Akuzat se mbolli kanabis/ Babai i Danjel Pepajt bën rekurs të vendimit në Gjykatën e Lartë, kërkon lirinë

Nov 26, 2020 | 9:48
SHPËRNDAJE

Rrok Pepaj, babai i Danjel Pepajt, ky i fundit i akuzuar për vrasjen e Vilson Çutajt dhe Klement Pepajt në Vrith të Malësisë së Madhe, ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për masën e sigurisë “Arrest me burg”, dhënë nga Gjykata e Apelit në Shkodër si bashkëpunëtor në kultivim kanabisi.

rrok pepaj1

Rekursi në Gjykatën e Lartë është bërë nga avokati i Rrok Pepajt, Ardjan Brunga, i cili ka bërë të ditur se nuk është dakord me vendimin për ta lënë klientin e tij në “Arrest me burg” pasi nuk është e bazuar në prova dhe ligj. Por çfarë pretendon Rrok Pepaj në rekursin e bërë? Ai thotë:

“Kam qenë i gatshëm për të dhënë sadopak ndihmesën time për gjetjen e dy kufomave, të cilat sipas Policisë, dyshoheshin se i kishte vrarë djali im, Danjel Pepaj, dhe ishin në territorin e fshatit Vrith. Së bashku me forcat e Policisë kam dalë për të ndihmuar në gjetjen e kufomave. Kemi shkuar te Maja e Gropës së Pelës dhe më pas te Maja e Sukës, por nuk është gjetur asgjë. Më pas jemi drejtuar së bashku me Policinë për te Lera e Grecajve, ku gjatë kontrollit të territorit nga forcat e Policisë, 500 metër larg vendit ishte gjetur një parcelë që dyshohej se ishte e mbjellë me lëndë narkotike. Më kanë afruar te parcela duke më thënë në mënyrë të pakuptimtë se kjo parcelë e mbjellë është jotja. Në ato momente bënë dhe arrestimin tim duke më akuzuar për kultivim të bimëve narkotike.

Nuk ka asnjë provë ligjore se këto bimë narkotike të gjetura nga Policia gjatë kontrollit të territorit për të gjetur viktimat, të jem unë autor i mbjelljes apo të pasjes dijeni për to. Vendi ku janë gjetur bimët narkotike nuk është tokë imja që të mbaj përgjegjësi. Këto bimë as nuk i kam mbjellë unë dhe nuk kam asnjë dijeni për to. E gjithë procedura e ndjekur është vetëm me hamendësime, pa asnjë provë ligjore”. Ndërkohë, më tej avokati Brunga në rekursin pranë Gjykatës së Lartë thotë se:

“Dyshimi se parcelat e mbjella me bimë narkotike janë mbjellë nga djali i shtetasit Rrok Pepaj, që dyshohet edhe se ka kryer vrasjen e dy shtetasve të tjerë, nuk përbën provë për bashkëpunimin e shtetasit Rrok Pepaj me të birin për të kultivuar bimë narkotike. I dyshuari jeton vetëm me gruan e tij, pasi djali madh, Sandri, jeton në Itali me familjen, ndërsa Danjeli është larguar nga shtëpia dhe nuk ka asnjë dijeni për vendndodhjen e tij dhe ka bashkëpunuar gjithë kohën me Policinë dhe Prokurorinë. Ajo që kërkojmë nga Gjykata e Lartë është ndryshimi i masës së sigurimit personal duke mos caktuar asnjë masë sigurimi ndaj këtij shtetasi”.

Rrok Pepaj u arrestua si bashkëpunëtor në kultivimin e kanabisit pasi u gjetën dy viktimat afër një parcele droge që dyshohet se është e djalit të tij, Danjel Pepaj, që ende nuk është arrestuar dhe vazhdon të jetë në kërkim nga Policia për vrasjen e kushëririt të tij Klement Pepaj dhe Vilson Çutajt.

Pse ndodhi vrasja e dyfishtë në fshatin Vrith

Vrasja e dyfishtë ka ardhur për shkak të kultivimit të kanabisit dhe disa parcelave që janë vjedhur në fshatin Vrith. Dy viktimat kanë akuzuar shtetasin Danjel Pepaj si autorin e dyshuar dhe e kanë marrë në fshatin Bajzë duke e dhunuar. Ky i fundit pas dhunës u ka thënë se do t’u jepte drogën që kishte në parcelën e tij dhe i ka dërguar në mal në Vrith. Por aty, sapo u ka dhënë sasinë e pretenduar të kanabisit, dyshohet se i ka qëlluar me automatik kallashnikov. Dy viktimat u gjetën nga Policia pas pesë ditësh kërkime. Danjel Pepaj, që dyshohet si autor i vrasjes së dyfishtë, është ende i arratisur dhe në kërkim nga Policia. Pavarësisht rekursit në Gjykatën e Lartë, kjo gjykatë nuk është ende funksionale dhe nuk dihet se kur do të nisë punën, kjo si shkak i Reformës në Drejtësi që nuk është mbyllur ende.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura