“Në flirtim me Moskën e Putin”, Kurti përgjigje Ramës: ‘Shengeni’ s’nis me Serbinë, por me Kosovën

Nov 14, 2019 | 9:18
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje e quan të nxituar takimin trepalësh të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Ohër.

Edi-rama-Albin-kurti

Sipas Albin Kurtit, Shqipëria zyrtare duhej të priste të formohej qeveria e re e Kosovës e jo të nxitohet me takime në Novi Sad e Ohër. Kandidati për Kryeministër në Kosovë beson se projekte të tilla, Shqipëria duhet t’i niste me Kosovën dhe jo me Serbinë.

“Një lloj vrapi në Novi Sad dhe në Shkup është gabim në hapa. Nuk nis me Serbinë kjo punë. Nis Kosovë-Shqipëri, vazhdon Kroaci-Bullgari, vazhdon Sarajevë zyrtare, Podgoricë zyrtare, Shkup zyrtar e Beogradi në fund. Sepse i tillë, çfarë është ai i papenduar për luftërat dhe krimet e shkaktuara në flirtim të vazhdueshëm me Moskën e Putinit, nuk mund të ketë. Rrjedhimisht, mendoj që edhe mbledhja e Novi Sadit, edhe mbledhja e Ohrit ishin gabim në hapa. Shqipëria zyrtare u ankua se nuk ka pasur qeveri të denjë në Kosovë, për bashkëpunim çfarë ajo ka dashur dhe ka qenë e nevojshme për të gjithë ne. Meqenëse ka pritur Shqipëria zyrtare për një qeveri të denjë të Kosovës shumë vjet, ka mundur të presë edhe pak javë që të formohet kjo qeveri e të bashkëpunojmë siç dum të gjithë ne. Unë nuk e kuptoj pse kjo nguti, pse ky nxitim me Novi Sad e me Ohër e nesër në Durrës, kur jemi në prag të formimit të qeverisë së Kosovës. Nëse kanë pritur shumë vite, është dashur të presin edhe pak javë”, u shpreh Kurti. Kreu i Vetëvendosjes pritet të bëhet Kryeministër i Kosovës dhe është në pritje të rinumërimit të fundit të votave dhe shqyrtimeve të ankesave nga Gjykata Supreme e Kosovës.

“Tash e ka fjalën Gjykata Supreme dhe i kanë ngelur diku 48 orë asaj që më së largu të marrë vendimin meritor për çështjet e ngritura. Për këto nuk është e përshtatshme që të flas unë tash”, tha Kurti.

RAMA

Kryeministri Rama tha dy ditë më parë se e ka sqaruar Albin Kurtin për Mini-Shengenin. “Ata e dinë shumë mirë për çfarë bëhet fjalë dhe e dinë shumë mirë edhe të gjithë arsyetimin tim. Albinit ia kam arsyetuar gjerë e gjatë pse-në e rëndësisë madhore të këtij procesi. Tani, nëse ai nuk e kupton, do çuditesha shumë, sepse është mjaftueshëm inteligjent. Nëse bën sikur nuk e kupton, apo nuk do ta kuptojë, pastaj kjo është zgjedhja e tij. Por duket si politikë e jashtme, në raport me Shqipërinë, për punë të brendshme dhe nuk besoj që kjo është më e mira. Megjithatë, do kemi kohë dhe mundësi të tjera për t’i diskutuar dhe për t’i thelluar diskutimet”, tha Rama.

Sipas tij, në samitin e Durrësit, që do të zhvillohet në dhjetor, do të jetë i ftuar edhe Albin Kurti nëse do të ketë marrë detyrën e Kryeministrit. “Ai do të jetë absolutisht i ftuar nëse do të jetë i betuar dhe do të jetë në detyrë. Pa diskutim, sepse ne kemi qenë më parë dhe në Durrës dhe kujtoj që kemi qenë të gjithë së bashku, Kryeministri i Kosovës, Kryeministrja e Serbisë dhe nuk më rezulton që në atë kohë Serbia ta kishte njohur Kosovën dhe papritur tërhoqi njohjen dhe tani Kosova duhet të ikë nga tryeza, meqë Serbia nuk njeh Kosovën. Ka qenë një kohë mbas luftës, kur Kosovën nuk e pranonin nëpër tavolina, sepse nuk donte Serbia dhe Kosova bëri luftë për t’u ulur në tavolinë. Të ikësh nga tavolina, mbase ka arsye që unë nuk i di dhe jam i gatshëm t’i dëgjoj e nëse janë bindëse, jam shumë OK që të dakordësohem. Por më duket vërtet politikë e jashtme me Shqipërinë, për punë të brendshme në Kosovë. Për sa i përket asaj që duhet bërë një herë me Kosovën, të gjitha pikat që ne kemi në këtë nismë janë pika që duhet të ishin bërë me Kosovën, përveç kësaj të lëvizjes së lirë, që tani është e mundur, më parë ishte e pamundur edhe për shkak të Kosovës”, pohoi Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura