Akuzohet se ngacmoi seksualisht të miturën në punë/ Reagon drejtuesi i televizionit lokal: Mund të ketë rrëshqitur dora! Ja përse akuzat janë të pavërteta

Feb 25, 2021 | 17:23
SHPËRNDAJE

Drejtuesi i televizionit lokal të Gjirokastrës “ALPO RTV”, Aristotel Petro, u akuzua dje për ngacmimin seksual të një të miture në vendin e punës. Ishte gazetari Telnis Skuqi që publikoi një video, ku nga pamjet Petro shfaqet duke e prekur të miturën në vende intime.

Gazetari Kuqi tha se një videoja i ishte dërguar nga një studente gazetarie, e cila tashmë është në vitin e dytë të studimeve Master. Lidhur me ngjarjen ka reaguar vetë Aristotel Petro, që pranon se personi në që shfaqet në video është ai, por hedh poshtë akuzat e gazetarit duke e konsideruar ngjarjen një kurth të inskenuar.

“E kam parë dhe jam informuar këto ditë për çdo gjë që ka bërë zotëria në fjalë, Telnisi. Para se të flasim për këtë video, dua që të jemi sa më transparent. Kush është ai që akuzon dhe kush akuzohet. Në atë video jam unë, i tëri dhe i bëri. Nuk e mohoj përkatësinë time në video”, tha Petro.

Sipas tij, video është një kurth nga ana e Telnisit. “Ky është një kurth i ngritur nga mua në drejtim të atij që luan rolin e gazetarit, por që është në shërbim të dikujt tjetër. Edhe prania e asaj vajze e dija që është kurth, dhe kam bërë lojën time. Siç kanë bërë ata lojën e tyre, ashtu bëra edhe unë lojën time. Unë e dija që nga pas regjistrohesha nga njerëz që i paguaja në punë, e paguhen edhe nga ai person. Unë isha në studio kisha kamerën para. Varet se çfarë po diskutonim, isha duke dalë para emisionit dhe i thashë: Hajde zemra e vogël ik, nuk mund të dalësh këtu”, thotë Petro.

Ndër të tjera, ky fundit duke komentuar rastin tha se një rrëshqitje pa dashje e dorës nuk mund të konsiderohet si ngacmim seksual.  “Te këmba mund të ketë shkuar gabimisht, nuk është qëllimisht. Është diçka pa dashje. Shkarja e dorës është pa dashje, herën e dytë. Doja ta kaloja dorën në pozicionin që po bëja punët e tjera”, shprehet Petro.

AKUZAT

Por të kundërtën pretendon gazetari Skuqi, duke u shprehur se vajza ka thënë se Petro i ka shkatërruar jetën.

“Ai kishte një sjellje shumë të çuditshme ndaj vajzave të mitura. Në fillim më prekte në faqe. Sinqerisht mendoja se ishte thjeshtë një veprim inkurajimi, por shpejt ai shfaqi anën e tij më të zezë. Ai më shkatërroi jetën! Ai më lëndoi shumë vetëm sepse unë isha e mitur”, shprehet vajza, sipas gazetarit Skuqi. Ky i fundit kërkon që të bllokohen të gjitha filmimet e kamerave në zyrën e tij.

Prindërit e vajzave që janë në videot e tjera nuk pranojnë që të bëhen publike. Gjirokastra është qytet i vogël, kanë frikë”, tha Skuqi.  “Jam i gatshëm që t’ia jap Prokurorisë të gjitha videot që kam, nëse mi kërkon”, përfundoi gazetari.

REAGIMI I FAMILJES

Lidhur me çështjen pati një reagim edhe nga nëna e vajzës që pretendohet të jetë ngacmuar, e cila  në një prononcim për emisionin “Shqipëria Live” tha se ka bërë një kallëzim penal ndaj autorit të dyshuar. Nëna pretendon që në kohën që është filmuar video vajza ka qenë vetëm 15 vjeçe.

 “Vajza ime nuk është e sigurt. Ajo thotë mos më flit, më lër të qetë. E kam parë videon më 23 shkurt të vitit 2021. Ai të marrë dënimin për krimin që ka bërë. Kur është bërë video vajza ka qenë 15 vjeçe. E kam të qartë dhe të plotë këtë rrëfim. Vajza nuk më ka thënë asgjë, ndoshta edhe kërcënohej nga ana e personit në fjalë. Nuk ka për të shpëtuar nga unë, i kam ngritur të gjitha akuzat ndaj tij. Kallëzim në lidhje me videon që unë pashë, për ngacmim seksual. Të plasin sytë, jeta e vajzës sime nuk blihet”, tha ajo.

Nëna e vajzës shprehet se nëse Petro nuk dënohet me burg, do të lëvizë çdo gurë që ai të marrë dënimin e duhur. “Le ta kem burrin të paralizuar apo bukë për të ngrënë, nuk do lë gurë pa lëvizur që ai të marrë dënimin e duhur. Kam 3 fëmijë”, shprehet ajo.

Në përfundim të emisionit nëna tha se do kërkojë ballafaqim me Aristotel Petron. “Nëse ai më ofron para, do t’i marr dhe do të lidhem me ju live e do t’i djeg në mes të qytetit. Ai është një plehrë. T’i vij turp se është edhe baba”, tha ajo në prononcimin në televizion.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura