Akuzat mbi “puçistët”/ Rebelimi i Enverit në Byro me Hito Çakon: Kur e pe se Beqir Balluku po digjej, i vure atij pishën, që…

Jun 24, 2020 | 20:25
SHPËRNDAJE

pjimageDashnor Kaloçi/ Publikohet një dokument i panjohur arkivor, nxjerrë nga fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së që bën fjalë mbi një mbledhje të Byrosë Politike të mbajtur më datën 10 tetor të vitit 1974.

Ne ate mbledhje Enver Hoxha ka bërë konkluzionet e saj duke kritikuar drejtuesit kryesorë të Ministrisë së Mbrojtjes, që nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe zv/ministri, Petrit Dume, Drejtori i Drejtorisë Politike të Ushtrisë, Hito Çako, Drejtori i Institutit të Studimeve dhe Kërkimeve Ushtarake, Sadik Bekteshi, Halim Ramohito etj., duke i akuzuar ata për veprimtari antiparti dhe punë armiqësore në Ushtri dhe si bashkëpunëtorë të ngushtë të Ministrit të Mbrojtjes, Beqir Ballukut, në veprimtarinë e tij armiqësore.

E gjithë fjala e Enver Hoxhës në atë mbledhje, ku “rrufetë” më të mëdha kanë rënë mbi Drejtorin Politik të Ushtrisë, Hito Çakon të cilin ai e akuzon se kur ishte shqyrtuar “veprimtaria armiqësore” e Tuk Jakovës, ai ishte në dijeni të gjithë “punës armiqësore” të tij, por i’a fshehu Partisë.  Si dhe kritikat ndaj Sadik Bekteshit, duke e akuzuar atë si “megalloman” dhe për drejtim të dobët në krye të Institutit të Studimeve dhe kërkimeve Ushtarake, etj.

“Ti, Hito Çako, kur e pe se Beqir Balluku po digjej, i vure atij pishën, që tymi të mbulonte gabimet dhe tradhtinë tënde. Ti na u hoqe si kundërshtar i rreptë i Beqir Ballukut, kurse ti ishe shok në komplot me të, ishe një mik i flaktë i revizionistëve sovjetikë. Kjo që po bëj nuk është literaturë, por deduksion logjik i mbështetur në fakte.

E pesta, ti, Hito Çako, je recidivist në hile dhe në rrugën tënde antiparti. Jo një herë ti ke vepruar kundër Partisë, kundër udhëheqjes së saj dhe kundër Sekretarit të saj të Parë. Kur u shqyrtua puna armiqësore antiparti e Tuk Jakovës, u zbulua se ky armik i Partisë, për gjithë veprimtarinë dhe qëllimet e tij antiparti, kishte biseduar me ty, Hito Çako. Dhe ti këto i’a kishe mbajtur fshehur Partisë.

Kur u detyrove t’ia thoshe asaj, se u zure keq, bëre atëherë njëfarë autokritike dhe more angazhim solemn, se nuk do ta përsërisje kurrë një gabim të tillë. Partia të dha dorën, ti e pështyve dhe përsërite prapë të njëjtin gabim akoma më të rëndë e më të rrezikshëm”. Kështu shprehej në mes të tjerash në Enver Hoxha një nga mbledhjet e Byrosë Politike të mbajtur më 10 tetor të vitit 1974, ku po merrte në analizë “veprimtarinë antiparti dhe punën armiqësore” të drejtuesëve kryesorë të Ministrisë së Mbrojtjes, duke filluar nga ministri, Beqir Balluku, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe zv/ministër i Mbrojtjes, Petrit Dume, Drejtori i Drejtorisë Politike të Ushtrisë, Hito Çako, Drejtori i Institutit të Studimeve dhe Kërkimeve Ushtarake, Sadik Bekteshi, Halim Ramohito, etj., të cilët më pas shkarkoi nga të gjitha detyrat dhe funksionet partiake e shtetërore, duke i akuzuar si “Grupi puçist në Ushtri”.

Për më shumë rreth akuzave të Enver Hoxhës në këtë mbledhje, na njeh dokumenti arkivor që Memorie.al e publikon të plotë ashtu siç ndodhet në dosjen përkatëse të fondit t ëish-Komitetit Qëndror të PPSH-së.

Fjala e Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të PPSH-së, me kritikat dhe akuzat ndaj Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos, Sadik Bekteshit, Halim Ramohitos, etj.

10 tetor 1974

Shokë, Tani dëshiroj të flas pak edhe unë. Jam plotësisht dakord me kritikat dhe me vërejtjet që bënë shokët e Byrosë Politike, të cilat kanë një vlerë shumë të madhe për Partinë. Ne i dëgjuam autokritikat e kuadrove kryesorë të Ushtrisë të ftuar në mbledhje dhe mendimi im është se ata, për të mos thënë fare, nuk u larguan shumë nga ato që kanë dhënë me shkrim. Prandaj nuk jam dakord me këto autokritika dhe veçanërisht me atë të Hito Çakos. A janë autokritika të thella këto të tyret, a janë ato të sinqerta dhe të hapëta? Mendimi im është se jo. Po pse vallë ngjet kështu?

Kjo është çështje konceptesh, konceptesh të paformuara marksiste-leniniste, kurse te këta persona është fjala për koncepte të shtrembra, të vetëquajtura marksiste-leniniste, por që nuk janë veçse revizioniste. Këta janë komunistë, kanë bërë Luftën Nacionalçlirimtare, janë zgjedhur në Komitetin Qendror, janë emëruar në poste kryesore udhëheqëse në Ushtri e megjithatë kanë bërë gabime kaq të rënda parimore!! Po cilat janë këto gabime të rënda të tyret?

Ja përmbledhtazi: Për ta, në praktikë, Ushtria konsiderohet si një vend i tyre, ku ata bëjnë ligjin, janë zotër dhe mund të veprojnë si të duan. Sipas tyre ata mund të shkelin ligjet, urdhëresat, normat dhe asnjeri nuk ka të drejtë të ndërhyjë. Ata fshehin atje të vërtetën, heshtin për metat, ata shtypin me prepotencën dhe me arrogancën e tyre në teori e në praktikë, nuk përfillin atje Partinë, nuk marrin parasysh dhe përbuzin mendimet, vërejtjet dhe kritikat e vartësve.

Në fakt, ata nuk kanë konsideratë as për udhëheqjen kryesore të Partisë, përdorin parulla, formula, e deri emrin e udhëheqjes së Partisë për të vepruar shtrembër e për të falsifikuar, për ta çuar në greminë punën e Partisë dhe për t’u imponuar Partisë dhe ushtrisë ligje dhe norma antiparti. Të gjitha këto që përmenda e të tjera janë vërtetuar, në një mënyrë ose në një tjetër, në punën e tyre. Këta mund të thonë: “Si shumë na ngarkove shoku Enver”! Jo, jam shumë i moderuar, duhet të jem akoma më i ashpër.  Mos vallë ekzagjeroj ndonjë gjë kur them: Ngjanë të gjitha këto gjëra në ushtri? Po, ngjanë, këtë nuk mund ta mohoni. Atëherë, ju, si anëtarë të Komitetit Qendror, përse i lejuat të zhvilloheshin?!

Ju keni përgjegjësi të madhe dhe kryesore për këtë. Askush nga ju nuk mund të thotë se nuk i pa këto gjëra, në një mënyrë ose në një tjetër. Atëherë si komunistë, si revolucionarë, si njerëz me koncepte të drejta marksiste-leniniste që hiqeni, përse nuk u ngritët t’i vinit në vend këto ligësi? Ju nuk e bëtë këtë.

Ndonjëri mund të thotë: “Këtë ose atë veprim e kam kundërshtuar, e kam kritikuar”. Mirë, le ta besojmë për një çast, po ç’doli nga kjo? Ç’gjë frenoi nga e keqja ky kundërshtim yti i pretenduar? Mos vallë e keqja u ndalua? Jo, aspak, ajo u trash edhe ca më shumë!! Ndonjë tjetër mund të thotë:

“E po ja, u theva”. Mirë, po pse u theve? Si të mëson Partia, të thyhesh apo të mos thyhesh? Urdhri im si Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë dhe si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë, është i qartë për sa i përket përdorimit të literaturës së huaj. Ju, që nga Hito Çakoja, Petrit Dumja, Sadik Bekteshi, ti, Ramohito, pse nuk e zbatuat atë direktivë, po e hodhët në shportë? Këtë quani ju zbatim të urdhrave të Partisë? Ju, në ushtri, këtë quani respekt për udhëheqjen e Partisë?

Ja ç’rezultoi nga kjo shkelje flagrante juaja e kësaj direktive! Mund të na thoni, kush e ka përgjegjësinë për këtë? Mos i’u rëndojmë ju kur ju bëjmë përgjegjës? Aspak! Jemi shumë të butë! Kur ju gjenit kundërshtime në vijë ose në praktikën e punës nga njëri ose nga tjetri ushtarak, pse nuk i shtronit ato në Parti dhe kur organizatat-bazë, ose komiteti i Partisë në Ministrinë e Mbrojtjes nuk arrinin t’i vinin çështjet brenda normave, pse nuk u drejtuat në Byronë Politike dhe në Komitetin Qendror?

Ju nuk mund të pretendoni se nuk i njihnit këto norma. Atëherë Partisë dhe udhëheqjes së saj, këto veprime antiparti, këto grindje ose zënka, përse i’a fshehët? Përgjigjen jua thanë shokët, po jua them edhe unë: Ju nuk vepruat kështu, se keni pikëpamje revizioniste për Partinë, se ju ka mbuluar familjariteti, ju ka mbuluar megalomania. Ju e konsideronit veten se nuk kishit nevojë për ndihmën e Partisë, të komiteteve dhe të udhëheqjes së Partisë dhe mendonit se të palarat tuaja duhej t’i lanit në mes tuaj, duke i fshehur nga Partia.

Vallë të gjitha këto që vërtetohen me fakte në veprimtarinë tuaj koncepte marksiste-leniniste janë? A nuk është e qartë se ju Ushtrinë e keni pasë konsideruar si një ‘kala të mbyllur’, si një vend ku ju mund të bënit si të donit, të silleshit si t’ju vinte për mirë, të shkelnit ligjet e normat dhe të vinit të reja, nga ato që juve ju vinin për shtat? Ç’u thoni këtyre fakteve? Në realitet të gjitha këtyre pyetjeve, ju u bëtë bisht.

Po ç’përgjigje do t’i jepni Partisë dhe Ushtrisë, kur të riktheheni, në analizat që do të bëhen? Këtë avaz të ndytë do të këndoni dhe atje? Jemi të sigurt se këtë herë diskusionet nuk do të jenë të buta, ndaj jush, siç kanë qenë deri tash, do të kërkohet llogari deri në një nga të gjithë ndaj gjithë atyre që kanë gabuar dhe kanë bërë faje.

Gojët tash do të hapen në Parti dhe në Ushtri, pavarësisht kush janë ata që kanë gabuar ose që kanë bërë të këqija. Në organizatat e Partisë në ushtri tash do të dërrmohet hierarkia e sëmurë, nuk do të ketë më grada e pozita, të gjithë do të jenë anëtarë të thjeshtë e me të drejta të barabarta.

Për punën tuaj të përgatiteni, t’i jepni llogari Partisë deri në një, duke lënë mënjanë kontornot false, të jeni të sinqertë e të çiltër me të dhe të keni bindjen se Partia nuk do t’ju lëshojë lehtë nga kudhra e saj.

Ty, Hito Çako, kur hapa mbledhjen në fillim, unë të vura disa pyetje precize, shokët e Byrosë Politike të bënë gjithashtu, pyetje me shumë rëndësi. Ti atyre u bëre bisht, jo se nuk dhe nga ndonjë përgjigje banale ose të rëndomtë, por nuk zbulove të vërtetën e gjërave, gënjeve pa pikë turpi. E para, ti nuk zbulove arsyen e vërtetë: pse i’a ke fshehur udhëheqjes së Partisë të vërtetën mbi punën e Beqir Ballukut?

Sepse ti ke qenë dakord me Beqir Ballukun. Ky bënte punë armiqësore në anën ushtarake, ti bëje punë armiqësore antiparti në anën politiko-ideologjike. Të dyja këto veprimtari ishin të sinkronizuara, të koordinuara, Ishte një komplot dinak antisocialist. Qëllimi është i qartë, dobësimi dhe sabotimi i mbrojtjes së vendit. Ju përgatitnit terrenin për një invadim sovjetik. Këtu nuk bëj asnjë supozim.

Vetë faktet e vërtetojnë këtë dhe faktet janë kryeneçe. E dyta, Hito Çako, rezulton se nuk është e vërtetë që ti të mos kesh pasur dijeni për çka bënte Beqir Balluku, jo vetëm në hartimin e antitezave, por edhe mbi gjithë veprimtarinë armiqësore dhe amorale të tij në ushtri. Për të gjitha këto, ti jo vetëm ke heshtur, por edhe e ke përkrahur, e ke inkurajuar Beqir Ballukun, ke qenë dakord me të. Faktet këtë vërtetojnë.

E treta, ti, Hito Çako, nuk kishe besim, tek udhëheqëija e Partisë, te Komiteti Qendror dhe te Sekretari i Parë i saj, e Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë, për arsye se ti je revizionist, element antiparti, se ti ua fshehe deri në fund të vërtetën, pse me kohë po bëhej një punë e theksuar dhe sistematike armiqësore nga ti e nga Beqir Balluku dhe këtë veprimtari e mbajtët të fshehtë me të gjitha mjetet. Këto deduksione dalin nga faktet.

E katërta, ti, Hito Çako, kur e pe se Beqir Balluku po digjej, i vure atij pishën, që tymi të mbulonte gabimet dhe tradhtinë tënde. Ti na u hoqe si kundërshtar i rreptë i Beqir Ballukut, kurse ti ishe shok në komplot me të, ishe një mik i flaktë i revizionistëve sovjetikë.

Kjo që po bëj nuk është literaturë, por deduksion logjik i mbështetur në fakte. E pesta, ti, Hito Çako, je recidivist në hile dhe në rrugën tënde antiparti. Jo një herë ti ke vepruar kundër Partisë, kundër udhëheqjes së saj dhe kundër Sekretarit të saj të Parë. Kur u shqyrtua puna armiqësore antiparti e Tuk Jakovës, u zbulua se ky armik i Partisë, për gjithë veprimtarinë dhe qëllimet e tij antiparti, kishte biseduar me ty, Hito Çako.

Dhe ti këto i’a kishe mbajtur fshehur Partisë. Kur u detyrove t’ia thoshe asaj, se u zure keq, bëre atëherë njëfarë autokritike dhe more angazhim solemn, se nuk do ta përsërisje kurrë një gabim të tillë. Partia të dha dorën, ti e pështyve dhe përsërite prapë të njëjtin gabim akoma më të rëndë e më të rrezikshëm.

Këtë herë ti komplotove kundër Partisë, kundër udhëheqjes së saj, kundër ushtrisë. Këto janë fakte, asgjë nuk shtohet, asgjë nuk rëndohet. Unë mund të zgjatesha më shumë mbi punën tënde antiparti, mbi karakterin tënd prej intriganti dhe arroganti, mbi modestinë tënde false, mbi buzëqeshjet servile ndaj udhëheqësve kryesorë të Partisë dhe të shtetit, kurse, nga ana tjetër, bëje këto që ke bërë.

Unë po përpiqem të jap këtu një përmbledhje dhe një plotësim përkrah atyre që thanë shokët, por do të kem rastin që këto t’i zhvilloj edhe më gjerë në një mbledhje që mund të bëj me kuadro të Ushtrisë. Mendoj, Hito Çako, se këto që u thanë në adresën tënde, do të shërbejnë që t’i flasësh hapur Partisë dhe kuadrove të Ushtrisë, pse vetëm kështu mund të shërohesh nga kjo sëmundje e rëndë.

Ti Petrit, ke të meta shumë serioze dhe të dënueshme në pikëpamjet e tua politiko-ideologjike dhe në karakterin tënd, që të kanë bërë të gabosh shumë rëndë. E kemi për detyrë të flasim hapur, si komunistë, sepse vetëm në këtë mënyrë korrigjohen shokët që gabojnë, e për t’ia arritur këtij qëllimi, bëjmë të gjitha përpjekjet.

Na vjen keq për çdo shok që nuk korrigjohet. Me ty, Petrit, Byroja Politike ka bërë shumë përpjekje në këtë drejtim. Ajo mjaft herë të ka vënë në dukje se në karakterin tend, ka shfaqje shumë të theksuara mendjemadhësie, e këto të duken në punë dhe në jetë, jo ndaj nesh, anëtarëve të Byrosë Politike, por më shokët e tjerë e sidomos me ata të punës në Ushtri, shfaqjet e mendjemadhësisë kanë qenë të vazhdueshme.

Më e keqja është se arroganca dhe prepotenca jote në punë mbulohen shumë herë me një pamje “modestie rrogozi”, që në vështrimin e parë të gabon. Por këto karakteristika të personit tënd e kanë burimin dhe në pariartësinë tënde ideologjike; shumë koncepte revizioniste, borgjeze të janë veshur në mendimet e tua dhe këto të kanë luajtur e të lozin lodra të hidhura në jetën dhe në punën tënde.

Ti, Petrit, e ke mbivlerësuar shumë edhe të kaluarën tënde luftarake, edhe zotësinë tënde si ushtarak, edhe kontributin që ke dhënë ti në organizimin dhe në modernizimin e ushtrisë. Këto kontribute, aq sa janë, ne nuk t’i kemi mohuar, por në Ushtri, jo kurdoherë ke punuar sa duhet dhe si duhet, sidomos në rrugën dhe brenda normave të Partisë. Dua të theksoj se Partinë, ti “e ke dashur” dhe “e do” jo si duhet dashur dhe si duhet mbrojtur ajo, jo sipas ideologjisë së saj.

Këtu qëndron faji yt i madh, kjo të ka çuar ty në gabime të rënda. Me pikëpamje ideologjike të gabuara, me karakteristika prej mendjemadhi e prepotenti, me pikëpamjen se ti je ushtarak i zoti, më i zoti se gjithë të tjerët, ti kishe arritur në mendimin se nuk bën gabime ushtarake, as politike, jo vetëm në vija të trasha, por edhe në ato të hollat. Këto të kanë dhënë ty disa tipare të theksuara të një oficeri të vjetër dhe të kanë bërë të harrosh se Ushtria jonë është Ushtria e Partisë, e proletariatit, me norma, me ligje dhe me ideologjinë marksiste-leniniste.

Ti kujtoje dhe kujton se i di këto, por faktet në punë na tregojnë se këto norma dhe ligje ti nuk i ke zbatuar. Kjo pamje e tillë e gjërave nga ti, ka pasur efekte të dëmshme, të rrezikshme në punën ushtarake dhe të Partisë në ushtri.

Ti, Petrit, si edhe Beqir Balluku, kur i’u ka kritikuar Byroja Politike për punën e dobët, e keni kuptuar dhe dilnit me konkluzionin sikur për ç’po ngjiste në ushtri vinte për shkak të grindjeve personale mes Beqirit dhe teje, sikur këto ishin çështje stili, metode dhe kompetence. Të paktën dhe të shumtën këtë përshtypje na jepnit neve. Ne ju kemi kritikuar edhe për këto, pse ishin shfaqje që pengonin punën. Tash është e qartë pse Beqir Ballukut i vinte mirë që të qëndronim në këto ujëra, pse kështu humbisnin gjurmët e punës së vërtetë armiqësore që përgatitnit.

Ai kërkonte ta reduktonte çështjen në “stil, metodë dhe kompetenca”. Në Byronë Politike nuk na ndihmoi kush nga ju që të shihnim më qartë. Një fjalë the ti vetëm në fund se “nuk je dakord në çështje parimore me Beqir Ballukun” dhe e gjithë çështja u zgjidh. Këtë gjë ti nuk e bëre më parë. Ky është nga gabimet e tua më të mëdha. Ti nuk ke qenë dakord me kohë me Beqir Ballukun, por edhe ai nuk ishte dakord me ty.

Pse nuk ishte dakord? Pse ti punoje ashtu si punoje, ai “nuk punonte”, ti “nuk gënjeje”, “ai gënjente”, “ai komplotonte”, ti “jo”, “ai nuk tregonte asnjë zotësi në çështjet ushtarake dhe blofonte”, por ti e shikoje që ai blofonte, në vend që të ndiqje rrugën e vërtetë për t’i prerë hovin Beqir Ballukut, domethënë të përdorje rrugën e kritikës në Byronë Politike dhe në komitetin e Partisë, ti zgjodhe vetëm rrugën e zënkave, veprove, si të thuash, në platformën subjektive, u përpoqe të merreshe vesh me të dhe ta mbyllje çështjen. Kështu, ti shkove në terrenin që donte ai, ti u fute vetë në rrugën e gabimit e të tradhtisë.

Ti thua se re në kundërshtim parimor me Beqir Ballukun, atëherë me kohë, që më 1971 e më përpara kishe parë se Beqir Balluku po gabonte dhe po tradhtonte vijën e Partisë dhe të Ushtrisë, por ti nuk na vure në korent, na i mbajte fshehurazi. Po përse na i mbajte fshehurazi? Se kishe humbur besimin tek udhëheqja kryesore e Partisë dhe te Sekretari i saj Parë. Ti arrite të mendosh se ne e mbështetnim Beqir Ballukun në veprimtarinë e tij keqbërëse që ne as e dinim, kurse që të gjithë ju na e mbanit të fshehtë. Ja, këtu të sollën ty pikëpamjet e tua jo të qarta si komunist.

Ti jo vetëm nuk i kishe të qarta normat dhe parimet e Partisë, por as i zbatove edhe ashtu shtrembër siç i dije. Megjithëse ti ishe “në kundërshtim të vazhdueshëm” me Beqirin, megjithëse diktove se “ai po tradhtonte vijën”, deri në fund u përpoqe që këto gjëra t’i mbuloje. Kjo duket si kontradiktore, por është logjike për një shok, që nuk i ka të qarta parimet proletare marksiste-leniniste të Partisë sonë.

Ajo që thua ti, se ‘nuk i fola udhëheqjes më përpara’, pse mendoja se mos ma merrte për të keq dhe thoshte që “Petriti vazhdon të grindet me Beqirin, me gjithë kritikat që i janë bërë”, ka qenë logjike sipas teje. Por prapë kjo logjikë të çoi në çështjen e madhe dhe të rëndë; të humbisje besimin tek udhëheqja, te Partia dhe për një tradhtar në kokën e Partisë dhe të Ushtrisë heshte për veprimtarinë e tij. Arsyen tjetër që ngrite në Byro se nuk arrite dot të konkludoje, hidhe poshtë se nuk qëndron!

Ti, Sadik Bekteshi, hiqesh poshtë e përpjetë si një njeri i mësuar, një shok që e zotëron mirë e bukur marksizëm-leninizmin, hiqesh sikur shkencën ushtarake e zotëron në majë të gishtërinjve dhe jo vetëm kaq, por merr poza të atilla të palejueshme e të dënueshme, që u fut druajtjen vartësve, përdor ndaj tyre atë mënyrën e një bajraktari, e të një njeriu që flet nga maja e shkencës.

Por faktet treguan të kundërtën e asaj që hiqesh ti. Ti ke shumë më pak vlera në këto drejtime. Me pozat e një malësori të sëmurë dhe që fshihet nën slogane komuniste, kur të cenohet personaliteti, vjen menjëherë në zyrën time dhe kërkon që unë të vë në vend ofezën që të paskësh bërë Beqir Balluku. Por, kur ky komploton e minon Partinë dhe Ushtrinë, ty as që të shkon në mendje të marrësh mundimin e të vish tek unë ta denoncosh. Mund të na thuash se këtë gjë nuk e ke diktuar?!

Po atëherë, kur e diktove, ashtu sikurse erdhe shpejt e shpejt kur të ofendoi personin tënd, përse nuk erdhe të më njoftoje? Kuptohet se çështja personale kishte shumë rëndësi për ty, kurse ajo e Partisë s’e kishte atë rëndësi. Ti tash thua se bëre gabim, po përse e bëre atë gabim? Pikërisht këtë duhet të zbulosh që të shërohesh. Është lehtë të thuash që “nuk e diktova punën armiqësore të Beqir Ballukut” etj., etj. Po punën që bëje ti brenda në institutin që udhëhiqje dhe që e kishe kthyer në një furnizues të ushtrisë me materiale të ndyta revizioniste të partisë dhe të ushtrisë sovjetike, nuk e pe që kishte tipare revizioniste? Nga e kishe marrë ti këtë leje dhe këtë urdhër që të veproje kështu? Ku qëndronte komunizmi aty?

Puna jote ishte me shumë përgjegjësi, ajo ishte një punë politike dhe ideologjike. Ti u tregove shumë i dobët si komunist në këtë drejtim dhe ke përgjegjësi të rëndë. Partia dhe shokët të kërkojnë llogari. Ti je qarë dhe po qahesh se s’të jepeshin kuadro të zotë etj., por megjithatë edhe ata që të ishin dhënë, ti nuk dite t’i drejtoje, i prishe, pse, siç del, ti vetë dhe i pari, ishe i prishur, nuk ishe në rregull me Partinë, me vijën e saj. Këto janë çështje shumë serioze, janë çështje jetike për Partinë, për ushtrinë dhe për popullin. Me këto çështje nuk mund të lejohet kurrkush të bëjë shaka, t’u hedhin bombën dhe të fshehin dorën.

Prandaj duhet zhveshur nga mbeturinat dhe duhet spastruar nga ideologjia revizioniste, ndryshe nuk kuptohen drejt këto kritika të hidhura, të ashpra, por të drejta dhe plotësisht të merituara që po ju bëjmë. Çdo gjë është shikuar nga interesi i lartë i Partisë dhe i socializmit. Asnjë ekzagjerim nuk ka në thëniet e shokëve të Byrosë Politike, asnjë qëllim fyerjeje ose diskriminimi për ndonjërin.

Bile jam i mendimit, se edhe më shumë po të zgjateshim, akoma më mirë do të ishte për Partinë dhe për shokët. Por unë i propozoj Byrosë Politike, që konkluzionet për këtë problem, të mos i japim sot. Le t’i lëmë shokët e Ushtrisë të reflektojnë thellë mbi këto që u thanë këtu, për të mirën e Partisë dhe të tyren./Memorie.al

beqir-balluku-vietanamezë beqir-balluku-weq beqiri-hito-reizi-etj beqiri-me-kuadrot Halim-Ramohito hito-cako-ne-gjyq hitoo Petrit-Dume thumbnail_hito-grup-770x462

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura