Akuzat për trafik droge, Tahiri: “Audi” në emrin tim për faj të fëmijëve të Berishës

Sep 24, 2015 | 22:38
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Pas akuzave të bëra nga ish-shefi i antidrogës në Fier, Dritan Zagani dhe përfaqësues të opozitës ndaj ministrit të Brendshëm se në makinën e tij kanë hipur trafikantë droge, ka reaguar edhe Saimir Tahiri duke thënë se automjetin tip “Audi” e kishte shitur para se të merrte detyrën.

Fotomontazh, Saimir Tahiri ne "Audi-n" per te cilin ai akuzohet
Fotomontazh, Saimir Tahiri ne “Audi-n” per te cilin ai akuzohet

Në një intervistë televizive mbrëmjen e së enjtes në emisionin “Top Story”, Tahiri tha se makina figuron në emrin e tij për shkak të pamundësive për t’i ndryshuar emrin, pasi iu bllokua hipoteka e shtëpisë dhe llogaritë bankare pas gjyqit që humbi me fëmijët e ish-kryeministrit Berisha.

Më herët, deputetë të opozitës kanë publikuar të dhëna nga sistemi TIMES që sipas tyre tregojnë se ministri Tahiri dhe të afërm të tij, kanë përdorur automjetin tip “Audi”, me targa “AA 003 GB”, pasi ishte deklaruar i shitur.

Akuzat e PD-së kanë ardhur pas denoncimit të Zaganit se drejtues të lartë të Policisë së Shtetit dhe ministri i Brendshëm kanë dekonspiruar aksione kundër trafikantëve të drogës.

Në një intervistë të publikuar pak javë më parë, Zagani ka thënë se ka parë që të hipin në automjetin e ministrit Tahiri persona të dyshuar për trafik droge.

Dritan Zagani
Dritan Zagani

Ndërkohë, lidhur me të shkuarën e Zaganit, Tahiri tha për “Top Story” se qeveria e PD-së ka shpërblyer ish-shefin e antidrogës me një hapësirë toke në bregdetin e Jugut.

“Është një njeri shumë afër pushtetit. Një njeri që ish-kryeministri para se të ikte nga detyra i dhuron tokë në Orikum. Zotëria është arrestuar nga Policia për dekonspirim të aksioneve të policisë, fshehje të krimit me pasojë vdekjen dhe shpërdorim detyre. Dhe mbi deklaratat e mia ka kërkuar azil politik”,-deklaroi ministri Tahiri.

Pjesë nga deklarata e ministrit Saimir Tahiri në “Top Story”:

Makinën e kisha shitur para se të bëhesha ministër tek kushërinjtë e mi të largët. Makina është në emrin tim si pjesë e asaj qeverisjeje. Jam dënuar në shkallë të parë dhe në Apel nga Gjin Gjoni me 40 milion lekë dhe në Apel me 20 milionë lekë.

Vendimi parashikonte që për të paguar gjobën e kalamajve të pushtetit, duhet të lija të gjithë rrogën time. Më bllokuan llogaritë bankare, hipotekën e shtëpisë dhe mundësinë që targat e makinës të ndërroheshin.

Pasi u bëra ministër aplikova për një kredi. Ajo është një kosto e imja për opozitën që bëra. Por më mirë kjo kosto se sa kostoja që paguajnë shqiptarët për hajdutërinë e tyre. Mora kredi dhe kam shitur makinën.

Nuk kanë mundur të ndërrojnë emrin për këtë shkak dhe makina figuron në emrin tim. Është e skanuar që makina është shitur në 6.10.2013. Por opozitës nuk i intereson fare e vërteta.

Ajo makinë është përdorur dy herë të tjera nga unë. Unë nuk kam marrë makinë me qira, por meqë ishte në emrin tim kam dalë me familjen.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura