“Alarmi ra, por kujtova mos ishte mizë”- Biznesmenit i “boshatisin” dyqanin, ja çfarë tregon në Polici pasi zbuloi atë që kishte ndodhur

Apr 5, 2021 | 13:43
SHPËRNDAJE

hajdut

Një tregtar kishte marrë masa parandaluese ndaj hajdutëve. Ai kishte vendosur sistem alarmi që do të mund ta njoftonte për çdo hyrje të dyshimtë, kudo që të ndodhej.

Por mbrëmjen që alarmi ra, ai nuk e la dot shtratin. I bindur se alarmi mund të ishte provokuar nga ndonjë mizë, tregtari ishte kthyer nga krahu tjetër dhe kishte vazhduar gjumin i qetë.

Derisa të nersërmen kuptoi se hajdutët nuk e kishin falur dhe se duhet ta kishte vlerësuar siç duhet sistemin e alarmit.

Kjo ngjarje përshkruhet e tillë në komisariatin numër 5 në Tiranë, ku dhe u krye deponimi për vjedhjen e disa stekave të duhanit, një ngjarje për të cilën është vënë në kërkim një fëmijë një 11-vjeçar.

Burime policore të Gazetës “Si” shpjegojnë se herët në mëngjes, kur shtetasi F.Z shkoi të hapë dyqanin, gjeti derën e biznesit hapur dhe i shtangur e i zhgënjyer, ai telefonoi sallën operative.

Po aq i zhgënjyer ishte 45-vjecari dhe nga sistemi i alarmit që pati instaluar që ta kishte biznesin të sigurtë… derisa u kujtua se pajisjet paralajmëruese në fakt kishin funksionuar më së miri.

E dëgjova sistemin e alarmit, ra në mesnatë dhe mendova se mos ndonjë mizë e kishte aktivizuar, ndaj fjeta i qetë”, ka thënë në polici F.Z, i cili disponon një dyqan në rrugën “Derjan”, në lagjen Bathore.

“Kur hyra në dyqan, vura re që paketat e cigareve mbi banak mungonin dhe më pas në sirtarë mungonin dhe rreth 35 mijë lekë (të reja), kjo vlerë monetare ishte poshtë banakut. Kontrollova në sirtarë se mos ishin ndokund tjetër, por jo, po ashtu mungonin dhe monedhat e holla që i kisha lënë pa merak. Me një fjalë, më vodhën”, ka shpjeguar një më një F.Z.

Sipas burimit policor, tregtari ka kontrolluar kamerat e sigurisë ku dhe ka parë që një person i ri, kishte hyrë nga dritarja dhe kishte vjedhur paketat e cigareve dhe gjithë kujdes mandej ishte larguar nga dera kryesore.

“Ora kur ai hyn në dyqan korrespondon me orën kur ra alarmi dhe që unë e mendova se ndonjë mizë po provokonte sistemin”, shpjegon ky shtetas që përshkruan se çfarë ka parë në kamera.

Sipas tij, hajduti kishte doreza në duar dhe kapuç në kokë.

Por policia shpjegon se megjithë kërkimet për gjurmët e hajdutit, konstatoi se pas vjedhjes, biznesmeni kishte vazhduar aktivitetin duke shitur dhe kjo e vështirëson disi zbardhjen e ngjarjes.

Ndërkohë janë administruar pamjet nga kamera e sigurisë ku shfaqet hajduti. Burimet e policisë dyshojnë se vjedhjen e cigareve e ka kryer një djalë i mitur, identiteti i të cilit është i qartë për agjentët.

Fëmija është i moshës 11 vjeç, me prindër të divorcuar dhe në kushte të rënduara ekonomike. Menjëherë sapo agjentët janë vënë në kërkim të tij, ai nuk është gjetur në shtëpi.

“Ne disponojmë të dhënat e të dyshuarit – shtoi burimi policor i Gazetës “Si”, – duke qenë se ai njihet për precedentët e theksuar në fushën e vjedhjeve pavarësisht moshës së mitur. Por sidoqoftë, derisa fëmija të gjendet nuk mund të thuhet me siguri diçka e tillë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura