Akuzat për sekser, djali i Berishës e padit për shpifje: Do flasësh ku duhet

Jan 28, 2017 | 8:24
SHPËRNDAJE

Shkëlzen Berisha ka paditur në gjykatë përfaqësuesin ligjor të OSHEE-së në Arbitrazhin ndërkombëtar, Romeo Kara, për shpifje.

Shkelzen Berisha
Shkelzen Berisha

Në një postim në “Facebook”, djali i ish-Kryeministrit Berisha shkruan se do të ndjekë rrugën ligjore për ata që shpifin, ndërsa shkruan se do të bëjë dhe padi të tjera.

“Përgjigjja më e mirë për shpifësit është rruga ligjore. Në këtë mënyrë do t’u jepet mundësia të flasin aty ku duhet dhe jo atje ku nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për shpifjet e tyre. Padi të tjera do të vijojnë në ditët në vazhdim”, shkruan Shkëlzen Berisha.

Ai madje ka postuar edhe një faksimile të padisë së bërë ndaj Karas.

“Deklarimin fajtor për kryerjen e veprës penale të ‘shpifjes’ të kryer botërisht, në dëm të të dëmtuarit akuzues, parashikuar nga neni 120/2 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në objektin e kësaj padie.

Përfaqësuesi ligjor i OSHEE-së Romeo Kara, ka akuzuar Nuel Kalajn si sekser të djalit të ish-Kryeministrit Berisha në privatizimin e Operatorit Shtetëror të Energjisë, duke përfituar miliona euro nga kjo shitje. “E-mailet flasin për praninë e Shkëlzen Berishës dhe aktivitetin e rolin që ka luajtur ky person në procesin e privatizimit të kompanisë shtetërore”, është shprehur Kara në një intervistë për gazetën “Panorama”.

Juxhin Mustafaraj/ PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura