Alarmi/ 100 punëdhënësit më të mëdhenj, ç’do ndodhë me Call Center

Apr 8, 2017 | 8:25
SHPËRNDAJE

Cilët janë 100 punëdhënësit më të mëdhenj në vend. Me kompanitë e mëdha, si banka dhe telekomunikacione, që nuk po rriten më, presionin e lartë që vjen nga Italia për call center-at dhe goditjen e vetëpunësimit, shpresat janë te zhvillimi i turizmit dhe sidomos orientimi drejt teknologjisë së informacionit.

Call Center 1

Sa pak ndërmarrje të mëdha private me mbi 450 të punësuar, që ka Shqipëria! Nga 45 sipërmarrjet private me numrin më të lartë të punonjësve në vend, 7 janë call center. Ja sektori që mund të sigurojë punë deri në 50 mijë persona, nëse nxitet nga politikat qeveritare

Në sistemin bankar, në vitin 2016 u shtuan neto vetëm 28 të punësuar. Vendi i preferuar i punës për shumë të rinj me arsim të lartë, që janë në kërkim të një perspektive për karrierë dhe paga të kënaqshme, vitet e fundit nuk është më lehtësisht i disponueshëm, si disa vite në parë, kur punësimi rritej me ritme dyshifrore. Sistemi është në stanjacion, një pjesë e madhe e bankave janë me humbje dhe oreksi i tyre për t’u zgjeruar është minimal: vitin e kaluar u mbyllën 15 degë, duke zbritur në 503, sipas të dhënave zyrtare nga Shoqata e Bankave. Në total, në fund të 2016-s kishte gati 7 mijë persona që punonin në banka

E njëjta tendencë konstatohet në shoqëritë e telekomunikacioneve, edhe ato ndër më të preferuarat dhe të paguarat. Teksa normat e fitimit kanë rënë dhe konkurrenca është rritur, operatorët po tregohen të rezervuar në hapjen e vendeve të reja të punës dhe vitet e fundit, numri i të punësuarve ka mbetur në rreth 420-450 për Vodafone dhe Telecom Albania, ndërsa Albtelecom e ka reduktuar numrin e tyre në rreth 860 (sipas të dhënave të fundit të 2015-s), pas ristrukturimit dhe shkrirjes me Eagle Mobile.

Nuk ka më shumë shpresa as për doktorët në spitalet private, që tashmë duket se i kanë plotësuar nevojat për personel dhe ndryshe nga periudha 2012-2014, kanë shumë më pak kërkesa për mjekë të rinj.

I vetmi sektor që ka parë rritje vitet e fundit ka qenë call center, që tërhoqi një sërë kompanish italiane të transferonin aktivitetin e tyre në Shqipëri, duke shfrytëzuar koston e lirë të fuqisë punëtore dhe njohjen e gjuhës italiane nga të rinjtë. Por e ardhmja e këtij sektori, pavarësisht avantazheve të dukshme, është vënë në pikëpyetje pas sulmit të hapur të qeverisë italiane, që po u vë barriera sipërmarrjeve të këtij sektori dhe mungesës së kundërpërgjigjes nga qeveria shqiptare.
Shqipërisë i mungojnë dukshëm kompanitë e mëdha private me më shumë se 450 të punësuar dhe hyrjet e reja numërohen me gishta vitet e fundit.

Sa më të mëdha ndërmarrjet aq më shumë janë në gjendje të amortizojnë goditjet e krizës dhe rënies së konsumit, si rrjedhojë e ekonomisë së shkallës, ndryshe nga të vegjlit, që janë më të brishtë.
Sipas të dhënave të përpunuara nga “Monitor”, në bazë të listës së 100 punëdhënësve më të mëdhenj në vend, në të përfshihen 45 sipërmarrje me kapital privat (me më shumë se 450 punëtorë), 11 janë kompani me kapital shtetëror dhe 44 të tjera janë ente shtetërore (bashki, spitale, ujësjellës, drejtoritë e policive etj.).

Nga këto 45 ndërmarrje private dominon sektori i këpucëve, që punon kryesisht me material porositësi, me 11 të tilla, 7 janë në fushën e call center, 5 janë banka, 3 janë subjekte të sigurisë fizike, 4 janë baste sportive, 2 arsim privat, të tjerat janë në fushën e televizionit, prodhimit të naftës, minierave, ndërtimit (rrugëve) etj. Mungojnë sipërmarrje të mëdha prodhuese, apo dhe biznese të teknologjisë së informacionit, drejt të cilave po orientohet sot e gjithë bota.

Nga 45 punëdhënësit më të mëdhenj privatë në vend, 7 janë nga sektori i call center, e ardhmja e të cilit nëse nuk evoluon dhe nuk përshtatet, mbetet në pikëpyetje. Këto 7 sipërmarrje kanë së bashku 10 mijë të punësuar.

Varësia nga call center

Nga 45 punëdhënësit më të mëdhenj privatë në vend, 7 janë nga sektori i call center, e ardhmja e të cilit nëse nuk evoluon dhe nuk përshtatet mbetet në pikëpyetje. Këto 7 sipërmarrje kanë së bashku 10 mijë të punësuar.

Punëdhënësit më të mëdhenj në vend (pa entet publike)

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) është punëdhënësi më i madh në Shqipëri. Në fund të vitit 2015, kompania kishte rreth 6 mijë të punësuar.
-Intercom Data Service (IDS) është punëdhënësi i tretë më i madh në vend (pa OSHEE dhe Drejtorisë Arsimore Tiranë) dhe i pari nga sipërmarrjet private, me rreth 3 mijë të punësuar. E përqendruar në aktivitetin e thirrjeve telefonike, IDS është nga pionierët e parë të këtij sektori në vend, që vitet e fundit ka punësuar mijëra të rinj shqiptarë, madje po tërheq edhe të rinj italianë, teksa po diversifikohet dhe në shërbimet online të marketingut.
-Renditjen e vijon Top Bast, një subjekt që vepron në aktivitetin e lojërave të fatit, me gati 2200 të punësuar. Më shumë se hapje reale e vendeve të punës, ky rezulton një formalizim, pas aksionit të qeverisë në vitin 2015 në këtë sektor. Në renditjen e punëdhënësve më të mëdhenj janë dhe operatorë të tjerë të këtij segmenti si I T S G A, Loto Sport dhe Top Start. Të katërta kompanitë deklarojnë gati 5 mijë punonjës, pothuajse dyfishim në raport me 2014-n.
-Dy sipërmarrjet e tjera të mëdha call center janë Albanian Marketing Service (Teleperformance) dhe Albacall, me përkatësisht 2150 dhe 1800 të punësuar. Ky sektor dominon dukshëm në renditjen e kompanive më të mëdha për nga pesha në punësim. Në total, nga 43 mijë punonjës të punësuar nga 45 më të mëdhenjtë, 23% i përkasin call center. Operatorë të tjerë të mëdhenj janë PARR, Professional Marketing Albania, Tregi Marketing Group, FIBER.
-Sektori i fasonit vijon të jetë punëdhënës i madh, sidomos në prodhimin e këpucëve që ka përparuar në raport me tekstilet dhe pjesa më e madhe e sipërmarrjeve e kanë mbyllur ciklin, duke rritur vlerën e shtuar. Alba Shoes Group mbetet më i madhi për numrin e të punësuarve, me rreth 1200 punonjës. Më pas renditen Remal, Fital, Donianna, Endi sh.p.k., Dophil. Nga bizneset e veshjeve, më i madhi është Naber-Shijak. Center Shqiptare Berat, me aktivitet në fabrikimin e letrës dhe kartonit të valëzuar dhe ambalazhit me karton, ka rreth 1000 të punësuar.
-Nga bankat, kryesimin e kanë Raiffeisen dhe BKT, së bashku me Credins e Intesa Sanpaolo Bank.
-Sipërmarrjet e naftës, që kryesojnë renditjen sipas qarkullimit vjetor, janë kryesisht tregtues të mëdhenj (Kastrati) dhe me kapital intensiv (Bankers Petroleum) dhe punësojnë nga rreth 500 persona secili.

 

monitor 774.indd

Çfarë do të ndodhë me call center

Intercom Data Service (IDS), që është kompania më e madhe e punëdhënësve privatë në Shqipëri kishte rreth 3000 të punësuar në fund të vitit 2015. Agron Shehaj, administrator i sipërmarrjes, thotë se numri i të punësuarve edhe aktualisht ka mbetur i pandryshuar. “Është e vështirë të rritesh kur je i madh”, thotë ai, ndërsa shton se edhe konkurrenca është shtuar. Shehaj pohon se do të mbajë pozicionin që ka me IDS-në, ndërsa pret rritje shumë të madhe te kompania tjetër Localweb, agjencisë së webmarketing e krijuar në Itali në gusht 2013, ku mbi 250 të rinj punojnë në zyrat e Tiranës.

Përmes internetit (Google, Facebook) ata gjejnë klientë për bizneset me të cilët ata kanë kontrata. “Me Localweb jepet shërbimi i reklamës në web për sipërmarrjeta e mesme dhe të vogla në Itali”, thotë Shehaj. Investimi për Localweb është në radhë të parë një diversifikim në një fushë me shumë potencial, që është tregu dixhital. Ai nuk ka në qendër biznesin e call center, por webmarketing, që nuk preket nga ndryshimet e ligjit në Itali. “Ne nuk po bëjmë një call center më të mirë, ne po shkojmë përtej call center”, ka pohuar Shehaj.

Në fakt, kalimi në një tjetër nivel, përtej thirrjeve, po shihet si “shpëtimi” për sektorin e qendrave telefonike, për të cilin interesi vijon të jetë shumë i lartë, por që po sulmohet fort nga Italia. Më 1 prill hyri në fuqi ligji i ri i delokalizimit në Itali, i miratuar nga qeveria italiane në dhjetor të vitit të kaluar, që tenton të forcojë masat ndaj fenomenit ‘dumping’ në sektorin e call center, që kanë sjellë krizë në punësim dhe një rënie të vazhdueshme të marzhit të fitimit në Itali, ku një pjesë e madhe e vendeve të punës është transferuar në Shqipëri, për shkak të avantazhit të kostos së fuqisë punëtore dhe njohjes së gjuhës italiane. Ligji vendos sanksione deri në 150 mijë euro për shkelje si mosdeklarimi i origjinës nga bëhet telefonata, mosruajtjen e të dhënave, mosnjoftimi i delokalizimit, mosdeklarimi i numrit të punonjësve, transferimi i punonjësve etj. P.sh., mosinformimi i vendit nga bëhet thirrja shoqërohet me një sanksion administrativ prej 50,000 eurosh për çdo ditë të shkeljes së ligjit, pavarësisht nga numri i thirrjeve “jo të rregullta”.

Operatorët e tregut pohojnë se ky presion ka filluar të ndihet. Kompanitë e mëdha italiane kanë filluar që të reduktojnë kontratat në Shqipëri. Telecom Italia Mobile (TIM), platforma televizive me pagesë Sky dhe Fastweb (fibra optike), të cilat kanë kontraktuar operatorë shqiptarë për shërbimet e call center, po tërhiqen gradualisht.
Sektori i call center në Shqipëri ka 25 mijë të punësuar dhe ka njohur një zgjerim të shpejtë vitet e fundit. Por, ndërsa të paktën ndërmarrjet e mëdha do t’i mbijetojnë presionit italian, nuk pritet që rritja të vazhdojë me ritme të njëjta, ndërsa ka sinjale se disa subjekte kanë filluar të mbyllen.

Qeveria italiane duket e vendosur për të mos lejuar as transferimin e kompanive të tjera në Shqipëri dhe po u bën presion kompanive celulare, televizive të internetit të mos rinovojnë kontratat me operatorët shqiptarë. “Il Sole 24” shkruan se legjislacioni “antizhvendosje” në industrinë e call center, miratuar në ligjin e buxhetit (ndër më kufizueset në BE) ka filluar të tregojë rezultate. “Vetëm në janar janë vënë 20 sanksione në raport me 30 që u zbatuan gjithë vitin e kaluar – ka pohuar ministri i Zhvillimit ekonomik, Carlo Calenda. – Hapi i dytë, tani, është që të shmanget lëvizja dhe brenda Europës, në mënyrë që kompanitë të mos kalojnë nga Shqipëria në Rumani. Tani për tani, kemi marrë OK nga 12 nga lojtarët kryesorë, ne duam që të arrijmë deri në 15”. Çështja është që në skenarin aktual ekonomik, “sektori i call center ka nevojë për një nivel mbrojtjeje të veçantë”, ka shpjeguar zyrtari i qeverisë.

Punesim 3Mbylljet e mëdha

Disa kompani, punëdhënës të mëdhenj, nuk janë më në treg si Kurum, që shpalli falimentin për arsye ristrukturimi në shkurt 2016. Në vitin 2015, ai kishte më shumë se 500 punonjës. Transatlantic Albania, që shfrytëzonte me koncesion dy vendburimet e naftës dhe gazit në Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul, me gati 500 punonjës, i është prishur kontrata nga Albpetrol. Megjithatë, shfrytëzimi i burimeve është marrë në dorë nga kjo e fundit, që ka hapur sërish garën.
Përpunuesi i naftës, ARMO, me mbi 1000 të punësuar në fund të 2014-s vijon të jetë në një situatë të komplikuar, edhe pasi u mor në shfrytëzim nga kompania offshore IRTC ku një pjesë e madhe e punonjësve po i kërkojnë pagat e prapambetura përmes përmbarimit, ose gjykatës.
Kuarta, shoqëria e tregtimit me pakicë të naftës (që ka qenë pjesë e ish- grupit Taçi Oil) me rreth 400 të punësuar në 2014-n, është tashmë e falimentuar.
Ndërsa këta punëdhënës të mëdhenj kanë dalë nga lista, nuk shihet të ketë hyrje të reja të sipërmarrjeve private, me më shumë se 400 të punësuar, në 2015-n. E vetmja kompani e re, e renditur në listën e punëdhënësve më të mëdhenj është JEU, e hapur në 2014-n dhe me aktivitet në fushën e material-porositësit.

Mungojnë dhe investimet e huaja në industri apo fusha të tjera përveç gazsjellësit TAP, që do të gjeneronin vende të reja pune me ritëm të shpejtë.
Bizneset, të paktën në afatin e shkurtër, kanë deklaruar një ngrirje të investimeve, për shkak të situatës së paqartë politike, që nënkupton më pak vende pune të hapura.
Ka një orientim pozitiv drejt turizmit, teksa bizneset po i alokojnë në këtë sektor investimet e tyre, por dhe këtu është problematike cilësia e fuqisë punëtore dhe rreziku se këto investime mund të kthehen në një flluskë për shkak të infrastrukturës së dobët dhe shfrytëzimit të turizmit për një periudhë të shkurtër të vitit.

Shqipëria ka një numër të lartë të punësuarish në turizëm dhe listohet si vendi i tretë në botë që siguron punësim të lartë në këtë sektor, sipas të dhënave të World Travel and Tourism Council (WTTC). “Shqipëria vjen si surprizë në vendin e tretë, ku 24% e vendeve të punës (një në 4) janë ri rezultat i turizmit. Për 50 vjet e mbyllur nga bota, Shqipëria ende nuk mund të quhet destinacion i profilit të lartë turistik, por turistët tërhiqen nga produktet turistike të panjohura kryesisht në Rivierën Shqiptare dhe Alpet e Shqipërisë. Markat ndërkombëtare ende mungojnë në vend, po sipërmarrja është duke lulëzuar dhe kjo do të thotë që autenticiteti është pika më e fortë e turizmit shqiptar”, thuhet në raportin e World Travel and Tourism Council të publikuar së fundi mbi impaktin ekonomik të Udhëtimeve dhe Turizmit, fokusuar tek shtetet që krijojnë më shumë vende pune nga turizmi.

Vende të reja pune?!

Bizneset, të paktën në afatin e shkurtër, kanë deklaruar një ngrirje të investimeve, për shkak të situatës së paqartë politike, që nënkupton më pak vende pune të hapura.Ka një orientim pozitiv drejt turizmit, teksa bizneset po i alokojnë në këtë sektor investimet e tyre, por dhe këtu është problematike cilësia e fuqisë punëtore dhe rreziku se këto investime mund të kthehen në një flluskë për shkak të infrastrukturës së dobët dhe shfrytëzimit të turizmit për një periudhë të shkurtër të vitit.

TAP, shumë para, pak punësim

Gazsjellësi TAP, një nga projektet madhore në vend, pritet që të investojë në total në Shqipëri rreth 1.5 miliardë euro, që përfshin kostot e tubave dhe gjithë pajisjeve e makinerive të nevojshme për ndërtimin e gazsjellësit (Rreth 13,000 tuba, me gjatësi 18 dhe 12 metra, do të përdoren për ndërtimin e seksionit tokësor në Shqipëri).
Në 2017-n, investimi pritet të kulmojë në rreth 400-450 milionë euro, që është sa gjysma e investimeve të huaja që mesatarisht tërheq Shqipëria në një vit.

Por, përkundrejt këtyre shifrave të larta, ndikimi në punësim pritet të jetë minimal. Sipas burimeve zyrtare nga kompania, aktualisht, më shumë se 2,700 persona punojnë për Projektin TAP në Shqipëri. Nga këta, rreth 87% e punonjësve (rreth 2350) janë shqiptarë, praktikisht më pak sesa ka punësuar call center më i madh në vend.
TAP pritet të përfundojë ndërtimin në fund të vitit 2019. Pas ndërtimit në afatin e shkurtër, Shqipëria nuk pritet të përfitojë nga ky gaz për të nxitur krijimin e vendeve të reja të punës, teksa nuk ekziston infrastruktura për shfrytëzimin e tij. Përfitimet do të jenë afatgjata dhe do të shtrihen në dy dekada, por edhe këto do të jenë të prekshme nëse Shqipëria ndërton rrjetin e brendshëm të transmetimit të gazit në mënyrë që industria që e përdor atë si lëndë të parë të ketë akses në furnizim.

Sa vende pune ka krijuar investimi më i madh në Shqipëri

Përkundrejt investimeve të larta 1.5 mld euro të TAP,  ndikimi në punësim pritet të jetë minimal. Sipas burimeve zyrtare nga kompania, aktualisht, më shumë se 2,700 persona punojnë për Projektin TAP në Shqipëri. Nga këta, rreth 87% e punonjësve (rreth 2350) janë shqiptarë, praktikisht më pak sesa ka punësuar call center më i madh në vend.

Ku punësohen shqiptarët

Tregtia me pakicë është biznesi me të cilin mbajnë familjet pjesa më e madhe e shqiptarëve. Sipas të dhënave të Anketës Strukturore të INSTAT, për vitin 2015, ky sektor ka numrin më të madh të të punësuarve në vend, me rreth 63 mijë, një rritje e ndjeshme në raport me vitin e mëparshëm, por që është kryesisht efekt i formalizimit. Nga këta, rreth 43 mijë, apo 70% janë të vetëpunësuar, raporti më i lartë i të vetëpunësuarve nga të gjithë sektorët.

Por, vitet e fundit, ky sektor nuk po arrin të gjenerojë më fitime të larta, për shkak të shtimit të konkurrencës nga qendrat tregtare dhe supermarketet dhe rënies së fuqisë blerëse. Presioni për t’u formalizuar, nga ana tjetër, po i nxjerr zbuluar shumë prej këtyre bizneseve të vogla, që po gjenden në dilemën nëse do të arrijnë të mbijetojnë në këtë mjedis të vështirë dhe shumë kanë filluar të mbyllen. Një sondazh i një numri më parë i realizuar nga Monitor gjeti se pjesa më e madhe e këtyre subjekteve janë në mbijetesë dhe në mungesë totale likuiditeti, sa që janë mbyllur edhe për shkak të marrjes së një gjobe minimale prej 30 apo 50 mijë lekësh.

Shërbimi ushqimor (kryesisht restorante e bar-kafe) janë sektori tjetër që shumë familje kanë gjetur për të mbijetuar, por që dhe ai po vuan krizën e konsumit, por dhe ai është i tejngopur. Një kërkim i mëparshëm i “Monitor” gjeti se shteti i dytë në botë pas Spanjës për numrin më të lartë të bar-kafeve për 100 mijë banorë. Teksa në vend kishte gjithsej 104 mijë biznese në fund të 2015-s, në mënyrë unike rreth 18% e totalit të bizneseve në Shqipëri janë bar-kafe dhe restorante. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT , numri i bar-kafeve në Shqipëri në fund të vitit 2015 ishte 13,612. Me një popullsi prej 2.88 milionë banorësh, Shqipëria ka 473 bar-kafe për 100 mijë banorë. Shteti i vetëm në botë që na e kalon është Spanja, i cili renditet si vendi me numrin më të lartë të bar-kafeve në botë, në raport me popullsinë. Në Spanjë ka 270 mijë bar-kafe për 46 milionë banorë, apo 587 bar-kafe për 100 mijë banorë, shumë më i lartë se vendet e tjera, që në pjesën më të madhe kanë më pak se 200 bar-kafe për 100 mijë banorë, sipas statistikave globale.

Kategoria “Shërbime të tjera” ka pasur ecurinë më të mirë në 2015-n, për hapjen e vendeve të reja të punës, i nxitur nga zgjerimi i aktiviteteve të call center.
Ndërtimi është sektori i katërt më i madh punësues në vend. Pas një maturimi në 2012-2015, duket se ai i është kthyer rigjallërimit, i nxitur nga projekti TAP dhe orientimi drejt ndërtimeve në turizëm.

monitor 774.indd

 

Grupet më të mëdha punësuese, problem cilësia e burimeve njerëzore

-Balfin është grupi më i madh punësues në vend. Sipas burimeve zyrtare, në kompanitë e grupit punojnë mbi 3000 persona pa përfshirë këtu nënkontraktorët. Grupi deklaron se ruan bërthamën e punonjësve të vjetër, por njëkohësisht është agresiv në treg ndaj tërheqjes së talenteve të reja dhe ideve inovative.
Përgjatë këtij viti, kompania synon të shtrihet me investimet në fushat ka ekspertizë dhe eksperiencë, të fuqizohet tek bizneset aktuale, të përfundojë projektet ekzistuese, të kryejë investimeve në fusha të tjera. Nisur nga planet për ekspansion të shoqërive të Grupit Balfin, kryesisht atyre të retail-it si SPAR, Neptun, Jumbo, Fashion Group, peshën kryesore në punësimin në Grupin Balfin për këtë vit do ta ketë hapja e dyqaneve të reja.
Tregu i punës në Shqipëri ka mungesa të cilat e vështirësojnë procesin e plotësimit të vendeve vakante të punës në Grupin Balfin.

Problematikat me të cilat grupi ndeshet shpesh në këtë drejtim janë mungesa e profesionistëve me arsim profesional dhe njëkohësisht me përvojë në fushat respektive, si dhe vështirësia në gjetjen e kandidaturave për drejtues të lartë.
Për këto dy nivele, Menaxherët e Burimeve Njerëzore në Grup hasin shpesh vështirësi, të cilat ndikojnë në përmbushjen e kërkesave që kompania ka.
Rekomandimi kryesor i grupit Balfin për qeverinë do të ishte ndërmarrja e investimeve afatgjata në arsimin profesional si dhe në arsimin e lartë, duke orientuar kurrikulat dhe praktikat mësimore të studentëve sipas kërkesave të tregut dhe aftësive të tyre. Nevojitet të bëhet një studim i mirëfilltë mbi tregun e punës në vend, të identifikohen dhe konsiderohen nevojat që kompanitë kanë.

-Grupi turk Çalik, përmes dy kompanive të mëdha BKT dhe Albtelecom është gjithashtu një nga më të mëdhatë, që kanë gjeneruar punësim në vend, me gati 2 mijë persona, që punojnë në bankë, ose shoqërinë e telekomunikacioneve.

-Union Grup, me aktivitet kryesisht në fushën financiare, ka rreth 1 mijë të punësuar, brenda dhe jashtë vendit.

Shqipëria, e dyta në Europë me përqindjen më të lartë të të vetëpunësuarve, ja rreziqet

125 mijë persona në Shqipëri e sigurojnë jetesën e përditshme përmes tregtisë, apo shërbimeve në dyqane të vogla, ku janë vetë pronarë. Kjo përbën rreth 29% të totalit të atyre që punojnë në vend, duke bërë që Shqipëria të renditet e dyta në Europë, pas Greqisë, për nga pesha e lartë e të vetëpunësuarve në raport me totalin e të punësuarve në ekonomi.
Të dhënat për Europën bëhen të ditura në një raport të Komisionit Europian (shiko grafikun), ndërsa për Shqipërinë raportohen nga INSTAT, në anketën strukturore 2015.
Pas viteve ‘90, e gjithë ekonomia shqiptare është e mbështetur te sipërmarrjet e vogla dhe vetëpunësimi. Hapja e një dyqani në lagje, me qira, apo në pronësi, ka qenë në vite një formë vetëpunësimi për pjesën më të madhe të shqiptarëve, që në mungesë të alternativave të tjera, i kanë dalë për zot vetes.

Dhe teksa rrjeti i organizuar i tregtisë me pakicë dhe qendrave tregtare ka marrë përhapje të gjerë në vend në dekadën e fundit, bizneset e vogla po marrin gjithnjë e më shumë goditje, duke rrezikuar një nga burimet kryesore të punësimit në vend.
Konsumatorët po i largohen çdo ditë e më shumë dyqaneve “të lagjes”. Zhvillimi i qendrave të mëdha dhe supermarketeve ishte një dukuri e pashmangshme. Supermarketet ofrojnë kushte më të mira tregtimi higjieno-sanitare, çmime më të ulëta, më shumë shumëllojshmëri produktesh, duke rritur mundësinë e zgjedhjeve, si dhe më shumë ulje në formën e ofertave të vazhdueshme dhe eventeve promocionale.

Por, kjo tendencë, në këndvështrimin e konkurrencës te biznesi i vogël tregtar po rezulton gjithnjë e më problematike për shkak të peshës së rëndësishme që kanë njësitë e vogla tregtare në punësim dhe sidomos vetëpunësim. Pesha e lartë e të vetëpunësuarve është tipar i një ekonomie jo konkurruese, teksa këto biznese kanë nivel të ulët produktiviteti.
Në Europë, përqindjen më të lartë të të vetëpunësuarve e ka Greqia, me 31% të totalit. Prej vitesh, Greqia është e zhytur në krizë, teksa ekonomia e saj po rezulton jokonkurruese dhe po mbahet me paketat e ndihmës së Bashkimit Europian dhe FMN-së. Ndërsa në vendet e tjera të rajonit, pesha e të vetëpunësuarve është nën 20%.

Sipas raportit të KE-së, shkalla e vetëpunësimit si një përqindje e punësimit total të Shteteve Anëtare të BE-së ka rënë vetëm pak që nga viti 2005. Megjithatë, ky stabilitet relativ fsheh variacione të mëdha. Së pari, përqindja ndryshon në mënyrë të konsiderueshme në të gjitha vendet – nga 7% në Norvegji dhe 31% në Greqi, sipas të dhënave- EU-LFS. Së dyti, ndryshimet nuk janë të gjitha në një drejtim. Midis 2005 dhe 2015, pesha e punëtorëve të vetëpunësuar është rritur në 12 shtetet anëtare, por ka rënë në 10.
Në sondazhin që është organizuar nga Komisioni Europian me vendet e BE-së dhe atyre kandidate, për Shqipërinë, 50% e të anketuarve pohuan se ata nuk kanë pasur alternativë tjetër. Përqindje të ngjashme kanë dhënë dhe të anketuarit në Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi.

monitor 774.indd

 

Pak ndërmarrje qarkullojnë shumë para, por jo punësim

Janë rreth 1000 ndërmarrje në vend, të cilat realizojnë rreth 46% të totalit të shitjeve në ekonomi, sipas të dhënave nga Anketa Strukturore e INSTAT, 2015. Ndonëse këto përbëjnë më pak se 1% të totalit të bizneseve në vend (në total ka 104.5 mijë ndërmarrje në vend) ato kanë një peshë shumë të rëndësishme në grumbullimin e parave që shqiptarët shpenzojnë për konsum. Në vitin 2015, ato kanë realizuar shitje prej 840 miliardë lekësh, apo rreth 6.1 miliardë euro.
Por këto ndërmarrje zënë një peshë të rëndësishme edhe në punësim, teksa në to punojnë gati 40% e të punësuarve në sektorin privat, ose 169 mijë persona.

Edhe ndërmarrjet me 10-49 të punësuar, kanë peshë të rëndësishme në qarkullimin e parasë, duke zënë 30.3% të shitjeve neto në 2015-n.
Në pjesën më të madhe, këto janë sipërmarrje pa vlerë të shtuar në ekonomi, që janë të fokusuara në tregtimin e karburanteve apo shitjen me shumicë. Sipas të dhënave që “Monitor” ka publikuar më parë, në kuadër të renditjes së 200 kompanive më të mëdha në vend për vitin 2015, në listën e 200 më të mëdhenjve në vitin 2015 mbizotërojnë kompanitë me aktivitet tregtar, që në pjesën më të madhe janë financues direkt të importeve, me 43 të tilla, të ndjekura nga bizneset e naftës që arrijnë në 24. Ndërtimi ka 17 kompani të tilla në listë. Ndërsa ka vetëm 19 sipërmarrje në industrinë përpunuese e prodhuese. Në qarkullimin e parasë në vend dominojnë pikërisht kompanitë e naftës, që kanë deklaruar rreth 1.5 miliardë euro të ardhura për vitin 2015.

Ekonomia shqiptare gjithsesi karakterizohet nga shumë ndërmarrje të vogla, me 1-4 të punësuar, që përbëjnë 89% të numrit të bizneseve aktive, apo rreth 93.4 mijë biznese, por që në pjesën më të madhe thjesht mbijetojnë dhe sigurojnë të ardhura minimale. Shitjet e realizuara nga këto 93 mijë biznese përbënin vetëm 13.8% të totalit, apo rreth 252 miliardë lekë (rreth 1.8 mld euro). Por, ato janë shumë të rëndësishme në punësim, pasi në to punojnë një e treta e të punësuarve, ose rreth 145 mijë persona.
Sipas INSTAT, nëntë nga dhjetë ndërmarrje punësojnë më pak se 5 punonjës. Ndërmarrjet me 250+ të punësuar edhe pse përbëjnë vetëm 0,1% të ndërmarrjeve punësojnë 18,7% të punonjësve, kryejnë 33,5% të investimeve dhe realizojnë 22,4% të shitjeve neto dhe 33,7% të vlerës së shtuar.

monitor 774.indd

2

ORNELA LIPERI/MONITOR

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura