Akuzat e PD-së: Rama dhe Beqaj, ligj për mbrojtjen e biznesit kriminal të barnave

Oct 4, 2015 | 11:45
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Rama dhe ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqajn se po kërkojnë që të miratojnë një ligj për barnat, që mbron aktivitetet kriminale.

Deputeti i PD, Roland Keta
Deputeti i PD, Roland Keta

Në një deklaratë për mediat, deputeti i PD-së, Roland Keta, tha se qeveria e Ramës po kërkon të heqë nga ligji i ri për barnat nenin që shërben si garanci për medikamentet që hyjnë në Shqipëri.

DEKLARATA E PLOTE

Ilir Beqa do të mbahet mend si ministri që i hapi portat ilaçeve të dyshimta e të skaduara duke vënë në rrezik jetën e pacientëve, por duke ndërtuar gjithashtu një biznes me fitime marramendëse për miqtë e tij e të Edi Ramës.

Një vit më parë, me bekimin e Edi Ramës, Ili Beqa futi duart në sigurinë e medikamenteve, për ti hapur rrugën klientelës qeveritare, përmes modifikimit që i bëri tenderit me urdhërin e tij.

Pas kësaj ne pamë se në spilalet tona plasën skandalet e barnave me origjinë të dyshimtë, që paguheshin shtrenjtë nga qytetarët dhe nuk ishin efektivë.

Sot, këtë çmenduri, këtë kaos, mungesë kontrolli e sigurie për medikamentet, Ilir Beqa kërkon ta sanksionojë me ligj.

Qeveria, Edi Rama dhe Ilir Beqa, po kërkojnë të heqin pikërisht atë nen të ligjit që shërben si garanci për ilaçet që hyjnë në vendin tonë.

Duke i hapur rrugët e importit për skarcitete, vetëm e vetëm që biznesi i miqve dhe klientelës Rama-Beqa të lulëzojë, pa marrë në konsideratë shëndetin e qytetarëve.

Ligji aktual nuk lejon futjen e një medikamenti që nuk ka qarkulluar të paktën dy vjet në vendet e Bashkimit Europian.

Kjo garanci për pacientët shqiptarë, është pengesë për biznesin e Ramës dhe Beqës, ndaj ata po kërkojnë ta heqin, duke vënë në rrezik shëndetin, sigurinë e barit, cilësinë e tij.

Partia Demokratike e dënon fuqimisht këtë përpjekje kriminale të Ramës dhe Beqës, dhe fton qytetarët të reagojnë të mbrojnë shëndetin e tyre. Të mos lejojnë këmbimin e shëndetit me biznesin e ilaçeve të Ramës dhe Beqës.

Deri më sot, Ilir Beqa dhe Edi Rama kanë nxjerrë nga arka e shtetit 35 miliardë lekë gjoja për shëndetësinë falas. Ku kanë shkuar këto para? Shëndetësia është në ditën më të keqe. Në spitale mungojnë gjërat më bazike. Paratë janë në xhepat e qeveritarëve dhe miqve të tyre. Dhe qytetarët paguajnë vetë çdo gjë e shumë shtrenjtë.

Prokuroria duhet të hetojë këtë sipërmarrje kriminale në kurriz të qytetarëve dhe shëndetit publik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura