Akuzat për trion e ëndrrave/ Mesi-Nejmar-Mbape në “gijotinë”, edhe Donaruma bëhet çështje

Sep 17, 2021 | 16:57
SHPËRNDAJE

Në Paris kanë nisur të shfaqen shqetësimet dhe pakënaqësitë e para pas barazimit zhgënjyes në Ligën e Kampioneve kundër Bryzhit.

mesi nejmar mbape 1

Barazimi 1-1 dhe loja pa ngjyrë e PSG-së, që për një pjesë të madhe është dominuar nga belgët ka bërë që në adresë të “superskuadrës” franceze të vërshojnë kritikat.

Pavarësisht se në fushë ishte treshja e frikshme Nejmar-Mesi-Mbape, kjo nuk ka qenë e mjaftueshme për ekipin e Poçetinos që ta nisë me këmbën e mbarë aventurën në Champions.

Një gjysmëhap i gabuar, që së bashku me dëmtimin e Mbapesë dhe lënien në stol të Donarumës kanë bërë që ambienti parisien të rrethohet nga pakënaqësitë.

TRIO INEKZISTENTE

Sikur të mos kishte qenë Leo Mesi, ndoshta nuk do të ishte bërë shumë zhurmë. Por, me Mesin në fushë barazimi ndaj Bryzhit është parë me një tjetër sy në Europë. Të gjitha gazetat më të mëdha në kontinent i kanë bërë jehonë paraqitjes “as mish e as peshk” të Parisit. Gazeta më e madhe franceze, “L’Equipe”, i ka vënë një titull të madh “Fantomatique” që mund të përkthehet si një miks midis diçkaje të padukshme dhe diçkaje irreale. Një titull që tregon vërtet atë çfarë ka dhuruar në fushë skuadra parisiene. Poçetinos nuk i ka mjaftuar as treshja e mrekullive për të dalë nga Belgjika me pikët e plota.

DONARUMA NË KËRKIM

Si të mos mjaftonte ndeshja aspak e mirë e PSG-së, për të rënduar edhe më shumë situatën ka ardhur edhe dëmtimi i pësuar nga Kilië Mbape. E për më shumë akoma lënia në stol pafundësisht e kampionit të Evropës, Xhixho Donaruma. Kur roli i Donarumës dukej i pazëvendësueshëm, nisja e sezonit ka qenë krejt tjetër gjë. Të gjithë pas ndeshjes e kanë “bombarduar” me pyetje Poçetinon në lidhje me portën. Dhe përgjigjja e tij ka krijuar edhe më shumë dyshime për atë çfarë po ndodh me numrin një të katërkëndëshit të PSG-së.

“Ndryshime në portë? Gjithçka është e mundur. Vendimet merren ndeshje pas ndeshjeje në bazë të rendimentit dhe paraqitjes. Këto paqartësi duhen sqaruar sa më shpejt, pasi PSG-ja nuk e ka luksin të vijojë në këtë situatë.

MBAPE HUMB LIONIN

Pas rezultatit zhgënjyes problemi i dytë më i madh për PSG-në pas barazimit me Bryzhin ka qenë gjendja e sulmuesin Kilian Mbape. Ylli i kombëtares franceze ka lënë fushën e lojës i dëmtuar pas një goditje të marrë në kavilje.

Të gjithë në Paris kanë kryqëzuar gishtat, pasi për momentin Mbape mbetet numri një i sulmit të PSG-së pavarësisht emrave të tjerë gjigantë në sulm si Mesi e Nejmar për të shkuar më pas te Ikardi. Dëmtimi i Mbapesë nuk është shumë i rëndë, megjithatë prania e tij në fushë të dielën kundër Lionit në kampionat është në dyshim serioz.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI/ Panorama Sport

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura