Lidhja Demokratike e Gruas Shkodër ka organizuar një takim sensibilizues në kuadër të 16 ditëve ndërkombëtare të aktivizmit për dhunën në familje.
E pranishme në takim, deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, u ndal gjatë fjalë së saj tek situata e dhunës në familjet shqiptare, ku sipas saj shifrat janë në rritje dhe tregojnë se kemi një përkeqësim të përvitshëm të situatës.
“Të gjithë institucionet heshtin, gratë ministre heshtin, deputetet e maxhorancës heshtin…Dhuna po gjen terren në një Shqipëri që po gjunjëzohet nga varfëria e papunësia gjithnjë e në rritje.
Gratë e fëmijët janë ata që vuajnë më shumë keqqeverisjen pasi çdo ditë pësojnë dhunë sistemike: verbale, psikologjike, fizike, institucionale. Përtej fasadës shumngjyrëshe të propagandës me numrin e grave në Qeveri e Parlament, gratë e fëmijët janë viktimat më të mëdha të shoqërisë shqiptarë.
Për fat të keq moszbatimi i ligjeve për të mbrojtur jetën e grave fillon tek institucionet, agjencitë të cilat luftën kundër dhunës e kanë kthyer në një propagande zyrtare shifrash dhe poltikbërjeje në favor të qeverisë.
Një studim i OSBE ka publikuar shifra tronditëse: 67% ose 1 milionë gra në Shqipëri pësojnë një formë dhune.
Pse ndodh kjo? Sepse mekanizmi i referimit të dhunës në familje është jo funksional: as policia, as organi akuzës, as gjyqësori, as pushteti vendor, as pushteti qendror as Parlamenti nuk po bëjnl punën e tyre si duhet… e viktimat janë gratë e fëmijët.
Institucionet shtetërore shpesh nuk mbrojnë gratë, por dhunuesit me lidhje me pushtetin.
Çështjet e dhunës duhet të kthehen në prioritet të axhendës së kurrikulës së edukatës qytetare nëpër shkollat nëntëvjeçare dhe ato të mesme. Ne po rrisim breza të predispozuar ndaj dhunës dhe për shkak të një edukimi arsimor të cunguar.
Kur Shoqëria civile ka mbetur pa zë e media censurohet çdo dite, roli i grave të LDGSH si misionare të shpresës është edhe më i madh.
Mbrojtja e grave, vajzave dhe fëmijëve nga dhuna duhet të kthehet një kauze kombëtare jo me fushata dy javore por në çdo ditë vitit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al