Akuzat për shitje ndeshje, Takaj: Duan të na fusin në kaos

Jul 24, 2015 | 10:21
SHPËRNDAJE

Gjatë ditës së djeshme ka pasur shkrime në median ndërkombëtare që hidhnin dyshime të forta për mundësinë që Skënderbeu të ishte i përfshirë në afera trukimesh në ndeshjen kundër Krusadersit, ku humbi 3-2 dhe dy gola i pësoi në dy minutat shtesë.

Ardjan Takaj
Ardjan Takaj

Presidenti i Skënderbeut ka mohuar në mënyrë kategorike që klubi i tij të ketë gisht në afera korruptive apo në bastvënie. Ai ka hedhur poshtë edhe pretendimet që ka pasur portieri i Krusadersit, Shon O’Neill, i cili në adresën e tij në “Twitter” ka deklaruar se Skënderbeu duhet të hetohet nga UEFA.

Reagimi
Presidenti i Skënderbeut i ka quajtur sulme të padrejta akuzat ndaj skuadrës së tij dhe ka mënjanuar çdo mundësi që këto fjalë të kenë një bazë.

“Janë të gjitha fjalë pa asnjë bazë, fjalë të thëna vetëm për të shpërqendruar ekipin dhe për të sjellë “kaos” para ndeshjes kundër Milsamit. Ne jemi duke menduar vetëm për këtë takim tashmë dhe të gjithë jemi të përqendruar për të kaluar turin. Nuk më vjen mirë kur shoh se si sulmohet ekipi im, por ju siguroj se këto fjalë nuk më shqetësojnë aspak, pasi ndeshja nuk ka qenë e tillë sikundër flitet. Është padrejtë- si e madhe të na akuzojë dikush se përse nuk u transmetua ndeshja, ndërkohë që kjo nuk ka qenë në dorën tonë. Përkundrazi, ne kemi kërkuar që klubi përkatës të na lejojë të drejtën e transmetimit sikundër bëmë në Shqipëri me irlandezoveriorët, por kjo gjë nuk u mundësua. Ky nuk është problemi ynë… Nëse një ekip luan me 10 veta për 80 minuta dhe nëse përballet me një skuadër që dukej sikur luante regbi dhe jo futboll, atëherë ndodh edhe që të vuash pasojat e një sforcoje të madhe. Por kjo nuk do të thotë se ne jemi të përfshirë në afera të jashtëligjshme. Absolutisht jo!”, u shpreh presidenti i Skënderbeut.

“Sulm i hapur”
Skënderbeu është në një moment historik jo vetëm të klubit, por të gjithë futbollit shqiptar. Korçarët mund të bëhen ekipi i parë që merr pjesë në fazën në grupe të Ligës së Kampioneve (por edhe të Europa Ligës). E megjithatë, ndeshja e fundit ka shkaktuar shumë zhurmë sa i përket mundësisë që të jetë trukuar. “Jemi të qetë dhe të përqendruar vetëm për ndeshjen e radhës. Këto fjalë janë vetëm zëra që përpiqen të prishin harmoninë e ekipit dhe të na shpërqendrojnë para një ndeshjeje kaq të rëndësishme. Skënderbeu është pranë historisë dhe me sa duket dikujt kjo nuk i pëlqen”, përfundoi Ardjan Takaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura