Akuzat për shpërdorim detyre, gjykata lëshon urdhër arresti ndaj ish-prokurores së EULEX në Kosovë

Sep 13, 2022 | 11:09
SHPËRNDAJE

Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhër arrestimi ndaj ish-prokurores së EULEX në Kosovë, Maria Bamieh.

Maria Bamieh

Ndaj saj janë ngritur akuzat për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Urdhërohet lëshimi i urdhër arrestimit kundër të pandehurës Maria Bamieh, ish-prokurore speciale në misionin e Bashkimit Europian, EULEX në Kosovë, e cila ndodhet në arrati (pa shënime të tjera personale dhe pa adresë të saj të vendbanimit apo vendqëndrimit në Republikën e Kosovës ) në drejtim të veprës penale Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, thuhet në vendimin e  Gjykatës të lëshuar në datën 5 shtator.

Sipas burimeve nga Gazeta e Sinjali lëshimi i urdhërarrestit nga gjyqtari i procedurës paraprake, është bërë në koordinim me misionin e Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX.

Gjykata vendosi ndalimin dhe arrestimin e saj pasi Maria Bamieh nuk iu është përgjigjur thirrjes së Prokurorisë së Shtetit për tu marrë në pyetje.

Ajo kishte deklaruar se do bashkëpunonte me autoritetet për akuzat e bëra ndaj saj, por kjo gjë nuk ka ndodhur.

“Sipas këtij urdhër arresti e pandehura Mariah Bamieh, ka për tu kapur dhe arrestuar/ ndaluar në çdo kohë, kur kjo është e mundur dhe do të dërgohet menjëherë në Prokuorinë Themelore në Prishtinë, ku do merret në pyetje nga prokurori Fitore Sadikaj, sepse e njëjta me datë 16.07.2022 e ka pranuar dhe nënshteruar ftesën e Prokurorisë por deri më tani nuk është lajmëruar”, thuhet në vendim.

Maria Bamieh1

Ish-prokurorja Bamieh i ka cilësuar të jashtëligjshme hetimet e Prokurorisë ndaj saj për shkak të imunitetit që ka thënë se gëzon nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

“Në lidhje me veprimin e fundit të një prokurori vendor në Kosovë, gëzoj imunitet nga Kombet e Bashkuara, të cilin nuk e kam hequr. Prandaj, çdo hetim penal kundër meje në lidhje me çështjet që lidhen me punësimin tim të mëparshëm pa hequr imunitetin tim është i kundërligjshëm”, shkroi ajo në një postim në Facebook.

Hetimet ndaj ish-prokurores nisën pas denoncimit nga ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, i cili ishte hetuar nga një task-forcë e EULEX-it, të cilin e kishte udhëhequr Bamieh.

Tolaj, në emër të tij dhe të familjes, akuzoi ish-prokuroren për zbulim në media të detajeve nga jeta e tyre private.

Në një konferencë për media në Prishtinë më 25 korrik të këtij viti, Maria Bamieh shpalosi detaje të marrëveshjes së saj me qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar lidhur me një kontest civil mes palëve.

Ajo mori 423 mijë paund nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar mbi pretendimet se qeveria britanike dështoi t’i ofrojë mbështetje pasi u përpoq të ekspozonte bashkëpunimin e mundshëm midis zyrtarëve të BE-së dhe kriminelëve të dyshuar në Kosovë.

Maria Bamieh ishte shkarkuar nga puna në Zyrën e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar pasi sinjalizoi për dyshimet për korrupsion në misionin më të madh të jashtëm të BE-së në Kosovë (EULEX).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura