Albana Osmani: S’kam ambicie për këngëtare, por për botën e show-t

Jun 25, 2012 | 11:50
SHPËRNDAJE

Gjithçka nisi si një shaka mes miqsh… Rezultati?! Një këngë e re e sapoprezantuar në tregun muzikor shqiptar. Albana Osmani provon të vihet në vendin e atyre që ka prezantuar në skenat muzikore dhe në ekranin e “Top Channel”, duke bashkëpunuar me Mentor Hazirin, solistin e grupit kosovar “Kthjellu”.

Simpatike, shtatlartë, dhe e pozicionuar mirë profesionalisht në ekranin e “Top Channel”, Albana Osmani është shfaqur në formate të ndryshme emisionesh, por gjithnjë brenda kuadrit të televizionit. Ndryshe nga përditshmëria e punës së saj, mes skaleteve të formateve muzikore, ato për të rinjtë, apo së fundmi edhe “Fun Club” dedikuar personazheve të reality show-t “Big Brother Albania”, këtë herë ajo ka sprovuar veten në një tjetër aspekt, siç është muzika. “I çmendur për ty” është titulli i këngës që prej disa ditësh gjendet edhe në Youtube, por vetëm si audio, pasi për videoklipin nevojitet edhe pak kohë deri në produktin final të tij. Kjo këngë e re vjen si një bashkëpunim mes miqsh: Albana Osmanit, Mentor Hazirit, solistit të grupit “Kthjellu”, teksti është shkruar nga Eneda Tarifa, ndërsa kompozimi mban firmën e Flor Mumajesit. Vetë Albana, duke rrëfyer për këtë eksperiencë të re, nuk e fsheh entuziazmin, por as nuk rreket të pranojë se muzika është ambicia e qenësishme artistike për të.
“Muzika preferencë, por jo ambicie profesionale”
Tentativat e së shkuarës për t’u marrë me muzikën kanë rezultuar jetëshkurtra. Disa herë i qëlloi të këndonte drejtpërdrejt në formatin televiziv “E diell” në sfidat muzikore mes skuadrave të personazheve publikë dhe këngëtarëve profesionistë, por gjithçka mbeti brenda studiove të “Top Channel”, pa ndonjë synim të veçantë për t’u marrë me muzikën. Situata u përsërit edhe në momentin kur, e synuar në kuadrin e shakasë, si një orvatje për një eksperiencë ndryshe, ajo krijoi një këngë me Flor Mumajesin, me titull “My number one”. Por, pa e kuptuar as vetë, Albana Osmani u gjet përpara ftesës së hapur nga solisti i grupit kosovar “Kthjellu”, për të realizuar një bashkëpunim mirëfilli muzikor. “Ideja e realizimit të këngës nisi që në dhjetor, periudhë kur unë isha pjesë e rubrikës ‘Famë’ në ‘E diell’. Në këtë format televiziv garonin skuadrat në dy disiplina, këngë dhe kërcim, e skuadra ime doli fituese. Mentori ishte pjesë e ‘E Diell’ bashkë me Rovena Dilon në rubrikën “Dyshet fantastike”. Gjithçka nisi me shaka mes meje dhe mikut tim, Mentorit. Më pas Flori Mumajesi që është edhe kompozitori i këngës, më inkurajoi duke më thënë ‘Ti këndon Albana dhe bashkë mund të bëjmë një këngë të bukur’. Teksti u realizua nga mikja ime Eneda Tarifa e kësisoj kënga u realizua me një frymë të madhe bashkëpunimi mes miqsh të mirë dhe profesionistësh siç janë ata të tre, që koha i ka vlerësuar”, thotë Albana. Përpjekjet e para deri në realizimin final të këngës, jo pak herë u shoqëruan me emocione, me prova të njëpasnjëshme muzikore në studion e Flor Mumajesit, sepse nëse për Mentor Hazirin muzika është zgjedhja profesionale e jetës, gjë e cila e identifikon edhe si një artist të kompletuar, për Albanën muzika mbetet ende në nivele amatoreske, përjashtuar rastet kur ritmet e saj i qetësojnë shpirtin dhe gjendjen emocionale sa herë ajo dëgjon muzikë në makinë, kufje apo në ambientet që frekuenton. Atëherë, natyrshëm lind pyetja, çne ky interes i beftë i 32-vjeçares për t’u prezantuar edhe si këngëtare?! “Unë nuk kam asnjë ambicie për t’u bërë këngëtare e afirmuar. Por, këtë përvojë e cilësoj si iniciativë personale për të qenë brenda botës së show-t. Aktualisht, po e shijoj pa fund këtë moment, si shumë të tjerë që kam përjetuar dhe do të përjetoj në atë çka ofron bota që zgjodha t’i përkushtohem, ajo e televizionit”, thekson Osmani.
Një këngë dashurie
Kënga “I çmendur për ty” dhe audio e këtij bashkëpunimi muzikor mes Albana Osmanit dhe Mentor Harizit ka disa ditë që është bërë pjesë e sitit elektronik Youtube, dhe deri më tash ka thithur mbi 2 mijë klikime. Kjo këngë është një dedikim për cilindo që ka përjetuar një ndjenjë të fortë dashurie të mundur, apo të pamundur qoftë. “Gjithçka ndodhi kaq shpejt, e besoj se pati impakt shumë pozitiv. Kënga është e rrymës dance, tipike për sezonin veror, ku plazhet mbipopullohen nga pushuesit. Ka shumë ritëm në të, ka një tekst të spikatur, për më tepër është një himn për dashurinë. Nga miqtë e mi, njerëzit që më njohin, apo edhe pjesëtarët e familjes kam marrë shumë komplimente dhe fjalë të bukura. Unë vetë ndihem e plotësuar që sprovova veten në një tjetër zhanër artistik, dhe ndiej se më tërheq pa fund muzika, por sërish kjo mbetet në cilësinë e një preference individuale, e jo si një zgjedhje profesionale e të ardhmes. Tanimë, e kam gjetur veten në botën e televizionit e ndihem më tepër se komode”, vijon Albana Osmani. Teksa i këndon ndjenjës së dashurisë, ajo tregohet diskrete në detajet mbi statusin e momentit dhe faktin nëse është në një lidhje dashurie ose jo. Tani është e përqendruar te kënga e re dhe po shijon suksesin. Edhe pse këto ditë të nxehta vere janë më intensivet për të. Mes përgatitjeve serioze për videoklipin e këngës “I çmendur për ty”, ku protagonist do të jetë Mentori bashkë me Albanën, për prezantuesen simpatike nevoja për disa ditë pushime pas mbylljes me sukses të sezonit televiziv, ka trokitur në derë… E bashkë me të, edhe dëshira për të udhëtuar e për t’u argëtuar.

ERMIRA ISUFAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura