Akuzat për shpifje, a do të përballet Rama me Tom Doshin në Gjykatë si me Ristanin e Palokën?

Mar 2, 2015 | 17:00
SHPËRNDAJE

Në daljen e fundit para mediave nga selia e PS-së, Tom Doshi tha se i ka bërë të ditur Edi Ramës se Ilir Meta ka dashur ta vrasë atë dhe deputetin e PD-së, Mhill Fufi.

Edi Rama dhe Tom Doshi

Rreth 60 minuta më vonë, pasi kishte përfunduar edhe mbledhja e grupit parlamentar socialist, Edi Rama publikoi në facebook fjalimin e tij ku në paragrafin e fundit i kërkon Doshit që akuzat e tij ti provojë në Prokurori.

“Unë kam bindjen se sot ne duhet t’i japim Tomës mundësinë të lirohet nga barra e kontratës që ka me grupin e me Partinë Socialiste, dhe të shkojë të provojë në rrugë ligjore vërtetësinë e akuzave të tij të papranueshme në adresë të qeverisë e të shumicës sonë parlamentare”, tha Rama në mbledhjen e grupit.

Një muaj më parë kreu i qeverisë vendosi një precedent të ri në raport me shpifjen. Brenda pak ditëve ai paditi në gjykatë sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Arben Ristani dhe kreun e grupit parlamentar, Edi Paloka duke i akuzuar ata se kishin shpifur për lidhjet e tij me krimin.

Pyetja e parë që shtrohet tani është nëse kryeministri do të ndjekë të njëjtin standard dhe do ta padisë edhe Tom Doshin në prokurori për shpifje?

Ndërsa pyetja e dytë është nëse Rama do të bëjë me Tom Doshin të njëjtën gjë që bëri me Edi Palokën, ku ishte i pranishëm në seancën e parë gjyqësore, atë të pajtimit?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura