Akuzat/ Tufa: Diana Çuli e çoi Genc Lekën para togës së pushkatimit!

Mar 6, 2017 | 19:03
SHPËRNDAJE

2

AGRON TUFA

Akti demonstrativ i leximit publik të poezive të Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit në të njëjtin vend, ditë dhe orë kur qe lajmëruar mbrëmja letrare e shkrimtares Diana Çuli (3 mars 2017), qe për mua e vetmja mundësi reagimi në kushtet e një moskuptimi tronditës dhe mungesës së ndjeshmërisë.

Diana Çuli rezulton, sipas aktekspertizës, që hartoi ajo për Sigurimin e Shtetit, në mos vrasëse në kuptimin e drejtpërdrejtë, atëherë pjesëmarrëse në dënimin fatal të poetit martir Genc Leka me pushkatim.

Rasti e deshi që në këtë moskuptim të përplasesha me Beti Njumën, njërën nga dy udhëheqëset e projektit “Letërsia dhe qyteti”. E padëshirueshme kjo përplasje për shkak se për të dyja gazetaret (tjetra, Alda Bardhyli) kisha një vlerësim të veçantë, çka s’do të thotë se nuk mund ta kem edhe në të ardhmen sa herë ato i sjellin kulturës e publikut shqiptar dinamikë, trajtime e gjetje interesante në këtë sferë. Por siç e kam vënë re herët, sa herë vihemi të prodhojmë dialog në çështjet e së kaluarës sonë kolektive dhe trashëgimisë kriminale të diktaturës, në vend të dialogut lind, ajme … Muri.

Me Betin patëm një bisedë të gjatë telefonike një natë para aktivitetit lidhur me reagimin tim, përmes një statusi, ku u bëja thirrje poetëve për të lexuar poezitë e Lekës dhe Blloshmit në të njëjtin takim që ajo kishte lajmëruar me të ftuarën e vet, shkrimtaren Diana Çuli.

Nuk u morëm vesh, ndonëse ia shpjegova pyetjet e saj nga këndvështrimi im. Madje, takimi me shkrimtaren “e shquar” u anulua në fund fare, kur u provua se pala jonë nuk u tërhoq. Qëllimi u arrit: në vend të persekutores u lexua krijimtaria e viktimave. Më vonë pashë se shpjegimet e mia, edhe pse të qarta e me theks, paskan rënë në vesh të shurdhër.

Të njëjtat pyetje kuazi-retorike Beti i ngre në një intervistë të botuar në një portal. Ajo që bie menjëherë në sy në intervistën e saj është përpjekja për ta lidhur reagimin tim me ndofarë teorie të mjegullt konspirative për ta shitur atë si sefte, të parin, kasten për t’i prishur asaj idilën letrare me Çulin, duke lënë të nënkuptohet se më parë unë s’paskam pipëtirë për këtë çështje.

E dyta, që personalisht më tronditi dhe më la një shije veçanërisht keqardhëse, qe përpjekja e Betit për të minimizuar, larë e amnistuar D. Çulin, duke marrë madje në një summary gjithë formulimet interpretuese të shkrimtares në dëm të poetit martir për llogari, sigurisht, të Sigurimit.

Këto sulme të Çulit ndaj poetit të ndjerë, gazetarja i shtron në këtë frymë: “Ja, pra, shiheni vetë, ç’paska thënë ajo ndonjë gjë të madhe!? Asgjë prej gjëje! Yçkla pa zarar!”. Dhe më takon përsëri të vë theksin: si shpjegohet, Beti, që pikërisht kjo “hiçmosgjë” e çoi poetin në pushkatim? Si ka mundësi që në të gjashta ato poezi, të gjitha lirika peizazhi, interieri, pylli, drurësh, nostalgjie, të psonisen gjendje e simbolika armiqësore, të një njeriu “të pakënaqur, të çoroditur ideologjikisht”?

Këtë mund ta bësh vetëm nëse ke një prirje të brendshme perverse (lexo: pavetore). Vetëm nëse je shkrirë njësh me qëllimet e Sigurimit. Po nëse të pëlqen ta shtrojmë kështu, sagllam, D.Ç. nuk e ka pushkatuar me dorën e vet poetin Genc Leka. Por ama, dhe të lutem, këtu ndalu pak dhe shtrydhe mendjen, ajo ka qenë pjesë e asaj makinerie të përbindshme, mizore, vrasëse. Ka qenë, si i thonë figurativisht, “gozhda e fundit në arkivolin e tij”; “shtytja fatale kur ai gjendej në zgrip të greminës”.

Për më tepër parapëlqej që komenteve të tua mbi ekspertizën e Çulit, e cila, sipas teje, nuk tregon aspak se ajo ka ndikuar në pushkatimin e poetit, po u kundërvë, me lejen e tij, komentin e shkrimtarit Ramiz Gjini: “Përmbylljen e EKSPERTIZËS së veprës (!) dhe jo ANALIZËS, Diana Çuli e mbyll me ca fjalë, që në kontekstin e kohës kur janë thënë, të bëjnë të dëgjosh rropamën që bëjnë shulet, tek mbushen armët e skuadrës së pushkatimit.

Ajo shkruan: “Autori ka një çoroditje të theksuar ideologjike. Nuk është i kënaqur me realitetin e sotëm dhe e quan të rëndë ambientin ku jeton, se për atë ( autorin) është mbytës dhe i padurueshëm, ndaj kërkon rrugë për të dalë”.

Pra, armët e morën fishekun në gojë; duhet vetëm urdhri që policët e skuadrës së pushkatimit të tërheqin këmbëzën. Tani, a është vrasëse Diana Çuli?! Ju lutem shumë, si i quani ju vrasësit? Vrasës nuk është vetëm ai që tërheq këmbëzën.

Madje, me kanun, vrasës mbetej ai që të çonte në pritë. Dhe Diana Çuli është njëra nga ato që e dërguan atë djelmosh të ri përballë togës së pushkatimit. Pastaj, si i përfytyroni ju vrasësit? A mos i përfytyroni si përbindësha në paraqitje?!

Me fytyra të nxira e të përçudnuara nga urrejtja; me dhëmbët si çataj e flokë të shpupuritur e të lerosur, lugetër që ndjekin natën rrugëve udhëtarët e rastësishëm?! Jo, aspak!

Ata janë të pashëm e të qeshur, flasin me shumë xhentilesë, vishen me rroba firmato, parfumosen, shkruajnë vargje e mbajnë fjalime, kanë familje, rrisin fëmijë, (të cilët janë brumi i tyre dhe krenohen kur fëmijët u ngjajnë); bëjnë premtime elektorale dhe përpiqen të lënë gjithandej përshtypje të mirë.

Arrijnë poste të rëndësishme, bëhen deputetë, madje nganjëherë bëhen edhe udhëheqës për të çuar në greminë një popull të tërë”. Në intervistën e saj, Beti hyn në një zhanër që quhet tekstologji krahasuese dokumentesh. Ajo merret me akt-ekspertiza të tjera që çuan në pushkatim poetin tjetër martir, Vilson Blloshmin. Thotë për ato tekste se janë më të tmerrshme, krahasuar me akt-ekspertizën e Diana Çulit.

Pastaj pyet pse unë nuk kam folur dhe për ta. Shkurt, pse e kam “kapur” unë vetëm me Çulin. Dhe më duhet t’i përgjigjem: sepse njëri, sa u bë publike akt-ekspertiza, që çoi në pushkatim poetin tjetër martir, Vilson Blloshmin, dha dorëheqje nga posti i dekanit, u mbyll në punët e tij dhe nuk pretendoi të nominohej, fjala vjen, për çmimin Nobel, si Diana. I dyti tashmë ishte në perëndim të jetës së tij, në pension.

Ndërsa Diana jote, Beti, edhe pas publikimit të bashkëpunimit të saj me Sigurimin famëkeq, vazhdoi paturpësisht karrierën marramendëse, si aktiviste e shoqërisë civile për të drejtat e grave (çfarë oreksi!), mandej presidente e Federatës Shqiptare të Gruas (ç’poshtërim për femrën shqiptare!), mandej, përfaqësuese e Shqipërisë në Asamblenë e Këshillit të Europës, mandej, prapë, si deputete në Parlament etj., etj.

Nuk rroket me mend evoluimi i antropoidit tonë. Ajo ndihmohet, shërbehet, nderohet, shpërblehet, ka një emision, bëhet gjykatëse letrare si kryetare jurie e çmimit “Europa”, vendos dhe vë gishtin se “kush duhet të jetë kush” etj., himit tim tani: Po, edhe mua më dhimbset shumë Diana!

Po dhembshuritë tona janë krejt të ndryshme. Mua më dhimbset se si, dhe pse në këto 27 vite lirie ajo, një njeri i penës që pretendon Nobelin (se ç’blasfemë, për një nivel shkrimi të vobektë!), nuk gjeti dot qytetarinë, kurajën, të rrëfehej, të kërkonte falje, të bëhej shembull për shumëkënd në këtë vend me të kaluar të errët e dramatike.

Dhe me siguri, rrëfimin e saj të sinqertë, hipotetik, shqiptarët do ta kishin kuptuar, ndoshta mirëkuptuar, falur. Po pse s’e bëri? A ka një përgjigje? Mendoj se karriera e saj marramendëse në politikë, shoqëri civile e deri te pretendimi i Nobelit e shpjegojnë vetvetiu natyrën e shkrimtares: delirin! Ëndrrën për revansh! Eliksirin trallisës të përsëritjes së përvojës. Megjithatë, Beti merr përsipër shumë.

Të bëjë të pamundurën. Të mbrohet kur e ka të pamundur mbrojtjen; të kërkojë të kapë në kontradiktë persona, të cilët nuk lënë asnjë plasaritje në koherencën e tyre ku të fusësh hundën e dyshimit. Të amnistojë, rehabilitojë e zvogëlojë shkallën e implikimit në krim të bashkëpunëtorëve të Sigurimit komunist. Shkurt, Betit i shkon përshtat historia e asaj pulës mburravece, që u betua se do ta bëjë vezën më të madhe se të patës, pa marrë parasysh pasojat e vajtueshme të efekteve anësore.

Por mbi të gjitha, ajo merr përsipër rolin e të gjithëdijshmes nga premisa apriori. Thotë se pse u kujtova unë tani të flas për këtë çështjen e Çulit dhe pse s’e kam bërë më parë. Ajo nuk e di, p.sh., që këtë unë e kam bërë me kohë në gazetën “Fjala” (2001-2007), publikimi i dokumenteve faksimile.

Në disa botime. Por që ta dinte, i duhej të lexonte. Ajo nuk e di se të njëjtën gjë e kam bërë edhe në emisionin “Shën-Libri” që kam drejtuar në NTV (2004-2005), sepse që ta dinte, i duhej të shihte. Beti nuk e kupton (apo bën?) se reagimi im ndaj të ftuarës së saj nuk ka si të kishte precedentë të ngjashëm, duke iu drejtuar njëlloj, në këto forma, edhe botuesit të Çulit (Toena), edhe TV-së që i ka dhënë asaj një emision: ata janë subjekte të aktiviteteve private, e jo një projekt me paranë publike, që MK e jep natyrshëm, pa diktuar censurë.

E drejta e do që askush të mos i ndërhyj askujt në privatësi (privatësia është e shenjtë), se çfarë mendon, me kë rri, me kë mblidhet dhe si e punëson. Por kur kjo cenon hapësirën e përbashkët publike, për të cilën kontribuojmë të gjithë, paguajmë, atëherë, si gjithkush, dhe unë kam të drejtë të kërkoj llogari. I vetmi gabim që kam bërë i bie të jetë fakti, se sa herë kam botuar, folur, publikuar a regjistruar, duhej patjetër që t’ia çoja dhe një kopje Betit, që ajo ishte në dijeni…

Atëherë, ç’më mbetet mua të bëj kur njeriu: a) nuk lexon b) nuk sheh c) nuk kupton? Mendoj se e vetmja gjë që duhet bërë, është: të sqarosh sërish e sërish pikat e paqarta, këndvështrimin tënd mbi gjërat, gjithnjë duke ndrequr shtrembërimet që të bëjnë, akuzat, aludimet plot habi të tipit: “Ua, ç’pati ky?!”, në mënyrë që, edhe një herë të hapësh një mundësi të re për të kuptuarit jobanal.

Dhe ende shpresoj se dialogu është i mundshëm, nëse refuzojmë t’i bëhemi folje ndihmëse/gjysmëndihmëse “banalitetit të së keqes”. Atëherë dialogu mes nesh nuk do të lindë më mure, por do t’i shembë ato.

(Titulli i autorit: Mbi banalitetin e së keqes ose lavde persekutorëve)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura