Akuzat e Doshit, merret në pyetje kunati i Berishës, Agim Rama: S’i njoh Bamin e Skënderin. Kam qenë me të njohurit e mi tek lokali në ish-bllok

Mar 10, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE

Në orët e vona të pasdites së djeshme, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në pyetje biznesmenin Agim Rama, kunati i ish-kryeministrit Sali Berisha. Marrja në pyetje e këtij dëshmitari është bërë nga drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Adnand Xholi.

Agim Rama

Për rreth një orë e gjysmë, mësohet se Agim Rama ka qëndruar në ambientet e Prokurorisë duke dhënë deklarimet e tij në lidhje me ngjarjen. 

Ai që në fillim të dëshmisë së tij ka mohuar të ketë njohje me Durim Bamin, personin që sipas Tom Doshit ishte porositur për vrasjen. Agim Rama ka dëshmuar se nuk njihet as me shtetasin Fatjon Skenderi, emër ky i lakuar nga Doshi se ka qenë pjesë e “skenarit për vrasje”.

Biznesmeni Agim Rama mësohet të ketë pohuar para prokurorit Adnan Xholi, se nuk ka asnjë lidhje me historinë në fjalë, duke deklaruar se e vetmja arsye përse përmendet emri i tij në këtë rast, mund të jetë ajo politike. Gjatë sqarimeve të dhëna në Prokurori, Agim Rama më- sohet se ka pranuar se qëndronte në lokalin “Viva” në zonën e ish-bllokut.

Duke shpjeguar këtë fakt, ai ka mohuar të ketë njohje apo shoqëri me shtetasin Fatjon Skënder, që është përmendur si pjesëmarrës në porositjen e vrasjes së deputetëve Tom Doshi dhe Mhill Fufi. A

gim Rama ka thënë se ka njohje në distancë me deputetët e përmendur në këtë çështje duke shpjeguar se nuk i ka takuar ndonjëherë dhe nuk ka asnjë raport personal me ta.

“Panorama” shkruan se pas përfundimit të fazës së parë të marrjes së deklarimeve nga zyrtarët e lartë me dijeni për çështjen, organi i akuzës pritet të marrë në pyetje edhe emrat e tjerë të përmendur në këtë çështje. Bëhet fjalë për “grupin e personave” që deputeti Tom Doshi ka akuzuar se kanë qenë porositësit dhe organizatorët e planit të pretenduar për vrasjen e tij.

Vetë deputeti Doshi nuk i ka bërë publikë emrat e të gjithë personave dhe identitetin e plotë të tyre, por me sa duket, të dhënat në fjalë ai ia ka thënë në shtator 2014 ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ky i fundit, në një deklaratë për median pak ditë më parë i përmendi emrat e të gjithë personave që kishte mësuar nga komunikimet me deputetin Tom Doshi.

“Tom Doshi më tregoi se në rrugë private kishte zbuluar që në mjediset e lokal ‘Viva’ në zonën e Bllokut në Tiranë, ish-shoferi i Fatmir Mediut së bashku me Agron Kulicin, ish-nëndrejtori i Policisë së Shtetit, Agim Ramën, kunat i ish-Kryeministrit Berisha, Eugen Beci, Drejtues i Prokurorisë për Krimet e Rënda, shtetasin Ymer Lala dhe një shtetas me emrin Ylli (Xhaxhollari), pronari i lokalit, kishin organizuar vrasjen e Tom Doshit”, deklaroi ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Nga këta emra personash, të cilët mësohet se deputeti Tom Doshi i ka përmendur edhe në dëshminë e tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda javën e kaluar, i thirrur për t’u marrë në pyetje deri tani është vetëm ish-drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beci. Personat e tjerë ende nuk janë thirrur edhe pse burimet e Prokurorisë kanë thënë se pas fazës së parë të marrjes së deklarimeve nga zyrtarët e lartë shtetërorë, në fazën e dytë do të kërkohen sqarime nga personat e përmendur direkt nga deputeti Tom Doshi.

Një tjetër veprim hetimor i Prokurorisë është edhe urdhri i sekuestrimit të të gjithë dokumenteve, provave, dëshmive e dosjeve të mbajtura nga Policia e Shtetit që prej muajit shtator 2014 e në vazhdim në lidhje me këtë çështje.

Në mesin e muajit shtator, pas marrjes dijeni nga deputeti Tom Doshi, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe drejtori i përgjithshëm i policisë Artan Didi, urdhëruan hapjen e një hetimi për çështjen. Policia ka kryer disa veprime në atë kohë ndonëse nuk referoi dosje në Prokurori. Pikërisht materialet që janë grumbulluar nga hetimi paraprak i Policisë janë kërkuar të administrohen nga Prokuroria

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura