Akuzat për shitjen e ndeshjes ndaj Shqipërisë, flet portieri i Armenisë

Oct 14, 2015 | 20:23
SHPËRNDAJE

Pas deklaratave të mediave serbe në lidhje me fitoren e Kombëtares shqiptare pas ndeshjes Shqipëri-Armeni, sipas të cilave kuqezinjtë kishin arritur të trukonin takimin duke blerë portierin dhe tre mbrojtës, ka ardhur edhe reagimi i një prej protagonistëve të ndeshjes.

Portieri i Armenise Gevorg Kasparov
Portieri i Armenise Gevorg Kasparov

Gevorg Kasparov, në një deklaratë për “armtimes.com”, ka hedhur poshtë të gjithë aludimet e medias serbe duke u shprehur se kjo nuk është asgjë më shumë veçse një problem mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Ka zëra që komentojnë në lidhje me këtë çështje duke hedhur akuza të pakuptimta, por nuk ka asgjë të vërtetë”, u shpreh fillimisht Kasparov, i cili, duke iu referuar edhe mediave shqiptare dhe atyre serbe që kanë shkruar në lidhje më këtë çështje, ka thënë: “Një gjë e tillë është bërë objekt mediatik dhe mediat online si shqiptare edhe ato serbe kanë nisur një ‘luftë’ mes tyre. Duket qartë se ata kanë probleme me njëri-tjetrin dhe na kanë vënë ne më mes. Kjo është një gjë pa kuptim dhe unë nuk kam çfarë t’ju them më”.

Mediat serbe kanë shtuar gjithmonë e më shumë zërat në lidhje me një pagesë prej 2 milionë euro që, sipas tyre, Shqipëria ka paguar për të blerë takimin ndaj Armenisë, që i ka kualifikuar kuqezinjtë në Kampionatin Europian.

Ndeshja –
Ndërkohë menjëherë pas ndeshjes, Kasparov është shprehur se humbja erdhi si pasojë e ritmit të ndeshjes.

“Takimi nisi shumë keq për Kombëtaren tonë dhe mua më dukej sikur pas çdo gabimi të vogël që bënim mund të ndëshkoheshim. Është e vërtetë që kemi pësuar tre gola dhe janë shumë, por nuk duhet të harrojmë se edhe ndaj Francës kemi pësuar katër të tillë, pra në dy ndeshjet e fundit kemi pësuar shtatë gola dhe kjo nuk është ndonjë gjë e çuditshme”, vijoi futbollisti.

Gjatë ndeshjes me Shqipërinë, Kombëtarja e Armenisë është vërshëllyer nga tifozët e pranishëm në stadium, të cilët përpara fundit të takimit kanë filluar edhe të largohen.

“Natyrisht që një gjë e tillë nuk është e mirë dhe vërshëllimat mendoj se kanë ardhur në mënyrë që ne të shpërqendroheshim, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Jemi profesionistë dhe do të vazhdojmë të shohim përpara”, ka mbyllur deklaratën e tij Kasparov, i cili ka qenë një nga të akuzuarit nga mediat serbe si lojtar që është blerë nga ana e Shqipërisë për të toleruar në sfidën e luajtur të dielën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura