Akuzat për kandidatin e Himarës, Kokëdhima: Ja e vërteta e Ilir Gjicalit

May 27, 2016 | 21:44
SHPËRNDAJE

Në përfundim të zgjedhjeve për kreun e ri të degës së PS-së në Vlorë, ku fitoi kandidati Anduel Tahiraj, deputeti i PS-së dhe koordinatori i qarkut Vlorë-Gjirokastër, Koço Kokëdhima, tha gjatë komunikimit me gazetarët se procesi shkoi jashtëzakonisht mirë.

Kokedhima dje gjate deklarates per media

Ai komentoi garën e fituar nga Anduel Tahiraj me rreth 92 për qind të votave të anëtarësisë socialiste, duke ftuar të gjithë socialistët e Vlorës që të gjejnë veten në proceset gjithëpërfshirëse të PS-së.

Sa i përket zgjedhjes së Ilir Gjicalit si kandidat për Himarën, Kokëdhima thekson se kandidaturat për kryetar të PS-së së bashkive, të qarqeve Vlorë dhe Gjirokastër, janë përzgjedhur nga trupa e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, të PS-së së Shqipërisë.

Pjesë nga konferenca e deputetit Kokëdhima:

Në hapje të kësaj konference shtypi dëshiroj që të shpreh ngushëllimet e mia për familjet dhe të afërmit e atyre bashkëqytetarëve tanë, që sot humbën jetën në incidentin që ndodhi me djegien e autobusit, ku u lënduan një numër i rëndësishëm qytetarësh, kryesisht nga Vlora. Me këtë rast dëshiroj gjithashtu që t’ju shpreh urimin të mbijetuarve dhe të lënduarve që të shërohen sa më shpejt dhe të kthehen sa më shpejt pranë familjeve të tyre. Jam i hapur dhe i gatshëm për çdo pyetje që ju keni.

Pyetje: Si shkoi procesi dhe a ka pasur apo jo kontestime në lidhje me kandidaturën e z. Anduel Tahiraj, duke qenë se ka qenë kandidatura e vetme në këto zgjedhje?

Kokëdhima: Zgjedhjet për kryetarin e Partisë Socialiste për bashkinë e Vlorës që filluan sot, siç edhe ju jeni në dijeni, kanë shkuar jashtëzakonisht mirë. Në këto zgjedhje morën pjesë 85 për qind e të gjithë listës së anëtarëve të Asamblesë së zgjeruar të PS-së së Bashkisë së Vlorës. Pra një shifër mjaft e lartë pjesëmarrjeje. Votuan 92 për qind e të gjithë pjesëmarrësve, votuan pro kandidaturës së Anduel Tahirajt. Kjo është një dëshmi shumë e qartë e mbarëvajtjes së këtij procesi, është dëshmi shumë e qartë e faktit që Andueli ishte një kandidaturë shumë përfaqësuese dhe ashtu siç erdhi nga procesi si një kandidaturë konsensuale, kjo vërtetohet plotësisht edhe në këtë proces votimi. Unë jam i informuar edhe për ato dy raste kontestimesh që janë publikuar në rrjetet sociale, duke kontestuar faktin që Andueli ishte kandidaturë e vetme. Unë dua të sqaroj këtu se Andueli nuk ishte kandidaturë e vetme në proces. Ne kishim dy kandidatura: ishte Andueli, ishte edhe Alma Bakiu, por është vetë Alma Bakiu që është tërhequr pastaj në fazën finale të procesit dhe ka mbështetur Anduelin. Ata kanë qenë të dy bashkëkolegë në të gjithë punën që është bërë për gati 8 muaj me radhë, për reformimin e strukturës politike të Partisë Socialiste, në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër, dhe gjithashtu këtë bashkëpunim e manifestuan edhe sot në zgjedhje, ku u arrit ky rezultat spektakolar. Me këtë rast unë i uroj Anduelit, që të ketë suksese dhe të justifikojë plotësisht të gjitha pritshmëritë e anëtarësisë së gjerë të Asamblesë së zgjeruar të PS-së së Bashkisë së Vlorës, që e votuan në këto zgjedhje. Nuk mendoj se kanë ndonjë bazë ato kontestime që janë paraqitur. Unë i ftoj edhe ata kolegë që të jenë më aktivë në punën e partisë, të jenë më aktivë në zhvillimin e mëtejshëm të punës së Partisë Socialiste të Vlorës dhe të gjejnë veten në këto procese gjithëpërfshirëse të PS-së.

Pyetje: Ndryshe nga Andueli, i cili është një figurë që nuk ka pasur asnjë lloj precedenti penal, dhe i vlerësuar në Vlorë, ka pasur akuza në media të ndryshme mbi kandidatin e Himarës, Ilir Gjicali, i cili përflitet se është i mbështetur nga ana juaj. Besoni se e kaluara e tij e penalizon atë për të drejtuar PS-në e Himarës? A është apo jo njeriu juaj?

Kokëdhima: Po, jam informuar mbrëmë për një publikim që bënë mbrëmë mediat e Bolinos, ku e paraqesin Ilir Gjicalin si njeriun tim, si të përzgjedhurin tim dhe si njeriun që është mbrojtur me zjarr dhe me këmbëngulje nga unë në kryesinë e PS-së së Shqipërisë. Së pari, dëshiroj të them se Bolino është një gazetar perëndimor, ka përvojë punë në “Ansa” dhe ndoshta edhe në gazeta të tjera në tregun e shtypit italian dhe e di mjaft mirë se të shpërndash intriga, spekulime dhe mashtrime është një mëkat jo i vogël për njerëzit që bëjnë media. Fakti që Bolino, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera, merret me intriga dhe shpërndan informacione tërësisht të pavërteta, tregon se ai është i motivuar në interesa për t’u përfshirë në këto intriga dhe shpifje. Gjicali si qytetar është i imi aq sa është i Nishanit, sa është i Ramës, sa është i Metës, aq sa është i Berishës, aq sa është i çdo shqiptari tjetër. Si socialist, Gjicali është i imi aq sa është i Ramës, sa është i Rucit, sa është i çdo socialisti dhe drejtuesi të PS-së tjetër. Ai ka qenë aktivist i PS-së përpara se sa unë të vija në PS dhe në politikë. Ndërsa për sa i përket faktit që Gjicalin e kam përzgjedhur unë si kandidat, mund t’ju them se kandidaturat për kryetar të PS-së së bashkive, të qarqeve Vlorë dhe Gjirokastër, por në rastin konkret të Bashkisë së Vlorës, janë përzgjedhur nga trupa e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, të PS-së së Shqipërisë, që janë, që i përkasin qarkut të Vlorës. Unë mund të them me korrektësi dhe vërtetësi, se nuk kam qenë pjesë e kësaj mbledhjeje dhe as e kësaj procedure fare. Për sa i përket pretendimit tjetër të Bolinos, se unë e kam mbrojtur me këmbëngulje kandidaturën e Gjicalit në Kryesinë e PS-së së Shqipërisë. Unë kam munguar në mbledhjen e Kryesisë së PS-së së Shqipërisë ku janë diskutuar dhe mbrojtur kandidaturat e propozuara nga rrethet dhe nga bashkitë për kandidaturat për kryetarë partie. Pra unë nuk kam qenë fare e nuk kam pasur mundësi as që ta mbroj, as me këmbëngulje e as pa këmbëngulje. Gjicali është aktivist i PS-së në Himarë dhe ka figurë të pastër penale. Sigurisht që ai ka bërë një gabim në jetën e tij dhe për këtë gabim ai është ndëshkuar sipas ligjeve. Vlerësimi i faktit, se meriton apo jo, ky veprimtar politik të zgjidhet në një post drejtues në Bashkinë e Himarës është një çështje e ligjit dhe nuk është një çështje që duhet ta zgjidhin njerëzit që raportojnë në mënyrë tendencioze dhe me spekulime. Ne kemi sot një ligj të integritetit të figurës, të pastërtisë së figurës ose të dekriminalizimit, që vendos të gjitha kufizimet e plota për çdo individ, nëse i lejohet ose jo që të zgjidhet në funksione drejtuese, në administratë, në partitë politike, e kështu me radhë. Dhe Gjicali, nëse pengohet, pengohet nga ky ligj. Por Gjicali, në dijeninë tonë, nuk pengohet nga ky ligj sepse ka bërë dënimin për moskallëzim krimi ku ai ka qenë dëshmitar, është dënuar me 11 muaj, dhe e ka sot figurën e tij penalisht të pastër në bazë të ligjit në fjalë. Dhe nuk duhet të bëhet ky njeri dhe çdo njeri tjetër, që gëzojnë të drejta elementare të zgjidhen dhe të zgjedhin, argumente për luftën politike apo për interesat që fsheh kjo luftë politike. Unë i kam njohur që të dy, edhe Bolinon edhe Gjicalin, dhe mund të them opinionin tim se Gjicali është një burrë me shumë vlera, madje qëndron shumë më lart nga vlerat e veta se sa Bolino. Kështu që nuk mendoj se duhet të bëhet rasti i tij një rast për sulme të paprecedenta, as për llogari të sulmeve që bëjnë ndaj meje kundërshtarët e mi politikë, dhe as për arsye të tjera. Këto mund të shpjegoja për këtë çështje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura