Akuzohet se dogji të gjallë civilë në Bosnje, ja padia ndaj ushtarit serb

Oct 7, 2017 | 15:22
SHPËRNDAJE

Një ushtar serb i Bosnjës është paditur për djegie të civilëve të gjallë në një shtëpi në Vishegrad.

shtepia

Prokuroria shtetërore paditi Radomir Susnjarin për rolin e tij në vrasjet masive të boshnjakëve në qershor të vitit 1992, që u mbyllën në një shtëpi në “Pionirska” në Visegrad, së cilës më pas iu vu zjarri, shkruan tesheshi.

Susnjari, i njohur gjithashtu si Lalco, thuhet se arriti me trupat e ushtrisë serbe të Bosnjës dhe anëtarë të forcave paraushtarake serbe në një shtëpi ku po mbaheshin boshnjakët.

Ai dhe të tjerët kërcënuan boshnjakët, duke thënë se ata do të vriteshin nëse nuk u jepnin bizhuteritë dhe paratë, thuhet në akt-padinë e ngritur, raportojnë mediat.

Prokuroria e akuzon Susnjarin për tortura ndaj boshnjakëve, me qëllim që ata të tregonin nëse kishin apo jo stoli floriri të fshehura.

Në të njëjtën natë, sipas prokurorisë, Susnjari urdhëroi civilët të shkonin në një shtëpi tjetër, ku i mbylli brenda.

Ai më pas hodhi një granatë në shtëpi, duke i vënë asaj zjarrin.

“Susnjari qëlloi shtëpinë edhe me një pushkë automatike që të mos i lejonte civilët të largoheshin”, tha prokuroria.

“Në shtëpi ishin 57 civilë, ndër ta gra, fëmijë dhe të moshuar, të cilët u dogjën të gjallë. Disa arritën t’ia mbathnin dhe të shpëtonin, ndërsa eshtrat e atyre që nuk mundën të largoheshin s’janë gjetur ende”, shtoi prokuroria.

Në vitin 2009 Gjykata e Hagës dënoi me burgim të përjetshëm liderin paraushtarak serb të Bosnjës Milan Lukiç dhe kushëririn e tij, Sredoje Lukiç me 27 vjet burg për përfshirjen e tyre në masakrën e Visegradit dhe krime të tjera lufte.

Susnjari u arrestua në Francë në vitin 2014 dhe më pas u ekstradua në Bosnje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura