Albanologji të mori Gjinua, Albanologji…

Nov 18, 2022 | 7:21
SHPËRNDAJE

PROF. YLLI PANGO

download (1)

…Në vijim të prononcimeve, të gjitha në shenjë të Ledi Shkrelit (Shamku), nuk mund të rri pa thënë dy fjalë. Se më dhemb edhe mua ta marrë Usta i Paudhi (personazh i paharrueshëm i Bedri Dedes), atë pasuri të të gjithëve. Se u mora dhe unë do kohë me të e punova edhe drejtues në atë lëmë të bekuar, të trashëgimisë kulturore, pjesë e albanologjisë shqiptare.

Por jam dhe autor librash, jo pak, por 17, në lëmenj të letrave, psikologjisë e arsimit kombëtar. Dhe e dua këtë gjuhë ku jam shprehur në auditorë e në libra, prej më se gjysmë shekulli me shpirt, me zemër e me dëshirë. Është fjala për babëzinë e Gjinushit për akaparimin pa logjikë e pa parim të Akademisë së Studimeve Albanologjike, gllabërimin në tutelë të tij të Akademisë së tij.

Dhe më erdhi dhe mua vetëtimthi ndër mend një krahasim, jo më i goditur se ai i Ledit, që e krahason Akademinë me një ndër të fundmit bunkerë të së shkuarës dhe ASA, Akademinë e Studimeve Albanologjike, me qiellin që duan ta fusin në bunker. Vërtet kështu.

Por gjithsesi a ca më tej: Albanologjia, gjuhësia e historia jonë, arkeologjia e trashëgimia jonë e vyer kulturore, mbetet për mua, pemishte përherë e gjelbër, e lulëzuar, që nuk u tha e nuk do të vyshket kurrë. Përkujdesur në shekuj këtej e përkëtej këtij vendi, kudo ku flitet shqipja e bukur, jo vetëm nga një komb e popull që e flet anembanë në botë… Por edhe nga gjuhëtarë e letrarë, historianë, arkeologë, njerëz e pasionante të kulturës, gjuhës, trashëgimisë kulturore, që i kushtuan e vazhdojnë i kushtojnë jetën kësaj dashurie, bukurie qe na mbajti e na mban gjallë si komb.

Dhe tani këtë pemë të tentosh ta shkulësh nga është e nga s’është e të tentosh ta mbjellësh në një pyll të vockël terr, mes ca drurësh të kalbur, e degësh të rëna, zgërbonjash të vjetra… nuk di ç’të them( të më falin ca pak me vlera, atje në atë bunker, që kanë mbetur ende gjallë e që pse jo, edhe për arsye mbijetese detyrohen të rrinë nën atë myk e lagështi lavdie të cofun). Dhe të ta bëjë këtë një “humorist” e profan gjuhe e letrash, që dhe gjuhën e nënës e flet keq.

Shtrembër-shtrembër e në dialekt të rëndë, që tallet me gjuhën e me letrat e që tash do dhe t’i bëjë zap e t’i ketë nën hyqëm. Thjesht ashtu. Për të zgjeruar edhe ca perandorinë e rrënuar, dhuruar në pleqëri që të ksehaset edhe ca. Se nuk i rrihet dot pa pushtet deri në vdekje. Paçka se nuk ka lexuar a ndjerë një poezi a tregim, lëre më roman në jetë të tij. E doemos kësisoj edhe citimet i vjedh gabim, nga autorë a libra të paqenë, servirur nga hokatarë, që tallin b.. me pseudoshkencën tonë. Është ai e koha e tij, kur në bibliotekë të Akademisë së Shkencë-zezës, spikasin libra sharlatanësh të gjuhës e historisë së shqipes (nga t’i njohë të vërtetët).

Nga t’i njohë një që do ta ketë domen të tijin një gjallesë aq vitale e të pavdekshme, që mirë që nuk e njeh a s’e shijon farem por që me gjasë e ka urryer. Natyrshëm. Përderisa i ka përbuzur a edhe goditur vetë njerëzit e mirë të këtyre dijeve të vyera. E përndoqi derisa doli në pension studiuesin e drejtuesin e mirë e të ndershëm të ASA, M. Verli. O do e fuste në bunker me gjithë ASA, o s’ka. Nuk ia doli. Tani prapë me pallë zhveshur: “O do e marr, o s’ka”. Dhe do t’i jap shkëlqim të së shkuarës. Cilës vallë! Ja një episod përmbyllës i asaj të shkuare, që të njihni atë “çkëlqim”. Dhe veç tij, deri në thelb edhe gustot e tij a më saktë mungesën e çdo lloji syresh, në lëmenj të gjuhës, historisë e kulturës sonë popullore.

…Na i venë një herë zotërisë, asokohe kur ishte shoku-ministër, e na e pyesin se si e qysh t’ia bëjnë një vepre të Kadaresë që kanë harruar a lënë me kast pa e përfshirë në antologjitë letrare të shkollave. “Po përse flet…ky…, kjo vepra”, pyet ministri ca si ngatërrueshëm në atë dialektin e rëndë që s’e korrektoi e s’e korrektoi kurrë… ky pretendentdashnor i shqipes… “Po ja”, i gjegjet përmbledhtas, me ca pak fjalë të mekura, inspektori, “Flet për këtë e për atë, për aksh vend e filan personazh… për këtë ngjarje e atë materie…”.

“Po sa faqe ka ky kjo libër..?”, pyet edhe një herë tinëzisht, kinse me kodoshllëk zotnia i sotshëm i bunkerit, asokohe shok drejtues. “Po nja 300-350 faqe, shoku ministër…” “Po pse nuk i thotë kështu në 3-4 rreshta siç i the ti, ky Kadareja këto… Po ësh’ lodhur e na ka shkrojtur tërë ato faqe…na(nga) do e gjejë kohën nxënësi ta lexojë…”. Dhe rri e sheh inspektorin e strukur e “sa s’shpërthen në gaz me të madhe hingëllimë”, me humor të vetes, ky njohës i “çkëlqyer” i gjuhës e letrave tona, sot pretendent edhe për një tokë tjetër të paxanun.

Tamam për atë të letrave, gjuhës e historisë… P.S. E kam përmendur edhe diku tjetër, por më duket me vend ta përsëris këtu. Akademisë sot, me mënyrën si e ka bërë zgjedhjepërzgjedhjen e akademikëve, i mbetet një detyrë edhe më e rëndësishme se ajo e akaparimit të “tokave të reja”. Zgjedhja e sekretarit të organizatës bazë të partisë së institucionit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura