“Aldo ishte në dasmë kur ndodhi vrasja për varësen”

Jun 13, 2013 | 14:46
SHPËRNDAJE

Nexhmi Hoxha, babai i Aldo Hoxhës. Aldo Hoxha në Gjykatë
Nexhmi Hoxha, babai i Aldo Hoxhës, mohoi dje në Gjykatën e Tiranës përfshirjen e djalit të tij në ngjarjen e 7 gushtit 2012 te Fusha e Aviacionit, ku u vra Fatbardha Tafa. I thirrur në gjyq si dëshmitar i mbrojtjes, Hoxha rrëfeu para trupit gjykues lëvizjet e tij dhe djalit të tij të pandehur ditën e ngjarjes. Dëshmitari tha se vrasjen e Fatbardha Tafës e kishte mësuar nga televizori dhe se në këtë kohë djali i tij ishte në një dasmë. Gjatë dëshmisë, Nexhmi Hoxha tregoi edhe momentet kur ishte përballur me djalin e tij të prangosur dhe gjysmë të zhveshur në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranës. Ai pohoi edhe bisedat e tij me Aldon në lidhje me ngjarjen ku u vra Fatbardha Tafa, si edhe pretendimet e 20-vjeçarit për dhunë fizike dhe tortura nga ana e punonjësve të Policisë në zonën e Dajtit.
DËSHMIA
Për gati një orë, Nexhmi Hoxha rrëfeu me detaje lëvizjet e tij në ditët para ngjarjes deri në momentin kur ishte shoqëruar nga policia teksa po shkonte për në shtëpinë e tij. “Nuk e di se përse më shoqëruan. Iu kërkova shpjegime, por nuk më thanë asgjë. Më pyetën në orën 02:30 të mëngjesit. Më pyetën për ngjarjen te Fusha e Aviacionit dhe iu thashë që e kisha parë në televizor. Për Aldon më pyetën kur më shoqëruan te lagjja. Iu thashë që Aldo ishte në dasmë”, tha dëshmitari. Në vijim dëshmitari tha se me djalin e tij Aldo ishte parë në ambientet e Drejtorisë së Policisë. “Aldon e pashë të prangosur në korridor, pasi më morën në pyetje. Ishte gjysmë i zhveshur”, tha dëshmitari. I pyetur nëse kishte vënë re ndonjë shenjë në trupin e djalit, dëshmitari tha që jo. Më tej dëshmitari tha se ishin lënë të lirë dhe tregoi para gjykatës bisedën që kishte bërë në shtëpi me dy djemtë e tij. “Unë u thashë djemve që sikur të dija se kush e ka bërë vrasjen, e denoncoj direkt. U thashë që, nëse dëgjonin ndonjë fjalë në lidhje me vrasjen, të më thoshin që të denoncoja”, tha dëshmitari. Sipas Nexhmi Hoxhës, djali i tij, i pandehuri Aldo, kishte treguar gatishmëri në lidhje me këtë fakt. “Aldo më tha: ‘Po ta dija, kisha treguar unë i pari’”, tha dëshmitari. Babai i të pandehurit rrëfeu se të nesërmen e kësaj dite ishte shoqëruar sërish nga policia e Tiranës dhe po ashtu edhe djali i tij, Aldo. “Aldo më ka thënë që e kanë çuar te një lokal te ‘Don Bosko’ dhe më pas e kanë çuar në Dajt. Atje e kanë rrahur dhe torturuar. I kanë thënë: ‘Na thuaj ndonjë emër çfarëdo, se nuk kemi punë me ty’”, u shpreh dëshmitari. Duke iu përgjigjur pyetjeve të palëve në proces, dëshmitari tha dje se djali i tij zakonisht nuk mbante kapele në kokë dhe se lëvizjet i bënte në këmbë, pasi nuk kishte asnjë mjet të motorizuar.

AKUZA
Aldo Hoxha akuzohet për vrasjen me thikë të Fatbardha Tafës më 7 gusht 2012 gjatë përleshjes me të për t’i vjedhur varësen e floririt. Në ngjarje u plagos edhe kunata e saj. Prova kryesore e Prokurorisë është një fije floku e gjetur në një kapele, që pretendohet të jetë gjetur në vendin e ngjarjes. ADN-ja e kësaj fijeje floku përputhet me ADN-në e të pandehurit.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura