Akuzat për falsifikimin e nenit, Xhafaj: Deputetët syleshë, e kanë të vështirë të pranojnë që…

May 16, 2018 | 18:51
SHPËRNDAJE

Ministri i Brendshëm, Fatmir  Xhafaj ka dal sot një konferencë urgjente për shtyp.

Në konferencën e tij, ai ka folur për akuzat që i janë bërë nga opozita dhe ka sqaruar opinion publik, për ato që ai i quajti sulme dhe shantazhe.

Në konferencën e tij ai ka folur dhe në lidhje ma akuzat që i janë bërë në lidhje me falsifikimin e një neni në Kodin e Procedurës Penale, ka thënë se çdo ndryshim është bërë sipas Konventës Evropiane të Ekstradimeve.

xhafajjPjesë nga deklarata

Lidhur me falsifikimin e Kodit të Procedurës Penale.

Është akuza më qesharake që kam dëgjuar për veten time. Edhe sot, nuk ju besoj veshëve kur e dëgjoj këtë akuzë. Qesharak komplet këta lloj njerëzish. Pa pikë personaliteti. E kam të vështirë që të besoj që, edhe pse nuk kam asnjë simpati personale dhe politike për ata që më akuzojnë për këtë çështje, dhe më duket sinqerisht shumë çudi se si njeriu pranon të jetë dhe të vet shpallet injorant. Në këtë rast nuk mundet t’ju thuash as spekulant politik.

Nuk dua të zgjatem se, besoj të paktën për shumicën që ka tentuar sadopak të mësojë të vërtetën, është i qartë absurditeti i kësaj akuze. Unë akuzohem se si kryetar i komisionit të ligjeve, për të shpëtuar vëllain tim nga burgu, kam ndryshuar draftin e nenit 491 të KPrP, të miratuar në komisionin parlamentar, (pra në çdo rast ka “falsifikuar” një draft) dhe për votim Kuvendit i është paraqitur, jo drafti i komisionit parlamentar, por drafti “i falsifikuar” nga unë. Dhe deputetët e kanë votuar “pa e parë”. Se kështu i bie sipas logjikës Zhvejkjane. Dhe tani, pas disa muajve, disa prej këtyre deputetëve pa pikë turpi, duke pranuar që janë sylesh vetëm e vetëm që të arrijnë qëllimin e tyre të mbrapsht politik, thonë që na e hodhi Fatmir Xhafaj. Po këtë e thonë me delikatese. E falsifikoi. Thonë.
Komplet qesharak.

Gjithsesi, unë kam detyrimin që të jem serioz dhe t’ju jap përgjigjen që duhet.

1) nuk ka asnjë kontribut timin teknik në këtë çështje, si njërin variant të draftit, ashtu edhe në variantin tjetër. Por, e mbroj fort atë, si një nen që është në përputhje me konventat, me kushtetutën dhe të dobishëm për qytetarët shqiptarë;

2) kjo pikë e nenit 491, është një standard ndërkombëtar. Nuk e kemi shpikur dhe as jemi ne të vetmit. Është mot a mot përcaktimi i nenit 3, të Protokollit të Dytë Shtesë të Konventës Evropiane për Ekstradimin.

Për të gjithë ata që duan të dëgjojnë, Shqipëria e ka ratifikuar këtë konventë që në vitin 1998, pra ky lloj kushti ishte, gjithsesi i zbatueshëm në sajë të përparësisë që marrëveshjet ndërkombëtare kanë mbi legjislacionin vendas, sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Pra, edhe amendimi i Kodit, i cili reflekton protokollin e dytë është thjesht një rregullim; nuk është risi, pasi kjo disiplinë është në fuqi që nga viti 1998. Për më tepër, të njëjtën disiplinë e kanë adoptuar dhe e zbatojnë të gjitha vendet evropiane, duke filluar që nga Austria e duke mbaruar te Zvicra. Në të gjitha këto shtete, në rastet e vendimeve gjyqësore në mungesë, ekstradimi është i mundshëm, vetëm nëse shteti kërkues jep garanci për rigjykim.
E për më tepër, ky parashikim është reflektuar e zeza mbi të bardhë, në ligjin për marrëdhëniet ndërkombëtare juridiksionale, hartuar dhe miratuar në vitin 2009, pikërisht nga këta që sot janë në opozitë dhe që nuk lënë gjë pa thënë për këtë fakt !!

3) Ky rregullim i ri në Kodin e Procedurës, por në fuqi më parë në ligjin e sipërcituar, nuk ka lidhje me rastin e vëllait tim Agron Xhafaj dhe është sërish një mashtrim i rëndë publik.

Dispozita e thotë qartë, mbrohen vetëm ata që janë dënuar në mungesë, pra, në kushtet kur nuk është siguruar e drejta për një proces të rregullt ligjor sipas nenit 6, të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Është e vërtetë që Italia është dënuar shpesh nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, por kjo gjykatë i ka konstatuar si shkelje vetëm ato procese, ku i pandehuri nuk ka marrë pjesë dhe nuk ka caktuar një mbrojtës, por i është caktuar një mbrojtës kryesisht. Në rastin konkret, im vëlla ka qenë i përfaqësuar nga një mbrojtës jo i caktuar kryesisht dhe teknikisht nuk mund as të konsiderohet, besoj, si gjykim në mungesë, për efektet e ekstradimit dhe për rrjedhojë, nuk jemi në kushtet e nenit aktual 491, të KPrP.

Nuk dëshiroj të marr më shumë kohë për këtë pasi jam i sigurtë që edhe ata që flasin, sikur të ishin vetëm pak fare normal në sjellje dhe qëndrime politike, do të kuptonin se sa qesharakë janë dukur me këtë akuzë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura