Akuzat e Doshit, zbardhet dëshmia e Berishës në Prokurori: E di para 3 muajsh, ma tha Paloka

Mar 10, 2015 | 16:20
SHPËRNDAJE

Kryeministri Sali Berisha në dëshminë e dhënë para prokurorëve Adnand Xholi dhe Blerim Tominaj ka mbajtur të njëjtin qëndrim të cilin e ka bërë publik gjatë fjalimeve në Parlament.

Berisha dje duke dalë nga Prokuroria

“Panorama” shkruan sot se ai ka thënë se për ngjarjen e bërë publike javët e fundit nga deputeti Tom Doshi, kishte marrë dijeni rreth tre muaj më parë. Burimet pranë organit të akuzës thanë se Berisha ka shtuar se personi që e kishte informuar për këtë çështje ka qenë kryetari i Grupit Parlamentar Edi Paloka.

Pas kësaj dëshmie, Prokuroria pritet të thërrasë edhe Edi Palokën për të dhënë deklarime. Pas daljes nga Prokuroria, Berisha tha se vetëm pas dorëheqjes së kryetarit të Kuvendit Ilir Meta do të mundet të zbardhet e vërteta mbi akuzën e organizimit të vrasjes së deputetëve Tom Doshi dhe Mhill Fufi. Duke e cilësuar këtë si ngjarjen më të rëndë të 25 viteve, Berisha shtoi se pikërisht kjo ka bërë që ai të paraqitet për herë të parë në Prokurori.

“Absolutisht kam ardhur me kënaqësi, kjo ishte akuza më e rëndë e 24 viteve të fundit”, tha Berisha. Ai shtoi se Rama e Meta po kërkojnë të bllokojnë hetimin dhe ky veprim sipas tij përbën “atentatin më të rëndë që i është bërë të vërtetës në këtë vend në 24 vite”.

Ish-kryeministri shtoi se beson te Prokuroria, por nënvizon se “edhe gurët po të ishin prokurorë, që nuk janë gurë por janë njerëz si ne, me një presion të tmerrshëm dhe manipulim të paimagjinueshëm, duke pasur në bllok Kryeministrin, kryetarin e Parlamentit dhe kryepolicin atyre u vështirësohet puna në shkallë ekstreme”. Dhe një herë Berisha ka akuzuar Ramën dhe ministrin Tahiri se për gjashtë muaj e kanë mbajtur të fshehtë ngjarjen dhe se pas bërjes publike, i kanë ushtruar presion dëshmitarit.

“Saimir Tahiri zhvilloi disa seanca në zyrën e tij me Durim Bamin, të tjerat mund t’i ketë zhvilluar gjetiu, por në fund Tahiri përfundoi një avokat i pamposhtur i Bamit, një person qartësisht i ‘mala vites’ me precedentët e tij dhe kjo është e faktuar që përfundoi pothuaj i dashuruar me Bamin. Aq shumë e bindi Bamin, sa ai thotë se nuk pranoi të funksionojë si dëshmitar i mbrojtur i drejtësisë, sepse jam dëshmitar i mbrojtur i Tahirit dhe ndihej më i fuqishëm me Tahirin, sesa me mbrojtjen e drejtësisë”, tha Berisha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura