Alarmi i BERZH: Koncesionet PPP cenojnë stabilitetin fiskal të Shqipërisë

Nov 24, 2022 | 8:09
SHPËRNDAJE

Shqipëria po zbaton një strategji që synon stabilitetin fiskal, por kjo politikë rrezikon të cenohet nga financimi i kontratave koncesionare PPP dhe garancitë buxhetore që qeveria po lëshon ndaj kompanive publike, referoi Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH) në raportin e Tranzicionit.

energji

BERZH, shkruan më tej Monitor, vuri në dukje se reforma fiskale do të krijonte më shumë hapësirë politikash për të përmirësuar qëndrueshmërinë afatgjatë. “Strategjia fiskale afatmesme duhet të mobilizojë të ardhura dhe të krijojë hapësirë më shumë fonde për mbrojtjen sociale. Për sa i përket qëndrueshmërisë, strategjia duhet të marrë parasysh rreziqet fiskale që rrjedhin nga partneritetet publiko-private dhe garancitë për kompanitë publike” evidentoi BERZH në pjesën e raportit për Shqipërinë. Më tej, Banka vuri në dukje se, kërkesa e brendshme dhe zgjerimi i sektorit të turizmit çuan në zgjerimin e ekonomisë me 8.5 për qind në 2021, por ritmi i rritjes u ngadalësua në gjysmën e parë të 2022 pasi prodhimi u rrit me 4.2 për qind nga viti në vit.

MASAT

Këshillat për qeverinë drejtohen te diversifikimi i energjisë së rinovueshme. Në këtë drejtim duhet të avancohet me shpejt në projektet e energjisë diellore dhe të erës. Mjedisi i biznesit duhet të përmirësohet më tej. Masat kryesore që duhet t’u jepet prioritet përfshijnë thjeshtimin e sistemit tatimor dhe riorganizimin e procedurave tatimore, rritjen e mbështetjes për ndërmarrjet mikro dhe garantimin e sigurisë së shërbimeve të qeverisjes elektronike, rekomandoi Banka.

SITUATA

Më tej, BERZH analizoi se, zgjerimi ekonomik po ngadalësohet. Ekonomia u rikuperua me 8.5 për qind në vitin 2021. Zgjerimi vazhdoi në tremujorin e parë të 2022, ku PBB u rrit me 6.5 për qind, por u ngadalësua në tremujorin e dytë në 2.2 për qind pasi ritmet e rritjes së eksporteve dhe investimeve private ranë. Rritja e fortë e kredisë për individët me 14 për qind dhe flukset hyrëse të qëndrueshme të remitancave mbështetën konsumin në gjysmën e parë të vitit. Pavarësisht rritjes së vazhdueshme të lartë të kredisë për kompanitë private, investimet u tkurrën me 7 për qind në tremujorin e dytë. Eksportet e mallrave vazhduan të rriten në terma realë, por me një ritëm më të moderuar prej 15 për qind krahasuar me 44 për qind në tremujorin e parë. Në tetë muajt të vitit 2022, hyrjet e turistëve të huaj u rritën me 29 për qind në vit dhe me 16 për qind krahasuar me nivelet para pandemisë, ndërsa tregtia e brendshme shënoi rritje dyshifrore në gjysmën e parë të vitit.

INFLACIONI

Inflacioni po rritet, por kursi i këmbimit mbetet i qëndrueshëm. I nxitur nga çmimet më të larta globale të ushqimeve dhe naftës së importuar, inflacioni vjetor arriti në 8.1 për qind në shtator 2022. Edhe pse më i ulët se nga mesatarja rajonale, ky nivel inflacioni është më i larti në 20 vitet e fundit dhe rëndon shumë mbi familjet për të cilat furnizimet thelbësore si ushqimi dhe shërbimet komunale përbëjnë përkatësisht 42 për qind dhe 10 për qind të shpenzimeve për konsum. Deficiti i llogarisë korente u ngushtua në gjysmën e parë të 2022, pasi rritja e eksportit të mallrave dhe shërbimeve kompensoi rritjen e importeve, duke mbështetur stabilitetin relativ të kursit të këmbimit.

 

© Panorama.al

Te lidhura