Akuzat ndaj Becchetti-t për pastrim parash në miliona euro, Sollaku: Prokuroria do dalë blof

Jun 9, 2015 | 12:20
SHPËRNDAJE

Pas akuzave të ngritura nga Prokuroria e Tiranës ndaj biznesmenit italian Francesco Becchetti, për pastrim parash në miliona euro, si dhe urdhërin e shpërndarë në disa banka për bllokimin e aksioneve për kompanitë “AgonSet”, shoqëritë “Energji”, “Cable System”, “400KV” dhe “Fuqi”, ka reaguar edhe përfaqësuesi ligjor në Shqipëri, Theodhori Sollaku.

Theodhori Sollaku

Në një interviste televizive të dhënë mbrëmjen e së hënës në televizionin “Agon Channel”, televizion i ngritur nga Francesco Beccheti në Shqipëri, avokati Sollaku tha se në veprimet e prokurorisë asgjë nuk është e paligjshme. Sollaku deklaroi se për akuzat e ngritura nuk ka asnjë vepër penale. “Paratë e sjella në Shqipëri janë të dokumentuara nga Bankat e Nivelit të Dytë. Me këto akuza, prokuroria do të dali blof. Nuk ka asnjë veprim të kundra ligjshëm. Me këto që kam pa nga Gjykata, edhe nëse janë të vërteta, nuk përbëjnë vepër penale.”,-deklaroi Sollaku.

Sipas ish-kryeprokurorit në shqiptar, kjo çështje është e frikshme për faktin se organi i akuzës në bashkëpunim me gjykatën, po krijon një precedent të ri ndaj investitorëve. “Ky vendim i gjykatës është copy-paste nga vendimi që ka kthyer prokuroria. Mendoj se rreziku që raste të tilla të përsëriten edhe në biznese të tjera është evident, sepse vendimi i prokurorisë dhe gjykatës është precedent, rrezikon në të ardhmen shumë biznese”,-tha Theodhori Sollaku.

Sipas tij, sekuestrimi ndodh kur bëhet fjalë për vepra penale kur ka dyshime, apo është provuar që këto kapitale kanë origjinë të veprave penale që prodhojnë para. Atëherë sipas tij, shteti nëse e provon, ka të drejtë ta sekuestrojë.

Lidhur me këtë çështje, Prokuroria e Tiranës pohon se ka arrestuar drejtuesen e një banke të Nivelit të Dytë në Shqipëri, Pranvera Gjika, si dhe përfaqësuesen ligjore të kompanive në fjalë, Erjona Tropini.

Ndërkohë, prokuroria ka shpallur në kërkim edhe drejtuesit e si Francesco Becchetti dhe Mauro de Renzis.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura