Alban Skënderaj: E kam peng që s’iu përkushtova sa duhet tregut të huaj

Mar 1, 2015 | 11:10
SHPËRNDAJE

Në foto: Alban Skënderaj dhe Miriam Cani
Zëri i tij romantik dhe plot ngjyrë bën për vete sidomos femrat, por edhe meshkujt. Alban Skënderaj është rrëfyer për emisionin ”Prive” në lidhje me turin e tij të fundit, si dhe bashkëpunimin e ri me të dashurën e tij.
E ke nisur turin e koncerteve në Kosovë me Gjakovën, pse pikërisht atje?
Pritja e Gjakovës ka qenë e mrekullueshme, një vend që ka fuqinë ta bëjë një artist të shkëlqejë. Kjo sepse është një qytet me histori dhe shumë artdashës. I falënderoj të gjithë, komunën dhe kryetaren, e cila ka qenë një përkrahje në këtë projekt.
Identifikohesh akoma me këngën e parë dhe a ke nostalgji për këngët e tua?
Njerëzit më identifikojnë me këngën e parë si një himn i imi, unë kam dashuri dhe për këngët e tjera, këngë që i dua dhe më mungojnë si më parë. Zakonisht jam i dhënë pas këngëve me emocione, ku   unë e gjej më shumë veten.
Të ka ngelur peng ndonjë gjë në karrierë deri më tani?
E vetmja gjë është fakti që kam shpenzuar jo sa duhet kohë që arti im të dilte jashtë kufijve tanë, se është dëshirë dhe nevojë e një artisti për të zgjeruar karrierën.
Megjithatë, ju keni pasur bashkëpunim me Miriamin që është dëgjuar jashtë?
Kënga është pëlqyer shumë dhe doli në një top charts gjerman me disa këngë dashurie para tri-katër vitesh, kënga ishte në një CD dhe u shit me mbi 250 mijë kopje në të gjithë Gjermaninë.
Ka kohë që nuk keni ardhur në duet me Miriamin, apo është vendim i të dyve?
Bashkëpunimet me Miriamin do vijnë shpejt se i përjetojmë bashkë këngët si çift. Nëse realizojmë bashkëpunim, është sikur bëhemi një trup i vetëm. Shpresoj së shpejti, pas kaq kohësh mungesë, të vijmë me një bashkëpunim.
Po për albumin e ri çfarë mund të na thuash?
U them të gjithëve se këngët do jenë shumë të bukura dhe kërkojnë kohë e  mund që të realizohen sipas dëshirës dhe mendimit që kam unë për këto këngë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura