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia u mblodhën në Kuvendin e Shqipërisë për të diskutuar dhe për të ndarë shqetësimet mbi respektimin e të drejtave të grave në Shqipëri dhe rrugët që mund t’u mundësojnë grave një përfaqësim më të madh në vendimmarrje dhe kapërcimin sfidave në të ardhmen.

Seanca e posaçme u kryesua nga zonja Flora Brovina, si aktivistja dhe politikania më e vjetër që prej vitesh lufton për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të grave në vacanti.

Ky aktivitet i hapur zyrtarisht nga Kryetarja e Aleancës së Grave Deputete shqiptare, u konsideruar nga ajo si pikënisja e nevojshmë për krijimin e një Lëvizje të Përbashkët të Gruas Shqiptare dhe të krijimin e një forumi të përhershëm mes grave të trevave shqiptare.

“Janë të shumta sfidat që do të duhet të përballojmë, por asgjë nuk do të arrimë nëse jemi vetëm. Është kjo arsyeja pse sot në sallën e seancave plenare jemi bashkë gratë shqiptare të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Të gjitha ne kemi sfida të ndryshme, por problemet tona janë të ngjashme dhe kanë një thelb: pabarazia e gruas në shoqërinë tonë, trajtimi thellësisht i pabarabartë mes burrave dhe grave, vajzave dhe djemve tanë, fëmijët që rrisim vetë se kanë më shumë se vlerë se motra e tyre. Pabarazinë ne e lindim dhe shpesh e rrisim vetë,” është shprehur në këtë takim Mesila Doda, Kryetare e AGD.

Zv. Kryeministrja e Kosovës, zonja Edita Tahiri duke vlerësuar këtë nismë dhe punën e Aleancës së Grave të Parlamentit të Shqipërisë për këtë bashkim, theksoi se ky takim i gjen gratë para sfidave për demokratizimin e mëtejshëm të shoqërisë shqiptare.

“Sot në të gjithë botën në fakt, pozita e grave nuk është aty ku duhet. Të bëhemi shembull se si bashkohen jo vetëm kombi por shoqëritë nën sistemin e vlerave, në arsim, politikë, shkencë e fushat e tjera. Fuqizimi i kombit dhe fuqizimi i grave janë dy procese që duhet të shkojnë paralelisht,”, Edita Tahiri, ish-Zv.Kryeministre e Kosovës.

“Kjo nismë mundësoi që sot në Kuvendin e Shqipërisë të mblidhemi dhe bashkërisht të diskutojmë problemet e grave. Ajo çfarë është me rëndësishme është që nëpërmjet kësaj nisme kemi mundësi të njihemi me njëra-tjetrën të komunikojmë dhe të vendosim linjat e komukimi që besoj se do të jenë shumë të rëndësishme për periudhën që vjen,” u shpreh Ermira Mehmeti, Deputete e Parlamentit të Maqedonisë.

Por Aleanca e Grave Deputete organizoi në Tiranë me mbështetjen e UN Women Albania dhe prezencës së OSBE në Shqipëri takimin me pjesëmarrjen e përfaqësueseve të larta të politikës së Europës Juglindore.

Në këtë konferencë rajonale morën pjesë delegacione parlamentare nga Ankaraja, Beogradi, Prishtina, Podgorica, Sarajeva, Shkupi, Tirana dhe Zagrebi. Kjo konferencë preku çështje të rëndësishme në lidhje me praninë e grave dhe vajzave në vendimmarrje nëpërmjet katër seancave të fokusuara në katër tema kryesore: “Forcimi i rolit të gruas në politikë, parlament dhe qeveri qendrore”, “Forcimi i rolit të grave në qeverisjen vendore”, “Forcimi i rolit të grave në ekonomi”, dhe “Roli i gruas në demokratizimin e shoqërisë”.

“Udhëheqëset gra kanë nevojë për mbështetje të rrjeteve që mund të përforcojnë zërat e tyre, të publikojnë se si gratë udhëheqëse mund të ndërmarrin veprime të vërteta për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe për të krijuar solidaritet për të përballuar pengesat. Kjo Konferencë Vjetore është një nga ato rrjete… Media ka një rol të rëndësishëm gjithashtu! Dhe me rëndësi të veçantë janë partitë politike, të cilat luajnë një rol qendror në fuqizimin politik të grave. Udhëheqësit e partive politike kanë fuqinë për të hapur dyert për mundësitë kritike, për të ofruar pozita udhëheqëse të partisë ose për të krijuar kuota vullnetare për përfaqësim të barabartë”, u shpreh në fjalën e tij, Brian Williams – Koordinator Rezident i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura