Akuzat e PD për uniformat e policisë, ja si përgjigjet ministria

Feb 12, 2016 | 16:12
SHPËRNDAJE
Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në Partinë Demokratike Enkelejd Alibeaj pretendon se tenderi për uniformat e reja të policisë është zhvilluar pa asnjë transparencë. Sipas tij, kriteret teknike të këtij tenderi janë përcaktuar sipas profilit të kompanisë fituese, ndërkohë që mendimi i vetë policisë dhe ekspertëve nuk është marrë në konsideratë.
uniformat e policise
Por në lidhje me këtë akuzë, ka reaguar Ministria e Brendshme, e cila thotë se Drejtoria e Policisë së Shtetit ka ngritur një grup pune të posaçëm, i cili hartoi specifikimet teknike për uniformat e reja të policisë në bazë të një Vendimi të Këshillit të Ministriave.

“Në lidhje me akuzat për zhvillimin e një tenderi pa transparencë sqarojmë se, më datë 06.11.2015, Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, përmes VKM-së nr. 28, datë 14.01.2015, u ngarkua të kryej prokurimet për uniformat e reja. Po në këtë datë u publikua në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik, shpallja e tenderit për “Uniformat e Shërbimeve të Veçanta të Policisë së Shtetit”.

Në garën për uniformat e reja të Policisë së Shtetit, e cila u mbyll në datën 01.12.2015, u paraqitën 4 ofertues:

1.    GJERGJEFI – me ofertë  111.418.250 lekë;
2.    DSE & Alfredo Grassi SPA – pa ofertë;
3.    Bashkimi i operatorëve “YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN.TIC.AS” & Marsi AL SHPK – me ofertë 91.917.500 lekë;
4.    PAERA SHPK – pa ofertë.

Fituesi i shpallur në datën 23.12.2015, ishte bashkimi i operatorëve “YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN.TIC.AS & Marsi AL SHPK”, me çmimin më të ulët ndër ofertuesit. Kompania fituese u shpall pa shkelur asnjë procedurë, menjëherë pas vlerësimit të ofertave dhe pa pasur asnjë ankesë nga firmat pjesëmarrëse në tender.

Të gjitha faktet më sipër vërtetojnë se gara ishte e hapur dhe nuk ishte e paracaktuar, ndërkohë që kriteret përveçse u hartuan konform bazës ligjore, ishin të hapura për të gjitha kompanitë dhe për publikun”,- thuhet në njoftim.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura