Alarm në mbrojtjen e Partizanit, Gega duhet të eksperimentojë në prapavijë për transfertën e Mariborit

Jul 16, 2018 | 15:19
SHPËRNDAJE

Partizani u vlerësua për paraqitjen që bëri në ndeshjen e parë me Mariborin, ndonëse u ndëshkua nga një episod, si dhe iu mohua një penallti. Ndeshja e kthimit, më 19 korrik në “Ljudski vrt”, për shumë arsye pritet të jetë një mision i vështirë për të besuarit e trajnerit Gega.

partizani

Përveç faktorëve që dihen, humbja në takimin e parë si dhe luajtja në transfertë, problemet janë shtuar në kampin e kuq para duelit të së enjtes me sllovenët. Aktualisht, ka alarm në mbrojtjen e Partizanit. Egzon Belica ka problem dhe pritet të mos jetë i gatshëm për Mariborin. 27-vjeçari nga Struga ka problem në gju, dëmtim i cili është faktuar pas ndeshjes së parë. Lojtari mbetet nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor dhe gjasat janë që të mos jetë gati për të enjten.

Në mungesë të Belicës, Sodiq Atanda mund të ishte zëvendësuesi i parë, por aktualisht edhe nigeriani nuk është i mundshëm për transfertën sllovene. Shkak është bërë mospajisja me vizë e nigerianit. Të kuqtë po bëjnë të pamundurën që Atanda të pajiset me vizë sllovene për ndeshjen e së enjtes. Nga dueli i parë me Mariborin me probleme doli nga fusha edhe Esat Mala, që pësoi një kontraktim muskulor.

belica

Gjithsesi, mesfushori kosovar pritet të rikuperohet dhe të jetë gati për sfidën e radhës në Ligën e Europës. Në këto kushte, me Belicën dhe Atandën të pamundur për transfertën sllovene, trajneri Skënder Gega është i detyruar të eksperimentojë në fazën mbrojtëse. Varianti i parë është rikthimi në qendër i Labinot Ibrahimit, roli natyral i mbrojtësit nga Lipjani, ndërsa në të djathtë të mbrojtjes mund të debutojë Rron Statovci.

Partizani

Por, ekziston edhe një mundësi tjetër për zëvendësimin kokë më kokë të Belicës, ku Eneo Bitri mund të formojë dyshen e qendrës me Renato Gojkoviç. Në këtë situatë, i bie që formacioni të vendoset një ditë para ndeshjes, ku ndryshime priten vetëm në mbrojtje, ndërsa pjesa tjetër mund të jetë si në takimin e parë.

ILIR CARA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura